Shtypi rozw dhe interesi publik
Kristi Pinderi
Pavarësisht se nuk e kemi zgjedhur akoma Presidentin e ri dhe pavarësisht se nuk e dimë ende se ccfarë do të ndodhë pas 48 orësh me mazhorancën qeverisëse, ka gjithmonë një temë tjetër që mbetet aktuale: liria e medias pwrballw papërgjegjshmërisw sw saj. Të hënën, në emisionin Opinion një grup kryeredaktorësh u rrekën të argumentonin shqeto para disa artistëve, maninë e gazetave shqiptare për të mbushur faqet me seksizëm dhe thashetheme nga më banalet, që sipas atyre drejtuesve të medias, përfaqësojnë tentativën e shtypit shqiptar për të krijuar një traditë të shtypit rozë. Kryeredaktorët e dy gazetave të rëndësishme në treg dhe drejtori i një reviste tashmë të vjetër, binin dakord në dy gjëra: ne gazetarët mund të publikojmë gjithçka private, intime apo personale nga jeta e personave publikë për sa kohë nuk përgjojmë në mënyrë të paligjshme dhe për sa kohë nuk hyjmë në shtëpitë e personave publikë. E dyta, konsiston në faktin që sipas gazetave kryesore në këtë vend, viti 2012 kërkon që gazetarët të harrojnë shtyllën kryesore të misionit të tyre që është edukimi, dhe duhet domosdoshmërisht të përqendrohen tek kurioziteti ndonjëherë pervers i disa lexuesve që kënaqen edhe duke ditur gjërat më pak të rëndësishme në këtë botë, mjaft që të jenë lakuriq.
Kjo është arsyeja pse në gazetat tona mund të gjesh deri në 12 faqe rozë me lajme të pakonfirmuara, me lajme pa asnjë etikë, pa asnjë vlerë informuese e mbi të gjitha çedukuese. Kjo është arsyeja pse befas në vendin tonë të vogël po na fanepsen çdo ditë dhjetëra e dhjetëra personazhe që na shiten si VIP. Në debatin e përjetshëm privatësi vs. interes publik, na shfaqen përdhunshëm gazetarë me sjellje provinciale të cilët besojnë se populli, publiku, lexuesi, na qenkërka budalla. Se meqë Çiljeta apo çdo femër e bukur, mundësisht e shfaqur në foto sa më nudo, e shtojnë me disa qindra tirazhin e gazetës, atëherë ja ku u gjet dhe interesi publik.
Kjo është shumë e gabuar, por mbi të gjitha është e rrezikshme. Mes privatësisë së një artisti apo personi me interes për publikun dhe kuriozitetit ndonjëherë pervers të vetë publikut, fiton e para sepse është e drejtë e njeriut. Mes privatësisë së një politikani që dhe në dhomën e gjumit vjedh dhe interesit publik, fiton interesi publik patjetër.