Shtyrja e TVSH-së, në dorë të ministrit
Tatimet, skemë të re për makineritë dhe pajisjet. Kur ndërpritet afati 12-mujor
Shtyrja e afatit 12-mujor për pagesën e TVSH te makineritë dhe pajisjet e importuara është në dorë të ministrit të Financave. Tatimet kanë sqaruar skemën e pagesës, shtyrjen e afatit dhe kur ndërpritet, në rast se biznesi fillon të shesë produktet e dala nga makineria. Nëpërmjet një shkrese dërguar tatimeve nëpër rrethe, drejtori Artur Papajani udhëzon procedurat që duhen ndjekur. Referuar vendimit të qeverisë “Për skemën e shtyrjes së pagesës së TVSH-së, për makineritë dhe pajisjet e importuara, si dhe energjinë elektrike, të importuar nga KESH sh.a”, në të cilin përshkruhet “Skema e shtyrjes së pagesës së TVSH-së, për importin e makinerive dhe pajisjeve, kur cikli i zhvillimit të investimeve dhe fillimi i ofrimit të prodhimit apo shërbimit është mbi 12 muaj”, tatimet sqarojnë se, objekt i fushës së zbatimit të kësaj VKM-je janë makineritë e pajisjet e importuara, të cilat kanë cikël të zhvillimit të investimeve dhe të fillimit të prodhimit apo të shërbimit, mbi 12 muaj. Për këto pajisje bëhet zgjatja e afatit të pagesës së TVSH-së, që lidhet me importimin e makinerive e të pajisjeve, përtej 12 muajve, nga çasti i kryerjes së importit.
Skema e zbatimit
Në muajin e 12-të, pas periudhës së importit, personi i tatueshëm, paraqet një kërkesë me shkrim në Drejtorinë Rajonale Tatimore, ku është i regjistruar, nëpërmjet së cilës kërkon zbatimin e procedurës të shtyrjes së pagesës së TVSH-së, përtej periudhës 12-mujore. Papajani thekson se, në rast të mungesës së kërkesës apo të interesimit të personit të tatueshëm, brenda muajit të 12-të, atij i humb e drejta e përfitimit nga kjo skemë dhe që nga muaji i 13-të do të vlerësohet si debitor ndaj organit doganor. Ndërkohë, kur personi i tatueshëm ka dërguar kërkesën për zbatimin e skemës së shtyrjes së TVSH-së, përtej 12 muajve, atëherë Drejtoria Rajonale Tatimore, verifikon menjëherë përputhjen e kërkesës së personit të tatueshëm me ecurinë e kryerjes së investimeve. Konkretisht verifikohet fakti që personi i tatueshëm nuk ka kryer asnjë furnizim për të tretë, vetëfurnizim dhe përdorim për vete të produktit për të cilin kryhet investimi. Kur vërtetohet, pas verifikimit në vend, përputhja e kërkesës së personit të tatueshëm me situatën në fakt, Drejtoria Rajonale Tatimore dërgon zyrtarisht, brenda 7 ditësh nga data e protokollimit të kërkesës, në adresë të personit të tatueshëm, konfirmimin e faktit që, produkti apo shërbimi, për të cilin kryhet investimi, nuk është krijuar dhe as nuk është furnizuar nga personi i tatueshëm. Në të njëjtën shkresë zyrtare paraqitet edhe situata tatimore e personit të tatueshëm, për pagesën e detyrimeve të aplikuara tatimore, si dhe të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Regjistri
Drejtoria Rajonale Tatimore mban në një regjistër të veçantë të dhëna për çdo biznes, që përfiton nga shtyrja përtej 12 muajve e pagesës së TVSH-së dhe i mbikëqyr ato deri në kryerjen e furnizimit të parë, të paraqitur në faturën tatimore, të lëshuar prej tyre. Personi i tatueshëm i paraqet ministrit të Financave kërkesën me shkrim për shtyrjen e afatit të pagesës së TVSH-së përtej 12 muajve. Pas shqyrtimit të kërkesës ministri njofton degën Tatimore mbi miratimin ose jo të zgjatjes së afatit të shtyrjes së pagesës së TVSH-së. Kur personat e tatueshëm të cilëve u është miratuar skema e shtyrjes së TVSH-së, vendosin të kryejnë furnizimin e parë të produktit të përftuar nga investimi i kryer atëherë në të njëjtin muaj, që përputhet me periudhën kur kryhet furnizimi i parë, do të bëjë pagesën e TVSH-së së llogaritur në çastin e importit pranë Drejtorisë Rajonale Doganore përkatëse, e cila i lëshon atij dokumentin për këtë veprim. Drejtoria Rajonale ku personi është i regjistruar, e cila njoftohet nga Drejtoria Rajonale Doganore për pagesën e TVSH-së nga ana e personit të tatueshëm dhe mbylljen e veprimeve të lidhura me TVSH-në për këtë person, me të marrë njoftimin, bën shënimet përmbyllëse me personin e tatueshëm, në regjistrin e veçantë, të mbajtur për këtë kategori.
#