E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhen procedurat për aplikimet e part-time

28/10/2009  Në total për të gjitha universitetet janë propozuar rreth 3 mijë kuota pranimi

Çelja e aplikimeve për regjistrimin e kandidatëve për ndjekjen e studimeve në sistemin part-time shtyhet për javët e ardhshëm, por ende nuk dihet data e saktë e dorëzimit të kërkesave. Gjithçka pritet të vendoset pasi qeveria të miratojë projektvendimin, në të cilin përcaktohen kuotat e pranimeve dhe tarifat e regjistrimit për secilin program publik. Fakultetet tashmë i kanë dorëzuar propozimet për kuotat e pranimeve në Ministrinë e Arsimit, institucion që pas kalimit të tyre në qeveri për miratim do të dërgojë në fakultet udhëzimin mbi procedurat dhe afatet e pranimit (procedurë e cila, sipas afateve të përcaktuara, duhej të ishte kryer). Burime pranë Ministrisë së Arsimit bëjnë të ditur se në total për këtë vit akademik në të gjitha universitetet publike të vendit do të ofrohen rreth 3 mijë kuota për pranimet me kohë të pjesshme. Pjesa dërrmuese e këtyre kuotave u përkasin fakulteteve përbërëse të Universitetit të Tiranës. Për degën e biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës do të ketë hyrje të palimituar.

Pranimi

Kandidatët e interesuar për këtë cikël studimesh fillimisht duhet të paraqesin pranë çdo fakulteti dosjen e dokumenteve të kërkuara. Në bazë të dokumenteve që përmban dosja do të bëhet selektimi i personave fitues, sipas kuotave që do të miratojë qeveria për secilin fakultetet. Për të gjitha rastet kur fluksi i kërkesave do të jetë më i lartë sesa numri i kuotave të miratuara, do të përdoren kritere përzgjedhëse, siç është mesatarja. Megjithatë, është vendosur që prioritet në këtë cikël studimesh do të kenë personat që nuk kanë arritur të sigurojnë një degë gjatë aplikimeve për sistemin e ditës. Ndërkohë nuk do të lejohet të konkurrojnë për ciklin e parë të studimeve me kohë të pjesshme personat që kanë mbaruar një fakultet. Këta të fundit do të kenë në dispozicion kuota të caktuara, që specifikohen si pranime për fakultetet të dyta.

Kërkesa

Për regjistrimin kandidati duhet të paraqesë përveç kërkesës për degën e caktuar edhe fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme apo fotokopje të noterizuar të diplomës së shkollës së lartë, si dhe fotokopje të noterizuar të listës së notave me fotografi, kur nuk kanë dëftesën dhe diplomën origjinale. Për kandidatët që kanë mbaruar shkollën e mesme jashtë shtetit dëftesa e shkollës së mesme duhet të jetë e përkthyer në shqip dhe e noterizuar, e njohur dhe e ekuivalentuar nga degët e shkollave të larta.

Kuotat

Propozimet e kuotave për ciklin e parë të studimit në sistemin me kohë të plotë për vitin akademik 2009-2010 sipas fakulteteve të UT-së përmbledhin në total rreth 1590 kuota pranimi sipas të gjitha programeve. Ndërsa për të gjitha universitetet publike në vend bëhet e ditur se për këtë vit janë propozuar nga vetë universitetet rreth 3 mijë kuota.

Ndarja

Drejtuesit e universitetit të Tiranës kanë propozuar në rreth 1590 kuota pranimi. Konkretisht janë propozuar 200 kuota për Fakultetin Ekonomik, 450 kuota për Fakultetin e Histori-Filologjisë, 400 kuota për Fakultetin e Drejtësisë, 300 kuota të tjera për Fakultetin e Infermierisë si dhe 240 vende pranimi sipas degëve për Fakultetin e Shkencave Sociale.

Dokumentet

Në rastet kur kandidati nuk zotëron dëftesën origjinale të pjekurisë, rektoratet e shkollave të larta lejojnë regjistrimin e tij me vërtetimin e notave. Por vërtetimi duhet të jetë origjinal, me fotografi të vulosur, i lëshuar nga drejtori i shkollës së mesme dhe i legalizuar nga kreu i drejtorisë arsimore rajonale apo zyrës arsimore përkatëse.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›