Shumë arsyet që bashkohen për të votuar Lulzim Bashën
Mendoj se ka shumë arsye për të votuar Bashën si Kandidat të PD-së për drejtimin e Tiranës. Lulzim Basha është një talent që nuk diskutohet, është luftarak, i disiplinuar në mendime dhe inçiziv në ide. Ai është një produkt i djersës së punës dhe jo si rastësia e thirrje së ezanit të Fatos Nanos për të kandiduar Edi Ramën, një piktor me “thonj të pa prerë” në Urat e Senës në Paris, Nano ipse dixit. Dallimi mes dy pretendentëve është i qartë për të gjithë, në njërën anën kemi Ramën, një drejtues që prej dekade ushtron detyrën e qytetari të parë të Tiranës me një bilanc aspak pozitiv, kurse në anën tjetër të ringut është sfidanti i ri, Lulzim Basha që të gjitha ndeshjet i ka fituar me nokaut. Për gjashtë vite në politikë, pas fitores së bujshme të 2005, është kampioni i padiskutueshëm i klubit politik “Berisha”, një kryeministër që i ka krijuar kushte të shfaqë talentin në administrimin e detyrave madhore, që janë edhe tre arsyet për të votuar Lulzim Bashën.
Së pari është i datëlindjes 1974, Lulzim Basha është një nga politikanët që të ardhmen e ka të pritshme. Koha ka punuar për të dhe për të ardhmen e tij politike. I diplomuar për Juridik në Universitetin e Utrechtit në Holandë, ai ka punuar më parë në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës për krimet në Jugosllavi, si dhe në administratën e OKB-së në Kosovë. I afruar me PD-në në 2005, ai u bë një nga liderët e KOP-it, kësaj risie liberale në politikën e djathtë shqiptare, falë prezencës imponuese të vizionit dhe oratorisë së tij. Komiteti i Orientimit të Politikave përkundër atyre që e përbuzin nga smira ka qenë prova më e dukshme se rinia mund të aktivizohet në politikë dhe mund të transformohet në një dinamo të rëndësishme reformash. Gjatë legjislaturës 2005-2009, Basha u imponua si protagonist i politikës shqiptare si Ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit nga viti 2005-2007, kur ndërmori ndërtimin e rrugës Durrës-Morinë, e cilësuar si Rruga e Kombit që bashkoi trevat shqiptare. E vetmja hije ndaj kësaj arritje infrastrukturore kombëtare është angazhimi propagandistik i Kombinatit Politik e Mediatik të PS-së që sulmoi Bashën për të mbrojtur faktin që përdorën të famshmen “Taksa Majko”, që ishte për të ndërtuar rrugën e që përfundojë për të mbyllur humnerat e qeverisë Socialiste. Kush e harron këtë është një hipokrit i standardeve bashkëkohore.
Së dyti është arsyeja për të votuar Bashën lidhen me detyrën kur ishte Ministër i Jashtëm në 2007. Megjithatë përballë vështirësive Basha di të sillet si një lider gjakftohtë, pa emocione dhe i vendosur për t’i dhënë një shtysë krejt tjetër bashkimit të Shqipërisë në aleancën perëndimore të NATO-s. Si Ministër i Jashtëm u tha homologëve, se Shqipëria e tij e meriton. Dhe Ata e besuan. Lobimi i tij në kancelaritë e Oksidentit cyti interesin ndaj reformave dhe arritjes së standardeve. Pas bashkimit në organizatën më të madhe të sigurisë botërore, një tjetër sfidë e priste Shqipërinë dhe kjo është arsye e tretë.
Së treti është liberalizimi i vizave epiqendra e agjendës së qeverisë së kryesuar nga Kryeministri Berisha për të bashkuar plotësisht vendin me kontinentin mëmë, Europën. Një tjetër sfidë e priste delfinin e Berishës për të siguruar praninë e kërkesës së Ministrave të Brendshëm të BE-së. Këtë ai e realizoi me vendosmëri. Një arsyetim përmbledhës do të ishte se në të gjitha postet ku ka drejtuar, është shquar për energji, korrektësi dhe rezultate të pakundërshtueshme. Ai ndoqi deri në imtësi detyrimet shtetërore për liberalizimin e vizave, dhe për këtë i duhet dhënë e njohur publikisht një meritë të veçantë.
Natyrisht angazhimi i Bashës për të drejtuar Tiranën nuk është i vogël, duke parë shkatërrimin shkencor e sistematik të Ramës, që përveç gjuhës së penelit, gjithçka tjetër është për të është sikur të mësonte gjuhën sanskritisht. Patjetër përqasja ndaj këtij qytetit të sakatuar deri në detaje, për ta rikuperuar dhe transformuar është përkushtimi total sasior dhe cilësor i sinkronizimit të rrahjeve të zemrës me sahatin e Bashkisë dhe jo një njeri me kohë të pjesshme siç është Edi Rama, që do Bashki dhe Parti, për t’u katapultuar në kryeministri. Kryeqyteti është i lodhur prej arrogancës së pa princip të një Kryetari bashkie, që thotë se “1 % e sipërfaqes së Tiranës është ndërtuar me lejet tona të ndërtimit, 1%”. Domethënë sipas kësaj logjike do të thotë se 99 % e ndërtimeve në Tiranë janë ndërtuar përpara vitit 2000? Në 11 vite Edi Rama pretendon se nuk ka dhënë asnjë leje ndërtimi. Mjafton kaq për të mos marrë fare seriozisht këtë personazh të dashuruar me instinktet më të ulëta të vetes së tij.