Shtohet popullariteti i Rick Santorum

Tri anketa të opinionit tregojnë se Rick Santorum është thuajse njësoj i popullor me ish-guvernatorin e shtetit Massachusetts, Mitt Romney.
Një sondash i organizuar nga rrjeti televiziv CBS dhe gazeta New York Times tregon se Santorum gëzon 30 për qind mbështetje mes votuesve republikanë, në krahasim me 27 për qind që gëzon Romney. Kjo shifër është një ndryshim i madh për Santorum, i cili mori vetëm 16 për qind përkrahje në një sondazh të ngjashëm në muajin janar.
Një anketë opinioni e organizuar nga Grupi studimor, Pew, tregon se Rick Santorum, ish-senator i Pennsylvanisë, ka 30 për qind mbështetje, në krahasim me 28 për qind që gëzon ish-guvernatori i shtetit Masachusets, Mit Romney.
Një sondazh i grupit Gallup tregon se 32 për qind e votuesve të regjistruar republikanë mbështesin Mitt Romneyn, dhe 30 për qind mbështesin Rick Santorum. Ish kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich, radhitet i treti me 16 për qind, pasuar nga ligjvënësi i Teksasit, Ron Paul me 8 për qind.