E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhaferaj: Rrjeti i kanalizimeve në zonë e ish-kënetës do të rehabilitohet plotësisht

15-04-2011 / Gazeta 55

“Brenda katër viteve, i gjithë rrjeti i kanalizimeve në zonën e ish-këntës do të pësojë ndryshime rrënjësore, duke u sistemuar dhe mbuluar,” - tha Ferdiand Xhaferaj, kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kreun e Bashkisë së Durrësit. Xhaferaj ka vijuar turin e tij të takimeve me banorët e qytetit të Durrësit, ku për çdo zonë ai ka treguar me projekte të qarta ndërhyrjet që do të bëhen. Në takimin e që pati në zonën e ish-kënetës, ai diskutoi problemin e rrjetit të kanalizimeve.
Zona e ish-kënetës është populluar pas viteve ‘90-të. Problemet që shfaqen aty janë të shumta, ndërkohë që janë rënduar edhe më tepër nga mungesa e investimeve nga ana e Bashkisë. Rrjeti i kanalizimeve paraqet një ndër problemet që prek më shumë cilësinë e jetës së njerëzve, pasi është i hapur dhe shpesh, në raste reshjesh, shkakton edhe përmbytje.
Në një takim të organizuar me banorë të kësaj zone informale, kandidati demokrat Xhaferaj prezantoi projekte konkrete për ndryshimin e gjendjes. Duke i qëndruar zotimit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” se njerëzit janë të parët, projekti i Xhaferajt për rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve përmirëson ndjeshëm jetën e tyre.

Njerëzit janë të parët
Projekti që kandidati Xhaferaj premton të realizojë pas zgjedhjeve të 8 majit përfshin shtrimin e tubacioneve, mbulimin e tyre, dhe ndërtimin e rrugëve mbi hapësirën që do të përfitohet. Në këtë mënyrë, përveçse rrjeti i kanalizimeve izolohet, duke mos krijuar më probleme për cilësinë e jetës së njerëzve, përftohen edhe rrugë të reja, të pajisura me trotuare dhe të gjelbëruara.
Ky ishte zotimi që kandidati për kryetar i Bashkisë së Durrësit i Partisë Demokratike dhe koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Ferdinand Xhaferaj, bëri gjatë takimit me banorë të zonës. “Në katër vite, ne do t’i pajisim të gjitha kanalet me tubacione, - shpjegoi Xhaferaj, - dhe mbi to do të ndërtojmë rrugë të standarteve më të larta”. Ai shtoi se “zona e ish-kënetës do të shndërrohet në pjesë integrale e Durrësit, nuk do të ketë asnjë ndryshim nga lagjaet e tjera të qytetit”. “Investimet e kryera nga qeveria në këtë zonë dhe ato që do realizohen në katër vitet e ardhshme do t’ia ndryshojnë krejtësisht pamjen zonës”- shtoi Xhaferaj.
Duke iu referuar punës së Vangjush Dakos, kryetari aktual i Bashkisë, por njëkohësisht edhe kandidati i Partisë Socialiste për mandatin tjetër, Xhaferaj tha se “Dako e harroi në katër vite këtë zonë, të cilës i kërkoi votën për ta ndryshuar, por që në fakt i shërbeu vëtëm biznesit të tij privat, i shërbeu vetëm betonit”. “Ndaj, më 8 maj, ai do të ndëshkohet me votë nga qytetarët durrsakë, do të ndëshkohet me votë arroganca e tij ndaj punëve të qytetit” - shtoi kandidati demokrat.
Xhaferaj premtoi se do të ndryshojë edhe mënyra e drejtimit të Bashkisë dhe mënyra e komunikimit me njerëzit për problemet që ata kanë. Në bisedat me banorët ai shpjegoi edhe mënyrën e re të punës, ku u shpreh se “çdo punë dhe vendimarrje  do të bëhet në konsultim të plotë me komunitetin".

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›