Shtyhet vizita e Presidentit të Hondurasit në Kosovë
Presidenti i Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa nuk do të vijë për vizitë në Kosovë më 10 gusht, siç kishte paralajmëruar kabineti i Zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli.
Për shkak të çështjeve të brendshme në shtetin e Hondurasit, kreu i këtij vendi e ka njoftuar Pacollin se vizita e tij në Kosovë do të realizohet më 1 shtator.
Sipas një njoftimi për media, gjatë vizitës në Prishtinë, Presidentin Lobo Sosa do ta presin në takime të veçanta autoritetet më të larta shtetërore të Kosovës, si dhe do të nënshkruhen disa marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Presidentit të Hondurasit dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministrisë së Kulturës.
Presidenti i Hondurasit pas vizitës në Republikën e Kosovës do të vizitojë edhe Republikën e Shqipërisë.