E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtrigat e Salemit premiere ne Teatrin Kombetar

Janë veprat  dhe dramaturgët e mëdhenj ata që sjellin suksesin në skenën shqiptare te Teatrit Kombëtar. Kjo ndodhi te enjten ne mbrëmje më premierën “Shtrigat e Salemit”. Drama e Artur Miller erdhi me regji të Spiro Dunit dhe  mbushi si asnjëherë tjetër sallën e teatrit. 13 artistë të njohur u ngjitën në skenë, por ashtu si me “Pamje nga ura” Timo Flloko shkëlqeu sërish, këtë herë në rolin e Xhon Proktor.

"Ruaj rezerva, shfaqja nuk mbaron në premiera ajo zhvillohet dhe përsoset më tej në shfaqet e ardhshme. Mendoj se spektatori e mirëpriti sot dhe pse një spektator i përzgjedhur, madje dhe i vështirë sepse ke të bësh me profesionistë", u shpreh aktori Timo Flloko.

"Nuk kisha asnjë nga njerëzit më të afërt, prapë se prapë mendova se do isha shumë e mërzitur por publiku më dhuroi shumë, kështu që kompensohet në një farë mënyre", tha Eva Alikaj, aktore. "Besoj se bëmë një punë që ishalla ti krijojë impaktin emocional, ti largojë njerëzit", tha regjisori Spiro Duni.

“Shtrigat e Salemit" solli në teatrin shqiptar atmosferën e shekullit të  17- të. Mashtimi i  shoqërisë dhe  historia tragjike e një individividi tingëllojnë ende aktuale. Koncepti regjisorial kishte respektuar një teatër në versionin klasik. Krahas Fllokos e Alikaj në role spikatën  Elia Zaharia, Fatos Sela, Vasian Lami e  Drita Pelinku. Duartrokitjet e gjata të publikut nuk i zbehu as shkëputja e paparitur e energjisë elektrike e cila la për disa sekonda të gjithë teatrin në errësirë. Nga e enjtja “Shtrigat e Salemit” do të shfaqet për disa fundjava në Teatrin Kombëtar.

Aurela Papadhima

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›