Shtohet sërish plani i huamarrjes për qershorin
Ministria e Financave rishikoi në rritje planin e vet të huamarrjes në tregun e brendshëm për herë të dytë brenda këtij muaji, bëhet e ditur nga dokumente të publikuara. Financat patën parashikuar të emetonin 28.8 miliardë lekë bono thesari dhe obligacione në lekë gjatë këtij muaji, por plani u rrit fillimisht në 30.9 miliardë lekë dhe së fundmi, në 32 miliardë. Rritja nga plani fillestar prej 3.2 miliardë lekësh (rreth 30 milionë dollarë), përbën rreth 10 për qind të shpenzimeve të zakonshme mujore të qeverisë. Ndryshimi i planit të huamarrjes shpreh njëkohësisht vështirësitë në rritje në realizimin e planit të të ardhurave buxhetore, si dhe vështirësitë në parashikimin e saktë të ecurisë. Rishikimi i planit shton gjithashtu frikën se qeveria mund të gllabërojë një pjesë të madhe të parasë së lirë që disponohet sot nëpër banka, duke krijuar vështirësi në kreditimin e bizneseve private dhe konsumatorëve.
Qeveria realizoi një deficit në të ardhura prej 8.3 miliardë lekësh në të ardhura gjatë periudhës janar-prill të këtij viti. Plani i të ardhurave u realizua në masën 92 për qind. Në rast se të ardhurat vijojnë në të njëjtin rritëm, deri në fund të vitit qeverisë do t’i mungojnë rreth 30 miliardë lekë. Për të mbyllur këtë problem, qeveria ka njoftuar sakaq ngrirjen e 30 miliardë lekë shpenzimeve, gjë që premton se deficiti nuk do të tejkalohet. Por problemi është se historikisht, buxheti i shtetit në Shqipëri ka njohur tejkalime planesh në fillim të vitit dhe ecuri të dobët të të ardhurave në fund të vitit. Disa ekspertë besojnë se të ardhurat do të përkeqësohen në gjysmën e dytë të këtij viti. Në këtë rast qeverisë do t’i duhet të anulojë më shumë shpenzime, gjë që është e vështirë për shkak të kontratave sakaq të nënshkruara për punime publike.
Shkurtimet, ndoshta 40 miliardëNë qarqet e qeverisë gjatë ditëve të fundit po diskutohet nevoja për të shkurtuar jo më 30 miliardë lekë nga shpenzimet e parashikuara në fillim të vitit, por 40 miliardë, për shkak të frikës se deficiti në të ardhura mund të rritet më tej. Qeveria po përgatit dokumentin për rishikimin e buxhetit të shtetit për vitin 2010, rishikim që pritet të miratohet së shpejti në Parlament. Ulja e shpenzimeve me 40 miliardë lekë mund të ndihmojë qeverinë të përmbajë deficitin buxhetor të këtij viti, në rast se zbatohet me rigorozitet. Kjo shumë përbën afërsisht 10 për qind të shpenzimeve totale të programuara dhe 67 për qind të të gjitha investimeve publike të programuara për t’u financuar me burime të brendshme.
LikuiditetiSistemi bankar shqiptar shijoi rritje të kënaqshme të depozitave gjatë periudhës janar-prill të këtij viti, gjë që i shtyu disa banka të rifillojnë fushatat publicitare në kërkim të kredimarrësve që duan të blejnë shtëpi. Por shumica e bankave duket se po presin të gjejnë treg me rrezik më të vogël për investimin e depozitave në titujt e borxhit të qeverisë. Disa bankierë mendojnë se pas dështimit të planit për emetimin e eurobondeve në tregun ndërkombëtar, qeveria do të rrisë huamarrjen në tregun e brendshëm si e vetmja mënyrë për të mbuluar shpenzimet e veta. Depozitat janë rritur në katër muajt e parë të vitit me 35 miliardë lekë, nga të cilat rreth 16 miliardë kanë shkuar për të financuar qeverinë dhe 11.5 miliardë kanë shkuar për të rritur kreditimin e sektorit privat. Qeveria ka tërhequr më shumë borxhe sesa sektori privat këta muaj dhe sasia e parave të lira të disponueshme nuk është shumë e madhe.
BorxhiBorxhi publik në Shqipëri arriti në 682 miliardë lekë, me rritje prej 89 miliardë lekësh (rreth 800 milionë dollarë). Qeveria ka në plan të financojë shpenzimet e veta edhe me 50 miliardë lekë të tjera për këtë vit. Vetëm pak ditë më parë, Ministria e Financave deklaroi edhe një herë se nuk ka ndër mend të rrisë deficitin buxhetor dhe se i ka përqendruar përpjekjet te shkurtimi i shpenzimeve.
#