E Diel, 1 Nëntor 2026

Shumica e re, një udhëtim në të ardhmen politike

ndertim-pa-leje177Disa hapa të parë që paralajmëron të bëjë qeverisja e nesërme. Çfarë do të ndryshojë në vend në mënyrë që Shqipëria të lëvizë nga vendi. Duke nisur që me largimin e mpirjes dhe daulleve të propagandës për suksese imagjinare e deri tek njohja e situatës. Për tu thënë shqiptarëve: ja nga po nisemi për rrugëtimin e ri politik! Për të ndryshuar ekonominë, sistemin gjyqësor dhe sjelljen e përbashkët përballë ligjit

Nga Lorenc Vangjeli*

Zgjedhjet e qershorit ishin historike, por tashmë ato i kanë kaluar historisë. Shqipëria do të hyjë në vjeshtën e këtij viti me një maxhorancë tronditëse në shifra dhe një pakicë të tkurrur në minimumin historik. Një arsye e mjaftë për të krijuar shanse për eufori e revansh të fitimtarëve dhe dëshpërim e pafuqi të humbësve. Do të ndodhë kështu? Tradita e keqe politike e vendit jep përgjigje pa dilemë. Po kështu mendojnë dhe humbësit që pikërisht në këto dy pika po sulmojnë dhe paralajmërojnë si qeverisjen e nesërme, si shqiptarët për mënyrën sesi do të qeverisen në të nesërme. Starti i ri që premtojnë të nisin fitimtarët refuzon. As eufori dhe as revansh. Vetëm Shqipëri normale. Dhe po të shihen ngjarjet e ditëve të fundit kur për shifrat elektorale nuk ka më enigma, pra, nëse shihet kjo e shkuar e afërt dhe e shkurtër, ka disa mjete që ndihmojnë në parashikimin për çfarë do të ngjasë nesër.

Ndërtimet pa leje

Duke nisur nga fundi. Ka një ngjashmëri jo fort të padukshme me mënyrën sesi Berisha nisi të qeverisë në vitin tashmë të largët 2005. Atëherë, nisën të shfaqen dhe fizikisht rrugëve të Tiranës dhe gjetkë ato që kishte paralajmëruar në fjalorin e tij politik: ruspat dhe fadromat. Me ruspa e fadroma ai ju sul një sërë ndërtimesh, të cilat kishin pasur mëkatin që kishin lidhje në një mënyrë apo një tjetër me deputetë të Partisë Socialiste apo njerëz pranë opozitës së kohës. Shpesh, si rregull dhe jo si përjashtim, në shumicën e tyre ndërhyrjet për shkatërrim ishin bërë në kundërshtim me ligjin dhe ishin hapur pjesë e revanshit dhe ndëshkimit të kundërshtarëve politikë. Por ai ishte vetëm një aksion që zgjati deri në momentin kur paligjshmërisht nisën të ndërtojnë njerëz politikisht korrektë me Berishën.

Tetë vjet më pas, kryetari i PS-së dhe kryeministri i ardhshëm Edi Rama jo vetëm paralajmëron, por edhe kërkon veprim. Kryesisht në qytetet bregdetare, me pushtetin lokal të kontrolluar nga socialistët e tij, ka nisur një valë goditëse e ligjit mbi ndërtime abuzive. Kontrolli i territorit dhe ndëshkimi i njerëzve të betonit të paligjshëm që ndërton kuturu, duket se do të jetë një dramë me shumë akte. Mbas shtatorit do të ketë akte të tjera, ndoshta edhe më dramatike. Të njëjtën gjë Rama ishte i detyruar ta bënte dhe në Tiranë në mandatin e tij të parë si kryetar i bashkisë. Eshtë ky një veprim që përveç ndëshkimit të individit sjell dhe çlirim tek shumëkush: kënaqësia për therjen e lopës së paligjshme të fqinjit, gëzon edhe ata që nuk kanë fare lopë, madje i bën ata ta harrojnë përkohësisht një gjë të tillë. Në një vështrim të parë duket se epidemia për ndërtime të pa ligjshme është e pamundur të ndalet, sa kohë që në mbi dy dekada shqiptarët janë mësuar të ngrenë skela në tokë private e shtetërore dhe nuk janë ndëshkuar. Në thelb ky është një operacion i thjeshtë, është një operacion sa psikologjik, po aq dhe në nevojë të vullnetit politik. Duhet ndryshuar baza ligjore. Pjesë e ndëshkimit do të jetë jo vetëm fajtori që duhet të paguajë edhe për vetë procesin e prishjes së ndërtimit abuziv, por edhe gjithë ato segmente që e kanë ndihmuar ta bëjë një gjë të tillë. Eshtë një zinxhir i tërë që është lehtësisht i identifikueshëm për tju dorëzuar ligjit. Jo thjesht burgut, siç i bihet zakonisht shkurt, por xhepit. Aty dhemb më shumë ndëshkimi.

