E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfindustria:Po goditet rëndë prodhimi vendas

Konfindustria vëren me shqetësim dhe në mënyrë të përsëritur, se sistemi i referencave doganore po godet ashpër prodhimin vendor shqiptar, duke favorizuar në mënyrë krejtësisht të padrejtë prodhimet e importit.
Sipas aministratorit të përgjithshëm të Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, ky përfundim nxirret nga të dhënat e ardhura pranë saj nga shumë sektorë industriale të vendit.
"është prekur sidomos industria mekanike, industria e përpunimit të mishit, industria e prodhimit të duraluminit, industria e përpunimit të profileve të hekurit dhe llamarinave, industria e prodhimit të letrës, industria e prodhimit të pijeve joalkoolike, etj", thekson në një deklaratë z. Buxhuku.
Konfindustria prej disa muajsh i ka i kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për të ndërhyrë në kohë sa më të shpejtë për të përmirësuar gjendjen e rëndë të krijuar për industritë shqiptare nga sistemi i referencave doganore të zerit "prodhim i gatshem" të importit, shume prej te cilave janë mjaft më të ulta sesa vlerat e tregut ndërkombëtar. Deri më sot nuk ka veprime të prekshme për përmirësimin e gjendjes.
"Gjendja është bërë edhe më tepër shqetësuese, kur pas ndryshimeve të fundit të kryera në muajt gush-shtator 2009 nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ndërkohë, që kemi rritje të konsiderueshme të referencave doganore të lëndëve të para të importit, për mjaft prodhime të mbaruara të të njëjtit tip çmimet kanë mbetur pa ndryshuar duke qenë në nivele ndjeshëm të ulta krahësimisht çmimeve ndërkombëtare. Bazuar në të dhënat zyrtare ende pothuaj 30% e çdoganimeve në Shqipëri bëhen sipas referencave të paravendosura", deklaron aministratori i përgjithshëm i Konfindustrisë.
Sipas Buxhukut, zbatimi i sistemit te referencave doganore krijon edhe hapësira të mëdha për subjektivizëm dhe korrupsion nga autoritetet doganore, që shfaqen në konflikt të qarte interesi si vendimarrës dhe njëkohësisht zbatues të çmimeve të referencave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›