E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtypi serb: Tadiç në Tiranë, e ftoi Berisha

Gazeta serbe "Danas": Tadiç, së shpejti në Tiranë. Presidenca: Nuk ka ftesë. Kryeministria hesht


Ambasadori në Beograd e konfirmon për "Danas", por MPJ në Tiranë përgënjeshtron


Në Tiranë dhe Prishtinë ka pasur dje konfuzion të shoqëruar me deklarata e përgënjeshtrime, pas një interviste të ambasadorit shqiptar në Beograd, botuar në mënyrë të zgjeruar në gazetën e njohur të Beogradit, "Danas".


"Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, së shpejti pritet të mbërrijë në Tiranë në një vizitë me ftesë të kryeministrit Sali Berisha..." - shkruante dje gazeta "DANAS", duke cituar për konfirmim, vetë ambasadorin e Shqipërisë në Beograd, Shpëtim Çaushi. Në një intervistë dhënë për gazetën "DANAS", ambasadori i Tiranës e ka quajtur z. Tadiç "president i nderuar", duke u shprehur se "së shpejti presidenti i nderuar i Serbisë do të jetë në Tiranë..."


Sipas ambasadorit shqiptar, vetë presidenti serb, në momentin e marrjes së ftesës e ka quajtur këtë vizitë historike, për vetë faktin se kjo do të jetë vizita e parë zyrtare e një presidenti serb në historinë e kohëve të fundit mes dy vendeve. Ndërkaq, më tej në intervistë, ambasadori Çaushi, i ka vlerësuar marrëdhëniet Shqipëri-Serbi si "mjaft të mira dhe intensive".


"Dhjetëra serbë kontaktojnë me ambasadën e Shqipërisë në Beograd me qëllim udhëtimin në vendin tonë. Unë jam i kënaqur t'u komunikoj atyre se Shqipëria i ka hequr vizat për shtetasit serbë. Shumë serbë kërkojnë të vizitojnë Shqipërinë dhe të testojnë nga afër mikpritjen dhe respektin e shqiptarëve", - është shprehur ambasadori shqiptar në Serbi, Shpëtim Çaushi.


I menjëhershëm ka qenë reagimi i medias së Prishtinës. Gazeta kosovare "Express", ka kontaktuar Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë dhe citon një zyrtar të saj, të thotë që ftesë nuk ka dhe se ambasadori ynë në Beograd nuk pranon që ka deklaruar ashtu për gazetën serbe.
"Kabineti i Presidentit Bamir Topi dhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë kanë sqaruar se nuk ka asnjë ftesë nga ana e Shqipërisë që presidenti serb, Boris Tadiç, të vizitojë Tiranën.


Mediat serbe që kanë "njoftuar" për vizitën, sipas MPJ-së, e kanë keqkuptuar intervistën e ambasadorit shqiptar në Beograd. Emiljano Aleksi, zyrtar për informim në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, ka thënë për "Express" se nuk ka asnjë agjendë apo planifikim për një vizitë të mundshme të presidentit serb në Shqipëri.


"Me të lexuar mediat për këtë gjë, e kemi kontaktuar ambasadorin tonë në Beograd, dhe ai na ka thënë se nuk është e vërtetë një informacion i tillë që ka dalë në media", ka thënë Aleksi. "Informacionet që kanë dalë tani në media, madje thonë se vizita do të bëhet me ftesë të kryeministrit. Një president nuk ftohet nga kryeministri, por nga presidenti", ka shtuar ky zyrtar.


Zyra e shtypit pranë Presidencës ka shtuar mbrëmë për "Shekullin" se ftesë zyrtare për z. Tadiç nuk ka dhe se për deklaratat e ambasadorit duhej pyetur Ministria e Jashtme. Në muajin nëntor ka një takim të përvitshëm të presidentëve të rajonit që, sipas ciklit, i bie të zhvillohet në Shqipëri, por presidenca shqiptare nuk ka bërë asnjë ftesë zyrtare për Tadiçin.


Në fakt, ka qenë kryeministri S. Berisha që në janar të këtij viti foli për një ftesë në Tiranë për presidentin Tadiç, duke e quajtur, sipas stilit të tij, "historike" etj. Beogradi ende nuk ka kërkuar falje zyrtarisht për genocidin në Kosovë, ku NATO ndërhyri për të ndaluar makinën luftarake serbe të Milosheviçit që nisi spastrimin etnik, vrasjet masive dhe përdhunimet në Kosovë. Dje, përfaqësuesja e shtypit e kryeministrit, nuk i ktheu përgjigje pyetjes lidhur me pingpongun e deklaratave për vizitën e supozuar të z. Tadiç në Tiranë.


