Shtimi i shpenzimeve për mbrojtjen në vendet e NATO-s, Putin: Riarmatosja e aleancës nuk përbën kërcënim për Rusinë

Presidenti rus Vladimir putin u shpreh se planet e NATO-s për të shtuar shpenzimet për mbrojtjen nuk përbënin një kërcënim për Rusinë, pasi Moska ka të gjitha armët që i nevojiten për të mbrojtur veten.
Nën presionin e presidentit amerikan Donald trump, aleanca perëndimore ushtarake po nxit vendet anëtare që të shtojnë shpenzimet e tyre për mbrojtjen deri në 5 për qind të prodhimit të tyre të brendshëm bruto.
“Nuk shohim që ndonjë riarmatosje e NATO-s mund të jetë kërcënim për federatën ruse, sepse mund t’i kundërvihemi të gjitha kërcënimeve që mund të na shfaqen. Nuk ka dyshim për këtë,” u shpreh Putin për gazetarët gjatë një vizite në Shën-Pjetërburg.
Ndërsa Ukraina, e cila ka mbi tre vite që lufton kundër agresionit rus, këmbëngul për garanci sigurie nga NATO-ja si pjesë e një marrëveshjeje paqeje që mund të arrihet në të ardhmen, Putin vuri në pikëpyetje ligjshmërinë e homologut ukrainas Volodymyr Zelensky dhe të drejtën e tij për të firmosur një marrëveshje paqeje, duke argumentuar se mandati i Zelensky-t ka kohë që ka mbaruar.
Megjithatë, Putin shprehu gatishmëri për t’u takuar me Zelensky-n, por sipas tij një takim i tillë duhej të ndodhte vetëm në fazën përfundimtare të negociatave për t’i dhënë fund konfliktit.
“Nuk është problem që të takohem me të. Nëse shteti ukrainas beson se duhet të jetë ai që të drejtojë negociatat, le të jetë,” theksoi Putin, sipas të cilit trupat ruse po shënonin çdo ditë fitore në fushëbetejë.
Për raportimet se Gjermania mund t’i dërgojë Ukrainës raketa “Taurus” me rreze të gjatë veprimi, Putin tha se një lëvizje e tillë do të shkatërronte plotësisht marrëdhëniet me Berlinin dhe nuk do të kishte ndikim në ofensivën e Moskës.
Putin ndërkohë ofroi që të ndërmjetësonte mes Iranit dhe Izraelit për t’i dhënë fund konfliktit mes dy vendeve të Lindjes së Mesme, duke sugjeruar se Moska mund të ndihmonte në negocimin e një zgjidhjeje që do të lejonte Teheranin të zhvillonte një program të paqtë bërthamor. Presidenti amerikan Trump ka thënë se ka folur me Putin për këtë ide dhe i sugjeroi që së pari të merrej me dhënien fund të luftës në Ukrainë dhe më pas të shqetësohej për konflikte të tjera.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/