E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet "banda" e vjedhësve të aeroportit

Policia arreston dy elektricistë dhe një roje të dyshuar për vjedhjen e materialeve nga terminali i ri që po ndërtohej


Dëmi i shkaktuar sipas policisë, kap shifrën e 10 mijë eurove. Një pjesë e sendeve iu gjetën në shtëpi të arrestuarve

TIRANE- Tre persona, punonjës të firmës që merret me ndërtimin e terminalit të ri të aeroportit të Rinasit, u ndaluan në flagrancë nga policia e aeroportit të Rinasit dhe më pas u arrestuan nga blutë e Krujës me dyshimin se janë autorë të vjedhjes së materialeve të ndryshme në pjesën e terminalit që është duke u ndërtuar nga një firmë e kontraktuar nga firma koncesionare që menaxhon aeroportin e Rinasit.


Kastriot Doda, Ilir Karaj dhe Sami Kalari, u ndaluan nga shërbimet e policisë kriminale të komisariatit të Rinasit, të dyshuar si autorë të vjedhjes së materialeve të ndërtimit që po përdoreshin nga kompania që punon për ngritjen e shtesës tjetër të terminalit të Rinasit. Sipas burimeve të policisë së Rinasit, të arrestuarit dyshohet se i kanë shkaktuar firmës ndërtuese një dëm prej rreth 10 mijë eurosh për shkak të vjedhjes së materialeve të tyre.


Personat e arrestuar, sipas burimeve të policisë, punonin në bashkëpunim me njëri- tjetrin, duke marrë nga magazinat e firmës materiale të ndryshme elektrike, duke i transportuar në drejtim të banesave të tyre dhe më pas duke i shitur ato. Dy të parët, Kastriot Doda 40 vjeç, Ilir Karaj 37 vjeç, sipas burimeve të policies, ishin elektricistë të punësuar të firmës, që kryente punimet e ndërtimit të terminalit B, të aeroportit. Ata kishin më tepër se pesë muaj që ishin punësuar në objektin që po ngrihet në krahun verior të terminalit aktual në Rinas. Personi i tretë i arrestuar nga policia e Krujës, Sami Kalari, 58 vjeç, ishte i punësuar si roje i magazinave dhe i objektit që ishte në ndërtim e sipër. Skema funksiononte e tillë, që dy elektricistët, Doda dhe Karaj, do bënin gati materialet, ndërsa roja do t'i ndihmonte ata. Malli i shitur, sipas burimeve të policies, do ndahej në mënyrë të tillë sipas kontributit të secilit. Një skemë të tillë dyshon policia se kanë përdorur të arrestuarit për vjedhjet e materialeve për të cilat u arrestuan.
Denoncimi
Drejtuesit e kompanisë që punonte për ndërtimin e terminalit shtesë në aeroport kanë vënë re se brenda një kohe shumë të shkurtër, iu kishin humbur një pjesë e mirë e materialeve, vlera e të cilave kapte shifra të konsiderueshme. Pak ditë më pare, ata denoncuan vjedhjen, pranë komisariatit të Policisë së Rinasit, por për efekt të ndarjes territoriale, ngjarja u mor nën hetim nga komisariati i Policisë së Krujës. Agjentë të policisë së këtij komisariati si dhe të atij të Rinasit, mbajtën nën vëzhgim terminalin në ndërtim e sipër, kur zbuluan se disa prej materialeve ishin vjedhur nga tre punonjësit e arrestuar që u morën në cilësinë e të dyshuarit. Pas kontrolleve të banesave të këtyre personave, policia zbuloi se ata kishin në banesat e tyre një pjesë të materialit të vjedhur, ndërsa pjesën tjetër e kishin shitur. Menjëherë ndaj tyre policia vendosi arrestin, duke i akuzuar për vjedhje në bashkëpunim.


Të arrestuarit

Kastriot Doda 40 vjeç, elektricist
Ilir Karaj 37 vjeç, elektricist
Sami Kallari 58 vjeç, roje

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›