E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtyhet seanca ndaj Metës dhe Kryemadhit në GJKKO. Ish-presidenti në kafazin prej xhami, avokati: E papranueshme. Gjyqtarja: I garantohen të gjitha të drejtat

Në Gjykatën e Posaçme është shtyrë seanca e parë e gjyqit në themel ndaj ish-Presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, si dhe tre të bashkëpandehurve të tjerë. Seanca e radhës është caktuar më 11 maj, në orën 12:00.

Ilir Meta ishte i pranishëm në sallën e gjyqit dhe qëndroi në kafazin prej xhami, ndërsa e pranishme ishte edhe Monika Kryemadhi. Gjatë seancës, avokati i Metës, Kujtim Cakrani, kërkoi që ish-presidenti të mos mbahej në këtë strukturë, por të ulej pranë mbrojtjes.

“Kërkoj që Meta të dalë nga kafazi dhe të ulet afër avokatit mbrojtës”, u shpreh Cakrani.

Nga ana tjetër, gjyqtarja Etleva Deda sqaroi se ligji garanton prezencën, të drejtën e fjalës dhe mbrojtjes, si dhe konsultimin me avokatin në kushte konfidenciale edhe brenda kabinës së xhamit. Sipas saj, kjo kabinë përmbush të gjitha kushtet ligjore dhe Metës i janë garantuar të drejtat procedurale.

Gjykata pranoi gjithashtu kërkesën e avokates së Fatime Kryemadhit për të marrë kohë lidhur me mënyrën e gjykimit që do të kërkojë, pasi mungonte edhe prokura e posaçme nga ana e saj.

Pas mbylljes së seancës, avokati i Metës, Kujtim Cakrani, reagoi ashpër ndaj vendosjes së ish-presidentit në kafazin prej xhami, duke e cilësuar masën të papranueshme. Po ashtu, ai kritikoi vendimin e gjykatës për moslejimin e transmetimit të seancës drejtpërdrejt, siç ishte kërkuar nga mbrojtja.

“Nuk e kuptoj dot gjykatën merr një vendim anktikushtetues dhe thotë që ne nuk do ta shfaqim publikisht këtë proces gjyqësor, kur vetë i pandehuri shfaq dëshirën. Presidenti i republikës mbyllur në një kafaz. Kjo është e papranueshme. Është e papranueshme që ti të mbash të mbyllur në kafaz presidentin e republikës. Këto sjellje bënte vetëm ISIS në Siri. Nuk di rast tjetër. Në Kosovë përfundoi një proces gjyqësor me burgim të përjetshëm dhe ai individ u gjykua gjatë gjithë procesit duke qëndruar në krah të avokatit të tij. Si mundet një president republike të qëndrojë i mbyllur në një kafaz? Më gjeni një rast tjetër. Është e papranueshme”, u shpreh avokati.

Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024. Dosja e njohur si “Meta” përfshin tre hetime të bashkuara: aferën CEZ-DIA, lobimin në SHBA dhe hetimin pasuror.

Sipas akuzës, Meta dhe Kryemadhi përballen me akuza për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›