Ka pasur shkelje të kushtetutës, sipas shoqërisë civile
Nëntëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile përmes një komunikate për media kanë shprehur shqetësimin e thellë për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjes së presidentit të Kosovës dje në seancën e Kuvendit të Kosovës dhe kanë kërkuar që kjo çështje të procedohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.
Këto organizata konsiderojnë se procesi i zgjedhjes së presidentit u shoqërua me shkelje të dispozitave kushtetuese, ligjore dhe të Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës, si dhe presion ndaj deputetëve të pranishëm në seancë.
“Po ashtu jemi të shqetësuar lidhur me fenomenin e “pauzës” të dhënë para raundit të tretë zgjedhor, sa për shkak të imponimit të saj duke shkelur Rregulloren e Punës së Kuvendit aq edhe për zhvillimet që ndodhën gjatë asaj kohe. Jemi të shokuar me faktin se kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi (në atë moment edhe u.d. i Presidentit), shprehu publikisht frikën se “pauza” do të shfrytëzohet për të ushtruar presion ndaj deputetëve që të ndryshojnë deklarimin karshi kandidatit për president. Ndërrimi i qëndrimit të disa deputetëve në raundin e tretë konfirmon shqetësimet e Krasniqit dhe tregon për një atmosferë ndërhyrjeje që bie ndesh me mandatin e përfaqësuesve të zgjedhur të popullit dhe parimet elementare demokratike”, thuhet në reagim.
Organizatat e shoqërisë civile kërkon që çështja e zgjedhjes së presidentit të procedohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, si autoritet vendimtar për interpretim të Kushtetutës, në mënyrë që të mos vihet në dyshim legjitimiteti i institucioneve të dala nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, me theks të veçantë procesi i zgjedhjes së presidenti.
Organizatat që kanë reaguar ndaj mënyrës së zgjedhjes së presidentit janë KDI, QPA, IPOL, INPO, KIPRED, GAP, Lëvizja FOL, KPJ, KCSF, YIHR, Rrjeti i Grave të Kosovës, CBM, KUSA, Syri i Vizionit, Civil Rights Defenders, FIQ, ATRC, PIPS dhe ÇELNAJA.