Luftë interneti në Rusi

Gazeta e përditshme moskovite, "Kommersant", flet për "skandalin më të madh politik të 12 viteve të fundit". Nën sulmet masive të piratëve të internetit ndaj kësaj gazete në mars të vitit 2008 besohet se qëndron organizata e rinisë besnike ndaj Kremlinit, "Nashi" ("Tanët"). Indikacione për këtë, thotë "Kommersant", ka në e-mailet e drejtuesit të "Nashit", Wassilij Jakemenko dhe zëdhënëses së tij, Kristina Potupchik.
Piratë të internetit, apo siç thirren ndryshe, hakerë, të cilët paraqiten si degë të grupit me veprimtari ndërkombëtare "Anonymous" i hapën kutitë postare të e-maileve të Jakemenkos dhe Potuptschikut dhe i botuan në internet para pak ditësh e-mailet e tyre.
Shtëpia botuese "Kommersant" kërkoi pastaj nga ministria e Brendshme ruse që t'i verifikojë informacionet delikate. Dëshmitë do të mjaftonin për të nisur një proces penal, shkruan Demjan Kudrjawzew, drejtor i përgjithshëm i shtëpisë botuese në blogun e tij te LiveJournal.
"Naschi" i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe e ka kërcënuar "Kommersantin” me një aktpadi për shpifje. Kjo organizatë rinie financohet me tatime dhe ka disa vite që mbështet Vladimir Putinin. Kryeministri rus konsiderohet si favoriti në zgjedhjen për president të Rusisë, që zhvillohen më 4 mars.