Shtyhet kalendari, Superiorja kthehet pas dy javësh në fushë
Ndeshjet e pazhvilluara në Korçë kanë detyruar Federatën Shqiptare të Futbollit që të shtyjë përcaktimin e kalendarit të Kategorisë Superiore për fazën e tretë. Më parë është e domosdoshme që Skënderbeu të luajë me Teutën dhe Shkumbinin, pasi vetëm me rezultatet e këtyre dy takimeve do të vendoset klasifikimi i saktë i skuadrave elitare në përfundim të fazës së dytë. Renditja në tabelë është e rëndësishme, pasi në bazë të pozicionit që ka secila skuadër përcaktohen sfidat për 11 javët e mbetura të kampionatit, në edicionin 2009-2010. Kjo është arsyeja, përse Komiteti Ekzekutiv në institucionin që drejton futbollin në vend vendosi që fillimi i fazës së tretë të shtyhet me një javë. Ndryshe nga sa ishte parashikuar, java e 23 e Superiores nuk do të luhet më 27 shkurt, por më 7 mars. Në këtë mënyrë, skuadrat elitare do të kenë dy javë kohë në dispozicion për t’u përgatitur për “sprintin final” të sezonit. Ndërkohë, kampionati do të ngjishet në muajin prill, me një ndeshje që do të luhet të mërkurën, më datë 14. Në këtë mënyrë, skuadrat e aktivitetit më të rëndësishëm do të zbresin tri herë në fushë në harkun e shtatë ditëve: ndeshjet e javëve 28, 29 dhe 30 do të luhen në datat 10, 14 dhe 17 prill.
Ndeshjet e prapambetura të futbollit shqiptar do të nisin me Kupën e Shqipërisë. Të mërkurën,Tirana dhe Besa do të luajnë normalisht çerekfinalen e kthimit në trofeun e dytë për nga rëndësia në vend, ndërsa Shkumbini dhe Dinamo do të zhvillojnë sfidën e parë, e cila u shty për shkak të terrenit shumë të keq në Peqin. Sporti më popullor do të ofrojë një tjetër ndeshje të enjten: bëhet fjalë për sfidën Skënderbeu-Teuta, e vlefshme për javën e 20 të Kategorisë Superiore. Të dielën do të luhen dy ndeshje të tjera, sfida e kampionatit Skënderbeu-Shkumbini dhe ndeshja e parë çerekfinale e Kupës në Grupin B, ndërmjet Gramozit dhe Teutës, e cila u ndërpre më 10 shkurt. Në atë rast, dy skuadrat luajtën për afro 30 minuta në fushën e Ersekës, por kushtet atmosferike dhe terreni i papërshtatshëm për një takim futbolli, e detyruan gjyqtarin që t’i dërgonte ekipet në dhomat e zhveshjes. Sipas vendimit të Ekzekutivit, më 10 mars, vetëm tri ditë pas fillimit të fazës së tretë të kampionatit, gjashtë klube elitare do të luajnë në tri sfidat e mbetura të kthimit në Kupën e Shqipërisë. Në Grupin A, Dinamo do të presë në shtëpi Shkumbinin, ndërsa në Grupin B, Vllaznia luan me Skënderbeun, pas barazimit 0-0 në Korçë, ndërsa Gramozi udhëton drejt Durrësit për përballjen me Teutën.
#