E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtyhet me EULEX

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar se Qeveria dhe EULEX’i janë në një linjë, për sa u përket hyrjes së zyrtarëve serbë në Kosovë.

Sipas tij, funksionarëve të Beogradit nuk do t’iu lejohet hyrja në Kosovë, nëse ata nuk marrin paraprakisht autorizim nga institucionet vendase.

“Ka qenë një sfidë ditëve të fundit dhe një sfidë që na ka bërë të përgatitur më mirë. Tani jemi plotësisht të koordinuar dhe kemi garanci të EULEX’it që hyrjet e tilla do të ndalohen pa pëlqimin e institucioneve të Kosovës”, ka thënë Kuçi, të mërkurën, pas mbledhjes së Qeverisë.

Zyrtarët serbë asnjëherë nuk i kanë respektuar procedurat e hyrjes në territorin e Kosovës. Ata, pa lejen adekuate, kanë vizituar vendbanimet serbe dhe kanë bërë deklarata në kundërshtim me rendin kushtetues. Kulmi ishte vizita e ish-Kryeministrit serb, Vojislav Kostunica, i cili të dielën, me turpërojë të armatosur, vizitoi Veriun e Kosovës.

Pas insistimit të Qeverisë së Kosovës, misioni europian për rend dhe ligj, EULEX, njoftoi të martën se zyrtarët serbë do të dëbohen nga Kosova, nëse nuk marrin autorizim paraprakisht.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi përshëndeti vendimin e EULEX’it.

Sipas tij, zyrtarët serbë po sillen si në kohën e Milosevicit.

“Synimet e Serbisë kanë qenë dhe mbeten deri në shkallë të spastrimit etnik, deri në shkallë të zhbërjes së shtetit të Kosovës, por këto politika nuk do të jenë të suksesshme as tash, as në të ardhmen”, ka thënë Kuçi.

Por, deklarimet e europianëve dhe kosovarëve nuk merren seriozisht në Beograd.

Sekretari Shtetëror në Ministrinë e Serbisë për Kosovën, Oliver Ivanovic, ka thënë se EULEX’i nuk ka mandat të ndalojë vizitat e paparalajmëruara të zyrtarëve serbë në Kosovë.

“EULEX’i duhet të luftojë kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar dhe në këtë kuadër të jetë më aktiv”, ka thënë ai.

“Zyrtarët serbë mund të vijnë në Kosovë dhe këtë nuk e ndalon asnjë nen i ligjeve kosovare”, ka thënë Ivanovic.

Ndërkaq Shefi i Oliver Ivanovicit, Ministri për Kosovën, Goran Bogdanovic, ka shkuar edhe më larg, duke thënë se bashkëpunimi mes Beogradit dhe EULEX’it është vënë në pikëpyetje pas vendimit të fundit të misionit europian.

“Është e qartë se EULEX’i me këtë hap është vënë në anën e Prishtinës duke marrë rolin e avokatit të secesionistëve duke shkelur Rezolutën 1244 të KS të OKB’së”, ka thënë Bogdanovic.

“Durimi ynë dhe konstruktiviteti që kemi treguar ka kufijtë e vet”, ka shtuar ai.

Ministri serb ka thënë se EULEX’i me këtë rast ka shkelur neutralitetin për të cilën obligohet në bazë të mandatit të misionit.

“Kërkoj nga EULEX’i që të heqë një vendim të tillë, sepse, siç e thashë, me këtë vihen në pikëpyetje raportet dhe bashkëpunimi ynë”.

Vendime për liberalizim vizash

Qeveria i ka hapur të mërkurën rrugë fillimit të prodhimit të pasaportave biometrike, si njëri ndër kushtet për liberalizim të vizave.

Kabineti qeveritar ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për dokumentet e udhëtimit.

Kostoja buxhetore e projektligjit vlerësohet të jetë prej 7 milionë eurosh.
Përveç këtij vendimi, kabineti qeveritar miratoi edhe Strategjinë për riintegrimin e personave të riatdhesuar, si kërkesë e Komisionit Europian e që ka të bëjë me liberalizimin e vizave.

“Që të dy pikat që u miratuan, janë pjesë e obligimeve tona për liberalizimin e vizave. Prandaj, ishte edhe rekomandim i ministrit Besim Beqaj që është duke zhvilluar takime të nivelit më të lartë në Bruksel, që të vazhdohet dhe procedohet Projektligji dhe Strategjia. I kuptojmë implikimet financiare, por edhe Ligji e Strategjia janë të domosdoshme”, ka thënë Kryeministri Thaçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›