E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet gjyqi për video-përgjimin Meta-Prifti

TIRANE- Treshja e eskpertëve shqiptarë Ardian Pollo, Artur Rrahmani dhe Ermal Beqiri do të dëgjoheshin sot në Gjykatën e Lartë në procesin ndaj ish-numrit dy të qeverisë shqiptare, Ilir Meta, ndaj të cilit rëndon akuza e “korrupsionit aktiv”, por gjyqi është shtyrë për të hënën e javës tjetër.

Ekspertëve iu lanë 18 detyra në një afat 30 ditor për të thënë fjalën e tyre nëse videoja ‘Meta-Prifti’ është ose jo autentike.

Fjala e tre ekspertëve shqiptarë që kanë ekzaminuar orën-kamera, kompjuterin lap-top dhe një USB, ku gjendet videoja, pritet të jetë vendimtare për dosjen “Meta”.

Ky ekspertim është i dyti pasi Kolegji Penal e konsideroi të pavlefshëm ekspertimin e një eksperti amerikan “i pajtuar” nga Prokuroria, i cili arriti në konkluzionin se videoja është origjinale, pra e pamontuar sikurse pretendon pala e pandehur.

Ekspertiza u shpall e pavlefshme, pasi Kolegji Penal pretendoi për shkelje procedure gjatë emërimit të ekspertit amerikan.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›