Sejdiu: Nuk e ftoj Tadiçin


Në 28 dhjetor 2009, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, deklaroi se nuk do ta ftonte kurrë "sa për lojë" presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, në Kosovë. Deklarata u bë pak ditë para një mini-samiti të shefave të shteteve fqinje të Kosovës, i cili u mbajt në fillim të 2010-ës.
"Nuk do ta ftoj në takimin e kolegëve të rajonit.


Sigurisht që do të ketë raste të tjera, por nuk do ta ftoj sa për lojë. Si ta ftoj njeriun, i cili me tërë energjinë deklarohet kundër pavarësisë së Kosovës dhe bën gjithçka që ta pengojë njohjen e mëtejme", ka thënë Sejdiu. Ai ka thënë se qëndrimi parimor i institucioneve dhe i udhëheqësve të Kosovës është që të ketë marrëdhënie të mira me Serbinë.


"Ne jemi të gatshëm qysh sot, por jo sa për lojë", ka deklaruar presidenti kosovar. Sejdiu ka shprehur bindjen se do të vijë koha kur presidenti i Serbisë do të ftohet të vijë në Kosovë, por edhe presidenti i Kosovës do të ftohet ta vizitojë Serbinë.


"Ne jemi gjithmonë të gatshëm të investojmë në marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore, por kurrë, kurrë dhe, përsëris fuqishëm, kurrë që të bisedohet për temat, të cilat ata duan t'i vënë në agjendën e bisedimeve, siç janë: përsëritja e negociatave apo çështja e statusit të Kosovës", ka thënë presidenti Sejdiu.

Në Prishtinë shihet si një mbledhje që nuk do të sjellë ndonjë gjë të re

Pas GJND, sot takimi i KS për Kosovën kërkuar nga Rusia

Albana Isufi / REL


Prishtina zyrtare pret një mbledhje rutinë të Këshillit të Sigurimit për Kosovën, e cila nuk do të sjellë ndryshime. Me kërkesë të Rusisë, sot mbahet mbledhja e parë e Këshillit të Sigurimit, pas mendimit pozitiv për Kosovën të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në takim pritet të marrë pjesë ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni.


Takimi i parë i Këshillit të Sigurimit për Kosovën pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për zyrtarët dhe analistët në Prishtinë shihet si një mbledhje që nuk do të sjellë ndonjë gjë të re, përveç diskutimeve pro dhe kundër pavarësisë, që janë parë deri më tash në këtë organ.


Rusia, që është kryesuese e radhës e Këshillit të Sigurimit, ka kërkuar mbajtjen e seancës, në të cilën pritet të marrin pjesë ministrat e jashtëm të Kosovës dhe të Serbisë. Zëvendësministrja e Jashtme e Kosovës, Vlora Çitaku, nuk pret asgjë të jashtëzakonshme nga mbledhja e nesërme e Këshillit të Sigurimit.


"Ne nuk besojmë se do të ndodhë diçka dramatike në mbledhjen e nesërme të Këshillit të Sigurimit.


Ky këshill tashmë është shndërruar në një arenë, ku përballen oponentët dhe mbështetësit e pavarësisë. Fatmirësisht, numri i mbështetësve tanë çdo ditë po vjen duke u rritur dhe ne çdo ditë e më shumë po prodhojmë argumente në dobi të shtetësisë sonë", thotë Çitaku.


Në anën tjetër, analisti Arben Qirezi, caktimin e mbledhjes së radhës së Këshillit të Sigurimit nga ana e Rusisë, vetëm pak ditë pas mendimit të GJND-së, e sheh si një përpjekje për të zbehur efektin dhe rëndësinë e këtij mendimi.


"Mendimi i GJND-së do të mbetet ashtu siç është dhe do të perceptohet ashtu siç është - pra me legalizimin e shtetësisë së Kosovës. Do të perceptohet në mënyrë pozitive edhe nga anëtarët tjerë të bashkësisë ndërkombëtare, pra të OKB-së, dhe këto përpjekje të Serbisë dhe të aleatëve të saj nuk do të kenë ndonjë efekt", shprehet Qirezi.


Këshilli i Sigurimit, për politikanen Rada Trajkoviq mbetet organi që mund të marrë vendime thelbësore për Kosovën. Ajo madje pret më shumë nga ky këshill, sesa nga sesioni i 64-të i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në të cilën do të diskutohet mendimi i GJND-së për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë - mendim ky që u kërkua po nga kjo asamble.


"Asambleja e Përgjithshme nuk mendoj se do të sjellë asgjë që do të jetë eksluzivitet apo fitore për njërën apo palën tjetër, meqë mendimi s'është obligativ. Kjo Asamble do t'i thotë Këshillit të Sigurimit që të sjellë një vendim, që është në funksion të stabilitetit të rajonit", thotë Trajkoviq.
Por, Vlora Çitaku mendon se diskutimi në Asamblenë e Përgjithshme dhe rezoluta eventuale, që do të miratohet në të, do të reflektojë mendimin e GJND-së, i cili tha se pavarësia e Kosovës nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare.