Tek Presidenti

Muajt, por dhe ditët e fundit, Presidenti i Republikës ka bërë emërime në Gjykatën Kushtetuese, në Gjykatën e Lartë, në Apel, KLD e së fundmi edhe në Shkollën e Magjistraturës. Në të gjitha rastet ai është vënë nën akuzë për dekrete partiake. Në fakt është fare e lehtë të vihet re filli blu që i bashkon pothuaj të gjitha këto emërime. Të cilat kanë një synim të qartë: të konsolidojnë politikisht e besnikërisht një pushtet, gjyqësorin, i cili do të jetë në balancë të kundërt politike me dy pushtetet e tjera nga të cilët u zhveshën demokratët, legjislativi dhe ekzekutivi. Ngjan se me firmën e Presidentit, edhe kur e liga, klientelizmi, aprofesionalizmi e shpërblimi partiak është i dukshëm, realiteti i ri në gjyqësor është i pakthyeshëm. Por ky është vetëm një iluzion. Sërish paratë janë gracka që nesër, në rastin e ekzistencës së vullnetit politik për ndryshim e përmirësim, do të zinin gjithë ata gjyqtarë e njerëz të sistemit gjyqësor që janë të korruptuar. Një shembull i thjeshtë. Me vetëm disa qindra euro rrogë në muaj, ka një shumicë aktorësh të sistemit që bëjnë një jetë biznesmenësh të suksesshëm. Ka shumë nga ta që bëjnë edhe katër udhëtime turistike jashtë shtetit në muaj, ka nga ta që ngasin rrugëve të Tiranës makina që kushtojnë sa 14 vjet rrogë shteti. Për të mos folur pastaj për banesat apo stilin e jetesës. Eshtë fare e lehtë identifikimi i tyre. Dhe një pyetje e thjeshtë për ta: Ku i ke gjetur këto para?

Eshtë shumë e vështirë shmangia e tentacionit për të peshkuar në këtë kategori njerëzish të sistemit, shërbëtorët e nesërm të maxhorancës qeverisëse. Tetë vjet më parë Berisha nuk i shpëtoi këtij tentacioni, kur përdori në vijimësi pikërisht këta individë, që nga ata që ishin nëpër kolegje zgjedhore e deri tek ata që godisnin kundërshtarët e tij politikë dhe mbyllnin proceset për njerëzit e tij. E njëjta logjikë dhe për organin e akuzës. Me pak fjalë u raportua se zyra e Prokurorit të Përgjithshëm nuk ka bërë atë që duhej për luftën kundër krimit dhe sidomos kundër korrupsionit. Përfshi këtu edhe 21 Janarin apo spekulimin gjigant financiar për ndërtimin e rrugës së Kombit.  A mund ta nxisë ekzekutivi i nesërm këtë organ të pavarur kushtetues që të punojë më fort në këtë drejtim? A mund ta pilotojë hetime për ngjarje që politikisht opozita e para 23 qershorit i ka quajtur krime? Mjetet ligjore thonë jo! Por në çdo vend të botës, si rregull dhe si aksiomë, qeverisja mund të krijojë klimën për të goditur krimin dhe korrupsionin. Dy shtylla që kanë mbajtur kryqëzuar gjithë fatet e vendit dhe që duhen shembur.

Ekonomia, ekonomia, ekonomia

E nesërmja e zgjedhjeve natyrisht nuk e gjeti Shqipërinë as më të pasur, as më pak të mjerë, as me më pak probleme. Qytetarët ju drejtuan po

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›