E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfindustria: Prodhimi vendas goditet ashpër, importi po favorizohet padrejtësisht

Tiranë, 7 Shkurt, NOA/Rajmonda Lajthia - Konfindustria,
bazuar në të dhënat e ardhura pranë saj nga shumë sektorë industrialë të
vendit, vëren me shqetësim se sistemi i referencave doganore po godet ashpër
prodhimin vendor shqiptar, duke favorizuar në mënyrë krejtësisht të padrejtë
prodhimet e importit.

Pohimin e bëri të ditur sot Gjergj Buxhuku, administrator
i Përgjithshëm i Konfindustria. Ai tha se janë prekur sidomos industria
mekanike, industria e përpunimit të mishit, industria e prodhimit të
duraluminit, industria e përpunimit të profileve të hekurit dhe llamarinave,
industria e prodhimit të letrës, industria e prodhimit të pijeve joalkoolike,
etj.

Konfindustria prej disa muajsh i ka i kërkuar
zyrtarisht Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave
për të ndërhyrë në kohë sa më të shpejtë për të përmirësuar gjendjen e rëndë të
krijuar për industritë shqiptare nga sistemi i referencave doganore të zërit
prodhim i gatshëm të importit, shume prej te cilave janë mjaft më të ulëta
sesa vlerat e tregut ndërkombëtar.

Por Buxhuku vëren se deri më sot nuk ka
veprime të prekshme për përmirësimin e gjendjes.

Gjendja është bërë edhe më tepër shqetësuese,
kur pas ndryshimeve të fundit të kryera në muajt gush-shtator 2009 nga
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ndërkohë, që kemi rritje të konsiderueshme
të referencave doganore të lëndëve të para të importit, për mjaft prodhime të
mbaruara të të njëjtit tip çmimet kanë mbetur pa ndryshuar duke qenë në nivele
ndjeshëm të ulëta krahasimisht çmimeve ndërkombëtare, - deklaroi Buxhuku.

Ai evidentoi edhe se bazuar në të dhënat
zyrtare ende pothuaj 30 për qind e zhdoganimeve në Shqipëri bëhen sipas
referencave të paravendosura.

Zbatimi i sistemit të referencave doganore
krijon edhe hapësira të mëdha për subjektivizëm dhe korrupsion nga autoritetet
doganore, që shfaqen në konflikt të qartë interesi si vendimmarrës dhe
njëkohësisht zbatues, të çmimeve të referencave, - vuri në dukje z.Buxhuku.

r.l/e./NOA

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›