"Debati në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, nuk mund të jetë i ndryshëm nga opinioni shumë i qartë i GJND-së. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë si organi më autoritativ në fushën e së drejtës ndërkombëtare ka dhënë një mendim jashtëzakonisht të qartë lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, andaj edhe debati në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme nuk mund të dalë jashtë këtyre vijave".


"Gjithsesi, Serbia së bashku me partnerët e vet, do të mundohet që të zbehë qartësinë e këtij opinioni, duke u munduar që betejën e humbur në GJND, ta neutralizojë me një debat politik në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme", thekson Çitaku.


Serbia tashmë ka deponuar në Asamble një rezolutë të saj, ku tërthorazi bën thirrje për bisedime të reja për statusin e Kosovës. Arben Qirezi nuk mendon se rezoluta e Serbisë do të ketë sukses.


"Po unë mendoj se kjo ofensivë, që unë do ta quaja përpjekje të të dëshpëruarit do ta ketë po atë efekt në Serbi, sikurse e ka pasur mendimi i GJND-së, pra do të sjellë zhgënjime të reja për Serbinë. Mendoj se ky mendim i GJND-së ka trasuar një rrugë të re në të cilën Serbia herët a vonë do të duhej që të hyjë. Përndryshe, me veprimet e saj, Serbia gjithnjë e më shumë po e shtyn veten në qorrsokak", thotë Qirezi.


Ndërkohë, edhe Bashkimi Europian thuhet se ka përpiluar një projektrezolutë për mendimin e GJND-së, që do të paraqitet në Asamblenë e Përgjithshme.


INTERVISTA / Për pavarësinë e Kosovës "Serbia nuk e njeh një akt të tillë, por dëshiron të sigurojë funksionimin e jetës"

Tadiç: Problemet në Kosovë nuk u krijuan nga Milosheviçi

Në një intervistë të dhënë për "BBC", kohët e fundit, presidenti serb Tadiç, tha se pavarësisht nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendi i tij nuk do të heqë dorë nga ajo që ai e quajti e drejtë legjitime për të mbrojtur integritetin e vendit, duke lënë të kuptohet se Kosovën e konsideron edhe më tej pjesë të Serbisë.


"Çfarëdo që të jetë vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ai nuk mund të vështirësojë më shumë situatën ekzistuese në të cilën ndodhet në këtë moment Serbia.


Mirëpo, kjo gjithsesi nuk do të thotë se Serbia në çfarëdo momenti do të heqë dorë nga të drejtat e veta legjitime. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për ruajtjen e integritetit të vendit që nënkupton edhe vendosmërinë për vazhdimin e negociatave që duhet të rezultojnë me një zgjidhje të qëndrueshme dhe kompromise.


Tani është herët të flitet se çfarë është për Serbinë zgjidhje kompromise, por ajo padyshim që ndodhet në gjurmët e propozimeve tona, të cilat i kemi paraqitur gjatë procesit negociator. Pra, kjo është baza për qasjen e Serbisë ndaj çështjes së Kosovës, - tha Tadiç.


BBC: A është ky ai fleksibiliteti dhe novatorizmi për të cilin folët këto ditë?


Tadiç: Ua rikujtoj se qasja e Serbisë ndaj zgjidhjes së problemeve në Kosovë që nuk u krijua gjatë viteve nëntëdhjetë, sikurse mendojnë disa qarqe ndërkombëtare. Ai problem nuk u krijua me Millosheviçin dhe udhëheqjen e atëhershme të shqiptarëve të Kosovës, ai problem ekziston disa dekada më tej.


Ua rikujtoj se demonstratat me kërkesën për ndarjen e Kosovës nga Serbia, brenda ish-Jugosllavisë, ndodhën në vitin 1968, edhe në vitet shtatëdhjetë, edhe në vitet tetëdhjetë, pati edhe menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.


Pra, ky është një problem kronik që po vazhdon me dekada. Serbia ndaj këtij problemi ka pasur kryesisht një qasje të ngurtë, një mënyrë kjo që nuk dha asnjë rezultat. Dhe, duke iu përmbajtur me ngurtësi shablloneve themelore në zhvillimin e politikës edhe atëherë kur në Kosovë kishte më shumë banorë luajalë ndaj asaj politike.


