Kastrioti kërcënon me bojkot
Edhe pse në media është konsideruar si një protagonist i ndërprerjes në minutën e 89’ të ndeshjes së të dielës ndaj Flamurtarit, Kastrioti 24 orë më pas pretendon se bëhet fjalë për dezinformim publik dhe se është ai “viktima” e një vendimi të padrejtë të gjyqtarit. Më pas kërcënon se, nëse organet përkatëse në FSHF do të gjykojnë në mënyrë të njëanshme provat filmike të vëna në dispozicion, atëherë do të ndërmarrë një hap të papëlqyeshëm, por të detyruar: Tërheqjen nga kampionati. Ky është reagimi i presidentit të krutanëve, Artan Djala. Numri një i Kastriotit ka zbritur dje në FSHF, ku ka takuar presidentin Armando Duka dhe shefin e garave, Ilir Shulku, për të sqaruar situatën, e cila, sipas tij është krijuar e bazuar në spekulime. “Ne nuk e kemi braktisur ndeshjen, është shprehur Djala. Problemi ynë ka të bëjë me një dezinformim publik rreth kësaj çështjeje. Ne nuk e kemi lënë për asnjë moment fushën e lojës. Thjesht kemi protestuar për gjykimin. Protesta ndodhin edhe në botë, jo më këtu me këta rrugaçë arbitra”. Por në fund të referimit të tij, e konsideron të drejtë reagimin e skuadrës pas vendimit komprometues të gjyqtarit Sokol Jareci, për dhënien e penalltisë së paqenë në favor të Flamurtarit. Sipas tij irritimi vjen pas disa humbjesh, të cilat kanë ardhur për shkak të një gjykimi skandaloz. Ndërsa sa i përket episodit të së dielës, ai fajëson vetë gjyqtarin, i cili, sipas Djalës nuk u tregua korrekt, dhe vendosi në mënyrë të çuditshme ta ndërpresë ndeshjen. “Normal që jemi të pakënaqur me gjykimin. Nga vendimet skandaloze të gjyqtarëve në këto javë të fundit, kemi humbur disa ndeshje, por dhënia e një penalltie të padrejtë në dëmin tonë, ishte vetëm fundi. Nuk mund ta pranojmë një gjë të tillë, pasi kemi investuar 350 milionë lekë dhe nuk lejojmë askënd të tallet me investimin tonë. Pas vendimit të Jarecit për penallti në favor të Flamurtarit, në një aksion që duhej të ishte një faull për ne, nisëm protestën. Na është bërë një kërkesë momentale nga Jareci dhe ne kemi thënë se duam të protestojmë. Në të gjithë botën ka protesta dhe kohëzgjatja është e ndryshme. Po ai nuk na la kohë. Ne nuk kishim ndërmend ta braktisnim ndeshjen. Maksimumi që do të bënim, ishte të kontaktonim me instancat më të larta të FSHF-së për këto padrejtësi që po na bëhen dhe më pas, siç ndodh në këto raste, do të rreshtoja skuadrën në qendër të fushës, portierin në portë dhe atëherë le të ekzekutohej penalltia. Por Jareci, pa respektuar rregulloren, në bazë të së cilës, duhej të vinte të konsultohej me ne së bashku me gjyqtarin e katërt dhe delegatët e FSHF-së, i ra bilbilit për përfundimin e ndeshjes, në një moment që në fushë ishte ende policia”. Më pas ai bën publike kërkesat e tij në takimin me Duken e Shulkun. “Sot pata një takim të shkurtër me Dukën, të cilin e informova për situatën, pohoi presidenti Djala. I kemi vënë në dispozicion FSHF-së kasetën e ndeshjes, ku duket qartë ajo që thashë. Nëse një lojtar i Kastriotit ka dalë nga fusha, unë do të pranoj çdo lloj vendimi. Pasi të verifikohen provat filmike, uroj të ketë një vendim të njëanshëm, në të kundërt, ne do të tërhiqemi nga kampionati”, nënvizoi Djala, i cili nuk është aspak dakord as për dhënie fitoreje në tavolinë apo heqje pikësh në renditje.
#