E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohet tensioni në botën arabe, sulmohet edhe ambasada amerikane në Jemen

Protestuesit e zemëruar me një film anti- islamik, të bërë në SHBA, kanë sulmuar ambasadën amerikane në Jemen.

Sipas BBC, policia ka qëlluar në ajër në përpjekje për të zmbrapsur turmën, por ka dështuar në këtë tentativë.

Protestuesit kanë hyrë në ambientet e ambasadës dhe u kanë vënë flakën makinave.

Mendohet se një numër personash janë plagosur.

Të martën u vra ambasadori amerikan në Libi, pas sulmit që turma i bëri konsullatës amerikane në Bengazi.

Forcat e sigurisë në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa, kanë përdorur gaz lotsjellës, topa ujëhedhës dhe municion luftarak për të zmbrapsur turmën.

Për momentin ata kanë rimarrë nën kontroll ambasadën, por protestat po vazhdojnë jashtë godinës.

Siguria në të gjitha përfaqësitë amerikane në botën arabe është rritur.

Ndërkohë raportohet se ka pasur protesta dhe përplasje sërish në Kajro të Egjiptit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›