E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hebrenjtë dhe myslimanët, protestë e përbashkët në Berlin

Gazeta Shqip

Rrethprerja

Disa organizata të hebrenjve dhe myslimanëve zhvilluan një protestë të përbashkët në Berlin kundër vendimit të një gjykate që ndalon rrethprerjen te fëmijët si dhunë fizike pa leje. Protesta u organizua pas një lajmi ku thuhej se një rabin qe vënë nën hetim në Bavari për kryerjen e një rrethprerjeje. Një gjykatë në Këln ndaloi rrethprerjen qershorin e kaluar. Ndërkohë, qeveria e Gjermanisë ka njoftuar se do të vendosë një ligj për ta legalizuar praktikën në mënyrë të prerë. Rreth 1 mijë vetë dolën në protestë për të dëgjuar fjalimet nga rabini i Berlinit dhe udhëheqës të tjerë fetarë.

Jam këtu për të protestuar për lirinë e besimit, tha një nga protestueset. Gjykata në Këln deklaroi se rrethprerja rituale e një fëmije mysliman në përputhje me vendimin e prindërve, i ka shkaktuar atij dëmtim fizik.

Shoqata Mjekësore e Gjermanisë i tha pas kësaj doktorëve në të gjithë vendin të mos kryejnë më rrethprerje. Si myslimanët, ashtu edhe hebrenjtë, besojnë se vendimi i gjykatës mund të përdoret për të sulmuar besimet e tyre fetare. Të mërkurën, qeveria në Berlin deklaroi se rrethprerja është e ligjshme për sa kohë kryhet në përputhje me praktikat e mira mjekësore. Ndoshta nën presion ndërkombëtar, Berlini njoftoi se do ta legalizojë praktikën me një ligj të veçantë. Debati është hapur edhe në SHBA, ku praktika është shumë e përhapur. Muajin e Kaluar, Akademia Amerikane e Pediatërve publikoi një studim mbi rrethprerjen, ku tha në mënyrë eksplicite se përfitimet shëndetësore të foshnjave meshkuj të sapolindur janë më të mëdha se sa rreziqet e procedurës.

Megjithatë, shoqata tha se nuk e rekomandonte procedurën për të gjithë foshnjat, duke argumentuar se vendimi i takon prindërve në konsultë me mjekët.

Hebrenjtë dhe myslimanët, protestë e përbashkët në Berlin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›