Shtrenjtimi i naftës nuk di të ndalur
Çmimet e naftës së papërpunuar të mërkurën në tregun e Londrës kanë arritur në 110 dollarë për barel, për shkak të trazirave në Libi, të cilat kanë ngritur shqetësimet për përhapjen e protestave edhe në vendet tjera prodhuese të naftës dhe reduktimin eventual të dërgesave.
Një barel naftë për dërgesat e prillit ka arritur shkallën prej 110,22 dollarësh, duke u shtrenjtuar për 4,46 dollarë më shumë se dje. Për një kohë të shkurtë çmimi i naftës ka arritur vlerën më të lartë prej 110,26 dollarësh, e cila për herë të fundit ishte regjistruar në gjysmën e parë të shtatorit 2008.
Sipas medieve amerikane, prodhimtaria në Libi ka shënuar rënie për 300 deri në 400 mijë barelë. Ky është reduktimi i parë i ndërlidhur me protestat në Afrikën Veriore dhe Lindjen e Afërt.
“Nëse mbetemi pa prodhimin libian, atëherë nevojitet të kompensohen rreth 1,6 milion barel në ditë, që do të shkaktonte pasoja për logjistikën dhe do të kishte çmim të caktuar”, ka thënë analisti i “Credit Agricol”, Kristof Barret.