E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet zgjidhja e kontestit të emrit

Kriza greke dhe formimi i një Qeverie të përkohshme deri në organizimin e zgjedhjeve në Greqi, do të shtyjë zgjidhjen e kontestit të emrit të Maqedonisë.

Kjo bëhet e ditur nga burime pranë Qeverisë së Maqedonisë, ku theksojnë se do të ketë një situatë status quo-s, në disfavor të vendit.

“Situata e re në Greqi do ta shtyjë procesin e negociatave apo përpjekjeve për të arritur zgjidhje të shpejt për kontestin e emrit. Kjo nuk është aspak në axhendën e tyre, prandaj vonesat do të ndikojnë rëndë në dëm të vendit tonë. Do të ndjekim zhvillimet e reja, por megjithatë, siç thash në këtë rast, Maqedonia është humbëse, sepse po humb Samitin e NATO-s në Çikago”, theksoi një zyrtar i lartë i Qeverisë në Shkup.

Qeveria e përkohshme e Greqisë nuk pritet të ketë mandatin e saj për të udhëhequr negociatat për kontestin e emrit me Shkupin, ndërsa detyra e saj parësore është arritja e marrëveshjes për ndihmë nga Bashkimi Evropian dhe organizimi i zgjedhjeve, që do të sillnin në pushtet një koalicion dhe Qeveri më të stabilizuar se ajo e Jorgos Papandreout që u ballafaqua me kritika dhe rreziqet për tu shpërbërë.

Mediat në Greqi dhe Maqedoni raportojnë se nga mesi i vitit të ardhshëm mund të rikthehet në axhendë kontesti i emrit, pasi të formohet Qeveria e re greke.

Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, në prononcimet e fundit nuk ka përmendur çështjen e zgjidhjes së emrit dhe negociatat e mundshme në kuadër të një procesi që po zhvillohet nën patronazhin e OKB-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›