Diktatura e ideologjisë
Dr. Kesiana Lekbello
Sot, në procesin e kulturës shqiptare, ndeshemi shpesh me terminologjinë ideologjia. Ideologjia, në kuptimin e saj neutral, nuk është gjë tjetër veçse një sistem idesh, por pikërisht gjatë këtyre 20-viteve të fundit, kjo fjalë përdoret gjerësisht, sidomos kur kujtohet e kaluara jonë si shtet që dikur kishte një ideologji të fortë komuniste. Interesante është të kuptohet sesi nga ideologjia komuniste, që dënojmë ne, përjetojmë sot, pa u ndjerë, edhe ideologjinë e 20 viteve të demokracisë.
Po të nisemi nga koncepti deformues dhe shtrembërues i fjalës ideologji, menjëherë duam vdekjen e ideologjisë, sepse nuk na shërbejnë ideologjitë që flasin pa kuptim dhe na mashtrojnë; kemi nevojë për ide konkrete dhe jo abstrakte, kjo duhet të jetë, të paktën, thelbi i një ideologjie social-politike. Ideologjia e përsosur, d.m.th kjo e sotmja, që kështu reklamohet, duke qenë kaq e përsosur, përfshin dhe rrethon çdo cep dhe kënd të jetës sonë. Kuptojmë aq sa na intereson, zhytemi në ideologji në mënyrë konstante e, për këtë arsye, nuk e ndjejmë, nuk e shohim, mos ndoshta edhe ne bëjmë ideologji?
Sot, ideologjitë tek ne janë shpeshherë të zbukuruara me kontekste tërheqëse dhe shumëngjyrëshe. Duke qenë e tillë ideologjia, e përsosur, pranohet, nuk kundërshtohet; ideologjitë e viteve të demokracisë nuk kanë asgjë të përbashkët me ideologjitë ngjyrë gri komuniste, ato i kemi dëbuar njëherë e mirë. Mos harrojmë që, ideologjia në mes të shumë ngjyrave bëhet rrëmujë.
Arritëm tek fjala që na intereson, ideologjia rrëmujë. Ideologjia rrëmujë të bën lëmsh, vështirë se gjen fijen e ideve normale drejt progresit bashkëkohor si pjesë e një shoqërie civile. Çdo të thotë ideologjia rrëmujë ose ideologjia e rrëmujës? Cilat janë pasojat e kësaj ideologjie kaotike? Aleancat, bisedimet, kuvendimet janë pa fund në politikën tonë, por a ia gjejmë dot anën, orientohemi dot? Vështirë, e megjithatë aspekti makroskop i kësaj ideologjie të sotme nuk perceptohet aspak si diçka gri. Mjafton të përmendim si shembull sa flitet dhe sa diskutohet për zgjedhjen e Presidenti dhe panorama është e qartë. Sot askush nuk ndjen ideologjinë e demokracisë, sepse demokracia nuk mund të ketë ideologji, ndërsa demokracia ka ideologji dhe demagogji. Këto dy natyra përjetohen nga ne në mijëra mënyra dhe lakime. Çdo gjë ka qenë gjithmonë kështu dhe çdo gjë do të jetë gjithmonë kështu. Sado të përpiqemi, nuk do të mund të ndryshojmë dot gjendjen konfuze në ditët e sotme.
Çdo të thotë kjo në procesin kulturor për Shqipërinë? Do të thotë që, ideologjitë e sotme, pasi mbuluan me parulla dhe konferenca ideologjitë e kaluara, po mundohen të lëshojnë hijen e tyre të rëndë edhe mbi të ardhmen. Aty ku mungojnë idetë e qarta, të sinqerta dhe konkrete, triumfon konfuzioni dhe hipokrizia, ngjyra gri e ideologjisë vazhdon, siç na mëson George Orwell-i për këtë aspekt më 1984, Kush kontrollon të kaluarën, kontrollon të ardhmen. Kush kontrollon të sotmen, kontrollon të djeshmen.