Shumë të vdekur në seri sulmesh
Irak
Dhjetëra njerëz vdiqën dje në Irak në një seri prej së paku 11 sulmesh të kryer në vende të ndryshme kundër forcave të sigurisë. Sulmi më vdekjeprurës ndodhi pranë një baze ushtarake në Bagdad ku 11 ushtarë u vranë në një shpërthim bombe dhe goditje me armë automatike.
Dy makina të mbushura me eksploziv vranë së paku 14 njerëz dhe plagosën mbi 60 të tjerë në qytetin e Amarës. Kryengritësit suni të lidhur me al-Kaedën besohet se janë organizatorët e valës së re të dhunës në Irak.
Baza ushtarake në lagjen Balad të Bagdadit fillimisht u sulmua nga kryengritës të armatosur, të cilët më pas shpërthyen bomba artizanale. Një bombë tjetër në qytetin verior të Kirkukut vrau shtatë vetë që po aplikonin për punë si policë në kompaninë shtetërore të naftës së rajonit kurd të Irakut. Raportimet fillestare tregojnë për së paku 45 vetë të vdekur në 11 sulme.
Ndërkaq, dje, një gjykatë dha dënim me vdekje për zëvendëspresidentin Tarik al-Hashemi, i cili u gjykua në mungesë i akuzuar se ka drejtuar skuadra vdekjeje. Hashemi është një politikan suni që u arratis nga Iraku dhjetorin e kaluar, pasi qeveria e dominuar nga shiat u përpoq ta arrestonte.
Megjithëse dhuna është shumë më e paktë se sa kulmi i shënuar në vitet 2006 dhe 2007, sulmet janë rritur sërish pas tërheqjes së trupave amerikane vitin e kaluar.
Shumë të vdekur në seri sulmesh burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip