Shtrëngim fiskal, apo masa për rritje ekonomike?
Do të dëshiroja ta kisha gabim. Kjo ishte shprehja-dëshirë e laureatit të çmimit Nobel në Ekonomi, Krugman (Paul Krugman), në një intervistë të tij ditë më parë. Për të, avokatët e shtrëngimit fiskal për reduktimin e borxhit publik janë austerianë ideologjikë që sëmundjen e këtij borxhi tentojnë ta kurojnë me vetëvrasje ekonomike. Nisur dhe nga rishikimi reduktues i buxhetit për 6-mujorin e dytë, këtë reagim të Krugmanit duhet ta ketë parasysh dhe politika shqiptare, në mënyrë të veçantë ajo qeverisëse…
Receta e Merkelit
Një nga partizanet e masave shtrënguese në zonën euro është kancelarja Merkel (Angela Merkel) që shpreh, në thelb, preferencën gjermane për maturi e kujdes. Ajo, së bashku me Presidentin Sarkozi (Nicolas Sarkozy), në trajtimin e krizës ka mishëruar bindjen gjermane se rikthimi i besimit tek ekonomia dhe tregjet financiare në eurozonë duhet të mbështetet te reduktimi i deficitit buxhetor; mbi të gjitha, te ulja e normalizimi i kufijve të lejueshëm të borxhit publik. Por, votimet në Francë e Greqi apo vende të tjera të BE-së, përfshirë dhe votimet në disa lande gjermane, dëshmuan qartazi pakënaqësinë popullore në rritje ndaj masave shtrënguese. Madje, vota e dhënë ishte një votë kundër për qeveritë në këto vende. Me sa duket, nuk mund të vazhdohet për një kohë të gjatë me masa shtrënguese pa mirëkuptimin e gjerë popullor. Për më tepër, siç tregon praktika botërore, deficiti mund të rritet shpejt, por ai nuk mund të reduktohet me sukses në një kohë të shkurtër; sidomos pa të kuptuarit e njerëzve, mbështetjen e sakrificën prej tyre. Bile, kjo duket qartë, në dallimin e sjelljes popullore dhe politike ndaj krizës dhe masave shtrënguese në Greqi e Itali…
Megjithatë, është ende receta e Merkelit që mban të lidhura fijet e eurozonës. Bile, për të, problemi kryesor është shmangia e helenizimit brenda vendeve të këtij grupi. Sipas saj, duhet të zbatohen e mbështeten masat shtrënguese kudo në eurozonë, nisur dhe nga përvoja e hidhur e viteve 1920-1930 me tejshpenzime dhe hiperinflacion. Sidomos, ajo është kundër shpenzimeve me rritje të borxhit publik. Për të, kërkohet më tepër kurajë politike e kreativitet se sa miliarda euro shtesë, që zhbalancimet e mëdha të korrigjohen me shpejtësi, qoftë dhe në kurriz të kompaktit të rritjes ekonomike. Pak kohë më parë, Merkel, duke zbutur pak tonet, pohoi se ne nuk themi se të kursyerit i zgjidh të gjitha problemet, por nuk mund të shpenzohet më shumë se merret. Nuk mund të jetohet të gjithë kohën në këtë mënyrë. Këtë e di kushdo… Edhe Kryeministri Kameron (David Cameron), nisur nga rasti grek, ka planifikuar reduktim të thellë të buxhetit, më të madhin që prej Luftës së Dytë Botërore. Sidoqoftë, ndër zërat politikë më me peshë pro masave shtrënguese mbetet Merkel. Për të është i domosdoshëm pakti fiskal në garantimin e një disipline financiare. Ky pakt është pranuar nga 25 vende anëtare të BE-së, por Presidenti francez Holande (Francois Hollande), i sapo zgjedhur, kërkon të rishikohet ky pakt, për të përfshirë rritjen ekonomike, jo thjesht e vetëm recetën apo ilaçin e hidhur të Merkelit…
Krugmani kundër Merkelit
Parashikimet në bursa janë jo optimiste për euron, të paktën për një periudhë të shkurtër. Madje një shkëputje e Greqisë mund të tërheqë zvarrë vende të tjera të eurozonës, deri dhe rënien e monedhës së përbashkët. Prandaj, Krugmani është kundër masave shtrënguese, qoftë dhe në variantin më të zbutur. Sipas tij, shkurtimet e mëtejshme të buxhetit mund ta shtojnë dhimbjen financiare të shkaktuar nga reduktimi i investimeve private dhe i shpenzimeve publike. Po ashtu, edhe pse situatat në Greqi, Irlandë, Portugali, Spanjë apo Itali kanë specifikat e tyre, ka diçka që është e njëjtë për të këta vende apo vende të tjerë të eurozonës. Duke pasur si monedhë të përbashkët euron, ato