E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pro apo kundër OSBE/ODIHR–it?

Që reforma zgjedhore bën pjesë në 12 rekomandimet kyçe të përcaktuara në Marrëveshjen e Nëntorit ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë, për t’iu hapur vendit tonë rruga drejt anëtarësimit në familjen europiane, kjo sigurisht që nuk mund të diskutohet. Por, edhe që prej kohësh është vlerësuar nga Brukseli si urgjente kjo reformë me profil politik, krahas asaj parlamentare, heqjes së imuniteteve dhe zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës me mbështetje të gjerë, kjo gjithashtu nuk mund të hidhet poshtë nga asnjëra palë për shkak të interesave të ngushta partiake dhe prirjeve bllokuese të tërë këtij procesi integrues. Aq më tepër, kur për amendimet, ndryshimet dhe shtesat e dispozitave përkatëse në Kodin tonë elektoral janë vendosur afate të ngushta në mënyrë të përsëritur.
Por, përse tani çdo gjë është kthyer në pikën fillestare? Më qartë, përse është kthyer papritmas dhe menjëherë në një pikë të tillë e gjithë reforma, kur në komisionin e ekspertëve nga të dyja partitë kryesore të mazhorancës dhe opozitës, deri para pak javësh nuk kishte munguar akordi për disa çështje specifike, ndërsa tani u prish konsensusi, së paku për katër prej tyre, nga pesë që po i afroheshin zgjidhjes? Për të mos mbetur te dilemat në këtë drejtim, mund të jetë e lehtë të flitet (ashtu siç dëgjohet dendurazi këto ditë) për mungesë vullneti politik nga njëra ose nga tjetra palë, apo mund të thuhet (ashtu siç shkruhet së fundmi në shtypin vendas) për trembje të zotit Berisha prej konsumimit të gjatë në pushtet dhe eksperiencave korruptive qeverisëse me zotin Meta, nga njëra anë. Ashtu sikurse për daljen në skenë të të dyja partive të reja të spektrit të djathtë dhe shfrytëzimit të kësaj situate prej zotit Rama, nga ana tjetër.
Veçse, vështirë të renditen këtu, pa ia lodhur lexuesit sytë dhe mendjen bashkë, lloj-lloj shkaqesh që përgojohen andej–këndej. Sa nga krahu i djathtë, po aq edhe nga ai i majtë, sa nga segmentet drejtvizore të politikës shqiptare, aq edhe nga nënsegmentet deviatore të saj, sa nga analistë me integritet profesional, aq edhe nga molloisës që tundin dyert e partive në kërkim të një strehe për vete. Ndërkohë që, akoma më e vështirë është t’u shkohet këtu deri në fund komenteve rreth shkaqeve reale, duke iu shmangur fjalorit politik të konsumuar me oreks të babëzitur. Prandaj, ndoshta është më mirë që në këto radhë të përqendrohemi vetëm te sebepi, i cili solli edhe në këtë drejtim stopimin ose bllokimin që i vë Shqipërisë në pikëpyetje ofrimin e statusit të shtetit kandidat për në Bashkimin Europian. A mund të shërbente ai për t’u bërë njëanshmërisht një piruetë aq plastike, sa të ndërpriste në çast tangon e nisur?
Ritmet e ngadalta dhe pengesat e stisura në dialogun bipartizan, për të hartuar dhe miratuar reformën zgjedhore, e detyruan faktorin ndërkombëtar monitorues që të vendoste afate të mëtejshme, për përmbushjen e kësaj reforme të vlerësuar si një nga kushtet më të rrepta dhe të ngutshme. Por, edhe ato nuk u respektuan nga njëra palë e bisedimeve, çka e detyroi Komisionerin për Zgjerimin e BE–së, Shtefan Fyle, të zbriste në Tiranë dhe të zhvillonte disa bisedime dypalëshe. Por, sikur të mos mjaftonin këto, i dërguari nga Brukseli u shfaq edhe në prani të tërë klasës politike që përfaqësohet në Kuvendin e Shqipërisë, për ta bërë edhe një herë tjetër të qartë rëndësinë e bërjes sa më shpejt të kësaj reforme, në mënyrë që të shmangej refuzimi i statusit dhe akuzat e ndërsjella brenda vendit tonë në kërkim të identifikimit të përgjegjësive konkrete për këtë refuzim serial.
Mirëpo, me gjithë premtimet dhe rrahjet e gjoksit që iu bënë me zë të lartë dhe me vrundulle të vrullshme Komisionerit Fyle në Tiranë, pas largimit të tij që këtej fluturuan edhe shpresat për një zgjidhje të shpejtë dhe premtuese për integrimin. Me sa u duk, në këtë fluturim iu hap Berishës dhe vartësve të tij një parashutë, që vazhdon ta mbajë në erë procesin integrues. Ishte thjesht një këshillë e ekspertëve të ODIHR–it, të cilët duke monitoruar veprimtarinë e Komisionit bipartizan për reformën zgjedhore u shprehën, se përdorimi në shkallë të gjerë i sistemit elektronik të numërimit të votave nuk mund të përjashtojë absolutisht mundësinë e manipulimit, të deformimit të programeve etj., se për aplikimin e këtij varianti gradualisht më i vlefshëm do të ishte zbatimi i një projekti-pilot etj.
