E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyrja e bisedimeve, BE: Beogradi jo i gatshëm të pranojë vulat

Shtyrja e bisedimeve për në vjeshtë mes Kosovës dhe Serbisë, ka sjellë edhe reagimin e Bashkimit Evropian. Sipas së përditshmes kosovare, “Koha Ditore”, disa burime jozyrtare kanë thënë se ndër arsyet kryesore pse është anuluar raundi i ri i dialogut ka qenë fakti se Beogradi nuk është i gatshëm që të pranojë kompromisin për vulat e Doganave të Kosovës.

BE-ja nuk ka dashur të vazhdohet me tema të tjera pa u zgjidhur kjo, sepse BE-ja e konsideron “lëvizjen e lirë të mallrave” si parim themelor të saj. E përditshmja kosovare, thekson se Serbia, e ka parë pranimin e marrëveshjes si mundësi që dikush të sugjerojë se po pranon “elemente të shtetësisë së Kosovës”, ndërkohë që zyrtarët e BE-së kanë thënë se edhe UNMIK-u kishte dhënë mendimin pozitiv për vulat e Doganave të Kosovës.

“Dialogu ka pasur edhe për qëllim që të heqë arsyet për ndonjë masë unilaterale tregtare të Kosovës ndaj Serbisë”, janë shprehur disa zyrtarë. Edhe tashti, kur është e qartë se marrëveshja për të lejuar kalimin e mallrave të Kosovës (me vula të Doganave të Kosovës) nëpër Serbi nuk do të arrihet së paku deri në vjeshtë, e edhe nëse arrihet atëherë askush nuk e di kur do të hyjë në fuqi.

Në BE thonë se ndaj masave unilaterale të Serbisë, e cila mban një lloj bllokade tregtare ndaj Kosovës, Prishtina nuk duhet të përgjigjet me masa unilaterale.

Por disa diplomatë të disa shteteve anëtare pohojnë se edhe BE-ja ka qenë tepër tolerante ndaj Serbisë sa i përket pjesëmarrjes së Kosovës në nismat rajonale dhe në CEFTA dhe se, ndonëse nuk e pëlqejnë, “askush nuk mund t`ia mohojë Kosovës të drejtën që të japë shenja se është shtet i pavarur”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›