janë të privuara nga monedhat e veta kombëtare. Çdo vend i tillë nuk ka një bankë të mirëfilltë përgjegjëse për politikën monetare, për të manipuluar me të. Në fakt, një institucion i tillë do të ndihmonte në reduktimin e pakësimin e dhimbjes nëpërmjet zhvlerësimit të monedhës dhe shtypjes së parave të tepërta. Kështu, nxitet deflacioni në ekonomi për të rifituar konkurrencën apo kompetivitetin e humbur. Deri tani, për një vend të eurozonës në situatë kritike financiare, në pamundësi të një operacioni të tillë, është dhënë ndihmë nga jashtë apo është kërkuar shpëtimi te bail out-i përkatës. Në kushte të tilla, sipas Krugmanit, Banka Qendrore Europiane mund të ulë më tej normën e interesit për të inkurajuar inflacionin dhe blerë më tepër bonde qeveritare. Pikëpamje të ngjashme ka shprehur sot, në rrethin e Presidentit Obama, edhe Samers (Lawrence Summers). Ai, duke shfrytëzuar të dhënat e FMN-së, ka arritur në përfundimin se për një kërkesë të dobët dhe norma interesi afërsisht zero, një zvogëlim prej 1% në raportin e shpenzimeve ndaj GDP-së e redukton rritjen ekonomike me gati 1.5 %. Bile, masat shtrënguese në nivel kombëtar janë kundërproduktive edhe në terma të vlerës së kreditimit. Po ashtu, kontraktimi fiskal redukton të ardhurat, duke kufizuar kapacitetin e pagimit të borxhit. Këtë gjë po e ndiejnë sot Kryeministri spanjoll Rajoi (Mariano Rajoy) dhe ai italian Monti (Mario Monti). Vetë Presidenti Holande, si ndjekës i Krugmanit dhe avokat i rritjes ekonomike, flet për shfrytëzim fondesh ekzistuese europiane apo për burime të tjera të ardhurash, që mund të gjenerohen nga eurobondet ose taksat e transaksioneve fiskale.
Një modifikim pozicioni
Për Holande, çelësi i kapërcimit të krizës duhet kërkuar te rritja ekonomike, jo te ashpërsimi financiar. Bile, së bashku me të, janë shtuar dhe zërat për një rishikim të strategjisë së shtrëngimit për të përfshirë, në radhë të parë, rritjen ekonomike dhe punësimin. Kjo bëhet akoma më e mprehtë në vlerësimin politik të situatës së sotme, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në Francë! Për më tepër, që në Greqi, në zgjedhjet e parakohshme u votuan dhe mund të votohen ato parti që janë kundër asfiksimit ekonomik të saj. Spanja, e zhytur në recesion, apo Italia e kanë të vështirë të marrin veten me reduktimet e ashpra buxhetore. Mbretëria e Bashkuar, pas shkurtimeve të fuqishme buxhetore, po futet përsëri në recesion. Situata të ngjashme ndeshen dhe në vende të tjera. Në kushte të tilla, Dragi (Mario Draghi), presidenti i Bankës Qendrore Europiane, ngul këmbë për një kompakt rritjeje. Ai flet sot për ndryshime strukturore dhe rritje konkurrence, që reduktimi i deficitit të balancohet me rritjen. Madje, kjo është dilema, ky është problemi me shumë të panjohura i zgjidhjes së krizës së borxhit. Këtu eurozona e ka humbur drejtpeshimin. Madje, sipas Krugmanit, edhe prej koktejit të masave drastike (me rritje taksash dhe shkurtim shpenzimesh në reduktimin e borxhit publik) të imponuara prej dyshes Merkel-Sarkozi. Pavarësisht që prej këtij tërmeti po rrafshohet Greqia, po tundet Italia, Portugalia etj., deri duke krijuar një paqartësi të vërtetë në eurozonë, në të ardhmen e Greqisë dhe të monedhës së përbashkët… Sidoqoftë, qëndrimi i ri francez ka modifikuar dhe pozicionin gjerman. Siç rezulton nga Der Spiegel, do të synohet që të zgjidhet kriza greke nëpërmjet një plani të ngjashëm me atë të zbatuar, pas bashkimit, në Gjermaninë Lindore. Sipas tij, hapa të rëndësishëm, krahas thellimit të procesit të privatizimit, duhet të jenë: zbatimi i rregullave më të thjeshta për investimet, krijimi i zonave të veçanta me lehtësim taksash dhe reduktim rregullash, disiplinimi i punësimit ose ristrukturimi i tregut të punës me reduktim klauzolash në mbrojtje të vendit të punës etj.
Krugman, Stiglic dhe Saks
Krugman, në analizën e tij, është influ
