Filmat e censuruar iranianë në festivalin e Kanës
Festivali i Filmit në Kanë është hapur më 11 maj dhe do të zgjasë deri më 22 maj. Janë 20 filma në garën kryesore. Këtë edicion dyert janë hapur edhe për kinemanë e censuruar iraniane. Dy regjisorë iranianë, Jafar Panahi dhe Mohammad Rasoulof, të dënuar nga gjykatat e shtetit islamik të Iranit, do të jenë të pranishëm në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kanë, me filmat e tyre që u shfaqën të premten dhe të shtunën mbrëma në festival. Panahi aktualisht vuan dënimin me 6 vjet burg. Atij i është hequr e drejta e prodhimit të filmave në vendlindje për një periudhë 20-vjeçare. Por kjo e ka rritur reputacionin e tij jashtë kufijve të Iranit. Në vitin 2005 atij i jepet Ariu i Argjendtë në Festivalin e Berlinit, për filmin “Offside”. Panahi sivjet u prezantua në Festivalin e Kanës në kategorinë speciale me filmin “Ky nuk është një film”, që duket se është një lloj autobiografie, pasi filmi flet për kohën kur atij iu ndalua që të prodhonte filma. Ndërsa regjisori tjetër iranian Mohammad Rasoulof (edhe ky vuan dënimin në burgjet iraniane) u prezantua me filmin “Good Bye”, që u shfaq të shtunën. Filmi it tij flet për një avokat të ri nga Teherani, i cili kërkon një vizë për t’u larguar nga Irani, në situatë të ngjashme ka qenë edhe regjisori Rasoulof para arrestimit. “Realiteti i të qenit gjallë dhe ëndrra e mbajtjes gjallë të kinematografisë na kanë mbajtur gjallë shpresat që t’i tejkalojmë pengesat në kinemanë iraniane”, shkruan Panahi në një letër dërguar Festivalit të Kanës, që u lexua edhe para shfaqjes së filmit të tij. Të dy filmat e regjisorëve iranianë janë prodhuar fshehurazi. Shteti iranian përmes ministrit të Kulturës, Mohammad Hosseini, e ka akuzuar festivalin e Kanës se prezanton para publikut filma politikë iranianë që i takojnë opozitës. Në ditën e tretë të festivalit të Kanës ende vazhdojnë komentet mbi filmat e shfaqur dy netët e para, ku sidomos diskutohet mbi filmin “Mesnatë në Paris” e regjisorit Woody Allen, që e hapi edicionin e 64-të të këtij festivali. Është diskutuar shumë mungesa e Karla Brunit, bashkëshortes së presidentit francez Nicholas Sarkozy, e cila ka një rol të vogël në filmin e Woody Allen. Kana këtë vit po shndrit në krejt bukurinë e vet, të pasuruar me praninë e shumë yjeve botërore të kinematografisë, ku vërehet në radhë të parë prania e aktorit amerikan Robert de Niro, që këtë vit e kryeson jurinë e festivalit.