E Diel, 1 Nëntor 2026

Jep dorëheqjen gjyqtari amerikan i GJND-së

Hagë Andrey Poskakukhin largohet për arsye “personale”

Gjykatësi që përfaqëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Thomas Buergenthal, ka dhënë dorëheqjen. Këtë ia ka konfirmuar Radio Dukagjinit shefi i zyrës për informim i kësaj gjykate, Andrey Poskakukhin, njofton “Telegrafi”. “Mund ta konfirmoj se gjyqtari Thomas Buergenthal do të japë dorëheqjen nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 6 shtator 2010. Ai e ka paraqitur dorëheqjen. Mandati i tij do të skadonte me 5 shkurt të 2015”, ka thënë Poskakukhin, duke sqaruar se, Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të zgjedhë zëvendësuesin e tij me datë 9 shtator.

Zëdhënësi i GJND-së, po ashtu ka bërë të ditur se arsyet të dorëheqjes së gjykatësit Buergenthal, “janë personale.” Kohë me parë, dorëheqje nga posti i tij në GJND kishte dhënë edhe gjykatësi kinez, Shi Jiujong. Zyrtarë të institucioneve të Kosovës, pas dorëheqjes së gjyqtarit kinez, kishin deklaruar se dorëheqjet nuk mund të prolongojnë mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Mediat kosovare ndërkaq, duke u thirrur në burime brenda Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë kanë raportuar se kjo gjykatë mendimin për Kosovën do ta bëjë publik me 22 korrik. Nga ana tjetër, dje Kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e qeverisë ka theksuar se pa marrë parasysh mendimin që do të japë Gjykata Botërore, njohjet për Kosovën nuk do të ndalen. “Pavarësisht nga opinioni që do të prezantohet nga Gjykata Ndërkombëtare, për Kosovën do të ketë njohje dhe do të hapet kapitull i ri, kapitulli i integrimeve për shtetin e Kosovës”, ka thënë Thaçi. Edhe Presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, në një manifestim kushtuar 12 Qershorit – Ditës së Lirisë, të premten ka thënë se pret njohje të reja të Kosovës, pas publikimit të mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. “Siç e kemi theksuar më se njëherë, argumentet e Kosovës për pavarësinë janë të fuqishme dhe ne presim që mendimi i kësaj gjykate t’i heqë përfundimisht dilemat e vendeve që ende po hezitojnë ta njohin shtetin më të ri në botë – Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›