Kjo vlen edhe për Millosheviçin edhe për të gjithë pararendësit e tij të cilët u ballafaquan me probleme në Kosovë. Këtë intervistë po e zhvillojmë në Parkun e Pionierëve, këtu në vitet tetëdhjetë kishin ardhur serbët nga Kosova sepse ishin dëbuar. Dhe, nuk ka kurrfarë dileme se dominuese atëherë, në kohën e ish-Jugosllavisë, pushteti ishte pikërisht në duart e shqiptarëve, dhe atë anëtarë të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, por shqiptarë në Kosovë.

"BBC": Ata nuk deshën as atëherë e as sot, janë dy milionë njerëz që nuk dëshirojnë të jetojnë në Serbi. Dhe, si t'i bësh të bisedojnë për diçka që nuk e dëshirojnë!?


Tadiç: Atëherë nuk kishte dy milionë shqiptarë që nuk dëshironin të jetojnë në Serbi.

"BBC": Tash janë.

Tadiç: Atëherë kishte bukur shumë banorë dhe popullsi shqiptare besnike ndaj shtetit të Serbisë dhe shtetit të Jugosllavisë dhe ne për shkak të qëndrimit të ngurtë dhe jo fleksibël humbëm pozicionet që të mbrojmë interesat tona legjitime kombëtare në Kosovë e Metohi. Dhe, prandaj të kishte pasur fat që atëherë të ndërmerreshin hapa të caktuar që të ishin novatorë, sikur të kishin qenë të tjerë nga ç'ishin zakonisht, ne nuk do të ballafaqoheshim me problemin që tani po na godet.


Kur flas për novatorizmin në politikë, për idetë e reja, për kreativitetin e ri në politikë, unë nuk mendoj për ndonjë art në politikë. Mendoj për ide tepër konkrete, për ide shumë të themelta. Mendoj, pra, për një kombinim, për një asortiment modalitetesh me të cilët janë zgjidhur konflikte të tjera të ngjashme në botë.


Dhe, nuk e kemi përmendur rastësisht shembullin e Honkongut dhe të ishujve Oland, zona këto të vjetra të konflikteve ku është gjetur modaliteti i jetës së përbashkët, por edhe i ruajtjes së integritetit. Pra, qëllimi i politikës është të gjejë zgjidhje të qëndrueshme dhe të hapë perspektiva për të gjithë njerëzit. Pra, Serbia, demokracia në Serbi ka qëllimin më të mirë edhe ndaj shqiptarëve në Kosovë, jo vetëm ndaj serbëve në Kosovë. Shqiptarët në Kosovë ne i trajtojmë si qytetarë tanë.


"BBC": A mund t'i kthehet Kosova Serbisë si një lloj bumerangu në përpjekjet për t'ju bashkangjitur Bashkimit Europian, përmes asaj që quhet bashkëpunim rajonal. Sikundër dëgjohet askush nuk do të kërkojë formalisht nga Serbia që të njohë pavarësinë e Kosovës, por kërkohet bashkëpunimi rajonal. Çështja e Kosovës hap disa probleme dhe prish marrëdhëniet në rajon. Tani kemi problemin me Maqedoninë lidhur me përcaktimin e vijës kufitare Maqedoni-Kosovë...


Tadiç: Serbia nuk ka kurrfarë problemi brenda bashkëpunimit rajonal, në qoftë se respektohen të gjitha dokumentet, aktet ndërkombëtarisht të njohura që janë nënshkruar deri tani.


Kjo nënkupton, për shembull, marrëveshjen CEFTA për tregtinë e lirë brenda rajonit që është nënshkruar me UNMIK-Kosovën. Ashtu sikundër kërkojmë një zgjidhje për eksportin e mallrave, sepse ajo që është esenciale është se Serbia as në mënyrë implicite e as eksplicite nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.


Me asnjë akt të saj që në të ardhmen mund të përdoret gjatë procesit juridik apo negociator si provë e palës tjetër se Serbia në mënyrë implicite ka njohur pavarësinë e Kosovës, ne nuk do t'i qasemi një akti të tillë. Duhet të jemi plotësisht të qartë dhe jemi tepër të kujdesshëm ndaj kësaj teme. Ne sillemi pikërisht si çdo shtet tjetër në situatë të ngjashme.


Por Serbia nuk ka ndërmend të bllokojë askënd. Serbia nuk ka ndërmend të ndalë rrjedhën e jetës, të ndalojë qarkullimin e mallrave, të shërbimeve, njerëzve. Përkundrazi, është interesi ynë që ekonomia të vihet në lëvizje, të nxitet komunikimi. Fundja, ne duam shkëmbimin e mallrave dhe të shërbimeve, por kjo nuk ka kurrfarë lidhjeje me çështjen formale nëse Serbia e njeh ose jo aktin e njëanshëm për pavarësinë e Kosovës. Pra, nuk e njeh një akt të tillë, por dëshiron të sigurojë funksionimin e jetës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›