E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shteti në funksion të pasurimit të familjes”

27/10/2009  Deklarata e Braçes

Partia Socialiste e cilësoi si skandal shtetëror përplasjen mes Policisë së Shtetit dhe asaj Tatimore në dyert e rafinerisë së ARMO-s. Përmes një deklarate për shtyp deputeti Erion Braçe deklaroi se gjithçka është pasojë e luftës së klaneve brenda familjes në pushtet. “Përplasja dje e dy agjencive ligjzbatuese në dyert e një biznesi privat tregon nivelin më të lartë të kapjes së shtetit shqiptar nga interesat e familjes. Ligji është shpallur i padobishëm për këtë vend, sepse ai pengon familjen të përmbushë interesat e saj”, - vuri në dukje Braçe gjatë fjalës së tij. Njëkohësisht deputeti socialist akuzoi ministrat Basha e Bode se po mbajnë peng sigurinë e qytetarëve dhe bizneseve me përplasje të tilla dhe ndërkohë u kërkoi atyre të japin sqarime publike lidhur me pozicionin e tyre në këtë ngjarje. Sipas tij, Partia Socialiste shprehet e bindur për të zbardhur çdo detaj të asaj që ajo e quan “skandal shtetëror”. “Ngjarja është një sinjal i vazhdueshëm rreziku për çdo qytetar shqiptar, për çdo biznes të ligjshëm, i cili sot ndihet i pabarabartë, i konkurruar padrejtësisht, i dhunuar prej korrupsionit qeveritar, i luftuar nga shteti që paguan me taksat e tij, luftë që buron nga interesat e familjes”, - theksoi Braçe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›