Marrëveshje 6 miliardë $ për energjinë: Shqipëria synon të bëhet eksportuese neto brenda mandatit

Shqipëria i është bashkuar një marrëveshjeje të rëndësishme energjetike me SHBA-të dhe Greqinë, me një vlerë prej 6 miliardë dollarësh. Projekti parashikon një bashkëpunim 20-vjeçar për furnizimin e Europës Jugore me gaz të lëngshëm nga SHBA.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se objektivi është që Shqipëria të kthehet në eksportues neto të energjisë brenda këtij mandati. ”Sot energjia përcakton sigurinë tonë, fuqinë tonë ekonomike dhe ambicien për vendin që zë në rajon dhe në Europë. Të arrijmë që brenda këtij mandati të shndërrohemi në një vend eksportues neto të energjisë.”- tha Rama.
Rama kujtoi se jo shumë vite më parë, vendi përballej me mungesë të theksuar energjie, ku sfida kryesore ishte furnizimi për të mbajtur dritat ndezur gjatë gjithë ditës. Ai theksoi se në atë periudhë, sistemi energjetik karakterizohej nga keqmenaxhimi dhe abuzimi, ndërsa një pjesë e madhe e popullsisë mbante barrën e konsumit të pjesës tjetër.
Sipas tij, OSHEE ishte pranë falimentimit dhe mbështetej nga subvencionet shtetërore, ndërsa borxhi arrinte mbi 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
”Sot, energjia është kthyer në një element kyç për sigurinë kombëtare, zhvillimin ekonomik dhe rolin e Shqipërisë në rajon dhe në Europë.”- shtoi Rama. Ai nënvizoi se partneriteti me SHBA-të mbetet thelbësor në këtë rrugëtim, duke u bazuar në angazhimin e përbashkët për forcimin e sigurisë energjetike.