Nuk po zgjatemi me debatet që shkaktoi ky lloj kontestimi, as edhe me sqarimet që bëri Zëdhënësi i ODIHR–it nga Varshava. E rëndësishme është të theksohet që vërejtjet për variantin elektronik nuk mund të përbënin barrierë, kur vetë Berisha që tre vjet më parë dhe sidomos për zgjedhjet e vitit të kaluar ka trumbetuar me të madhe vlerat e aplikimit të këtij sistemi. Aq më shumë vërejtjet e ekspertëve të ODIHR-it nuk mund të përbënin barrierë për bllokimin e gjithë reformës, përderisa opozita reflektoi shpejt dhe tregoi që ishte gati ta korrektonte pikëpamjen e saj, duke iu përmbajtur përcaktimit të aplikimit të një projekti-pilot.
Por, kjo nuk mund të fshijë nevojën dhe mundësinë e funksionimit nëpër qendrat zgjedhore të pajisjeve elektronike që mund të garantojnë vërtetësinë e elementeve të sigurisë së kartave identifikuese të zgjedhësve. Nuk mund të fshijë nga drafti i reformës edhe çështje të tjera për mjedisin elektoral, i cili ka qenë deri tani i polarizuar mjaft, aq sa Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2011 e cilësonte shprehimisht: “të karakterizuar nga incidente me mashtrime dhe një numërim kontravers i votave”, çka “ka minuar të drejtën e qytetarëve për të ndryshuar lirshëm qeverisjen”. Gjithëkaq, nuk mund të fshinte nga drafti sidomos çështjen e rikompozimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Për ilustrim të përvojës së hidhur të përftuar prej funksionimit të politizuar të tij, mjafton t’i referohemi përsëri Raportit të DASH, (citoj): “Vendimi i KQZ për të rrëzuar rezultatin fillestar në garën për kryebashkiak në Tiranë u perceptua gjerësisht si një vendim partizan dhe minoi besimin te pavarësia dhe paanshmëria e KQZ–së”.
Por, le të qëndrojmë te OSBE/ODIHR–i. Ishte Raporti i tij, që krahas shumë problemeve të ngritura, bënte vërejtje të shumta për funksionimin e KQZ–së në trajtimin e çështjeve–objekt shqyrtimi. Duke e shfletuar atë, midis të tjerash, mund të citojmë: “Fakti që anëtarët e KQZ–së së propozuar nga shumica u zgjodhën që të numëronin direkt disa (dhe jo të gjitha) fletë të hedhura gabim, në mënyrë jokonsensuale, pas njohjes së rezultateve paraprake dhe pa marrë një vendim që mund të ishte ankimuar në Kolegjin Zgjedhor, krijoi perceptimin se ata po vepronin në favor të shumicës qeverisëse”. Dhe, le të kujtojmë që nëpërmjet këtij Raporti, OSBE/ODIHR-i rekomandoi për herë të parë rishqyrtimin e formulës për përbërjen e këtij organi qendror të administrimit elektoral, “me qëllim për të rritur besimin në pavarësinë e tij dhe zbatimin e paanshëm të Kodit Zgjedhor nga ana e tij”.
Megjithatë, liderit të mazhorancës, Sali Berisha, këto ditë nuk i del as një megafon i madh jo vetëm në Parlament, por edhe në tryezat me aleatët, në intervistat televizive, apo në mbledhjet e forumeve të komanduara prej tij, për t’i mbushur mendjen publikut që është opozita bllokuese e integrimit dhe jo ai, se ai vetë na qenka pro OSBE/ODIHR-it, por opozita na e ngritka çështjen e reformës zgjedhore si ultimatum për të bllokuar zgjedhjen e Presidentit të Republikës etj., duke dashur kështu të mbulojë synimet e mbrapshta në interes të përjetësimit të pushtetit personal të pakufizuar dhe instalimit përfundimisht të neodiktaturës së projektuar nga ai vetë. Dhe, nëse këto kohë ndjen rrezikun e shpërbërjes (qoftë edhe hipotetike) të mazhorancës së udhëhequr prej tij, sikurse edhe mundësinë e shpërbërjes së Parlamentit prej moszgjedhjes konsensuale të Kreut të Shtetit gjatë pesë votimeve të parashkuara për këtë qëllim nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, atëherë le të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme si zakonisht te ne, nën ritmet e zakonshme të manipulimeve dhe grabitjeve të votës vetjake, të barabartë, të lirë dhe të fshehtë të qytetarëve të këtij vendi (?!).
Por, le të mos ndalemi këtu, sepse qëllimi i këtij artikulli ishte vetëm për t’i dhënë një përgjigje pyetjes së vënë në titullin e tij. Domethënë: Vërtet është Sali Berisha pro OSBE/ODIHR–it, apo haptazi kundër tij?

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›