E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet ceremonia FSHF s’e dorëzon trofen në Vlorë!

SHKRUAN: Jeton Selimi 16-05-2011 11:36

Do të jetë një rast i paprecedent nëse konfirmimi i djeshëm nga ana e FSHF-së do të bëhej realitet. Sipas të gjitha gjasave, federata do ta shmangë kurorëzimin e skuadrës kampione në fushën e lojës, menjëherë sapo të gjyqtari të vërshëllejë tre herë dyke sinjalizuar fundin e ndeshjes dhe të krejt sezonit. Në fakt, më shumë sesa fushës, federata u druhet tifozëve vlonjatë, që në një farë mënyre mund të hakmerren për atë që ata e cilësojnë si një “titull të vjedhur”. Janë të shumtë ata që mendojnë se Flamurtari ishte ekipi më i mirë i kampionatit, sikundër janë të shumtë edhe ata që mendojnë se Skënderbeu u tregua më cinik dhe racional, por debati mes palëve nuk u kufizua vetëm në fushat e lojës apo ambientet sportive. Kufijtë u thyen edhe nëpërmjet akuzave ndaj përfshirjes së politikës në superligë për shkak të zgjedhjeve vendore që u zhvilluan fundjavën e shkuar dhe, ku vlonjatët akuzuan me tone të larta se investimet te Skënderbeu janë bërë vetëm për çështje votash. Por kjo akuzë është mohuar me forcë nga bardhekuqtë, që akuzën vlonjate e shohin vetëm si justifikim për të shpjeguar dështimin në luftën për titull. Mes këtyre fronteve, qëndron FSHF, e akuzuar jo vetëm nga Flamurtari, por edhe nga skuadra të tjera (Besa së fundmi) se është bërë palë me ekipe të caktuara.

Vlonjatët akuzojnë për një sërë pikësh të lëna nëpër transferta vetëm nëpërmjet urdhrave të federatës, që u zbatuam rëndom nga gjyqtarët. Në disa ndeshje tensioni ka arritur kulmin dhe nuk kanë munguar as protestat vlonjate në kryqeytet kundër presidentit Duka. Madje, këta të fundit kanë kërkuar që të “zaptojnë” edhe godinën e FSHF-së përpara se disiplinori të mos u jepte kuqezinjve pikët në tavolinë në ndeshjen me Laçin. Parë këto kushte, por edhe situata të tjera tensiomini që kanë shoqëruar kampionatin, sidomos në fazën e tretë, krerët e FSHF-së kanë vendosur që ta driblojnë ceremoninë e kurorëzimit të kampionit në fushën e lojës, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes Flamurtari-Skënderbeu dhe, ta kurorëzojnë një ditë më pas në Korçë kampionin e ri të Shqipërisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›