Selimaj: Luftëtari do të marrë shpërblimin e mundit
Portieri Erind Selimaj shpreson të mos pësojë gol dhe shokët e tij të shënojnë të paktën 1 gol në portën e Adës
Treguesit e Luftëtarit në transferta, që janë 2 fitore, po aq humbje dhe 1 barazim, dhe treguesit e Adës në fushën e saj, që janë 2 fitore dhe 3 barazime, flasin për një epërsi të lehtë të saj. Megjithatë, këta tregues e bëjnë parashikimin disi të vështirë, si vetë ndeshjen. Ada ka avantazhin e fushës, kurse Luftëtari atë të përbërjes, por varet se kush do të tregohet më i zoti për të përfituar nga këto.
Duke u nisur nga golaverazhi i përgjithshëm, 22-7, rezulton se Luftëtari ka sulmin më produktiv, gjë që nuk mund të thuhet për mbrojtjen e tij, sepse kjo e fundit ka para dy të tjera dhe një me po aq gola të pësuar. Dy humbjet që ky ekip ka pësuar jashtë fushe janë edhe 2 ndeshjet, ku nuk ka shënuar gol.
Pra, sipas këtij skenari, Luftëtari, nëse i shënon të paktën një gol Adës, nuk do të humbasë, por kuptohet që futbollistët e tij, edhe pasi të shënojnë 1, për të qenë më të sigurt, do të luftojnë për të dytin. Rruga GjirokastërVelipojë është e gjatë dhe kthimi pa pikë bëhet më rraskapitës, ndaj duhet kujdesur që në radhë të parë të mos pësohet gol.
Selimaj Portieri shkodran i Luftëtarit, Erind Selimaj, i cili në ndeshjen me Gramozin nuk pësoi gol, gjë që e ka bërë edhe në 4 ndeshje të tjera, shprehet: Ashtu si atletët e vrapimeve pranë finishit harxhojnë tërë energjitë e tyre për tu renditur sa më mirë, ashtu ndodh edhe me ekipet e futbollit, kur mbeten ndeshjet e fundit, qoftë edhe të fazës së parë. Luftëtari kryeson pas 12 xhirove, por 3 të fundit kërkojnë ritëm më të lartë për të mbajtur kreun.
Pra, duhet të luajmë me ritëm të lartë ndaj Adës. Për këtë ne futbollistët e tij jemi përgatitur që para fillimit të garave dhe kemi vazhduar kështu, gjë që ka dhënë edhe frytet e veta. Patjetër që përballja me Adën është shumë më e vështirë se me Gramozin, por në këtë ndeshje ekipi ynë do të jetë me më pak mungesa dhe, duke qenë i ndërgjegjshëm për rëndësinë e rezultatit, do të luftojë me gjithë forcat për të marrë pikë.
Shpresoj se edhe në këtë ndeshje nuk do të pësoj gol, ndërkohë që nuk është aspak e papritur të shënojmë, përderisa deri tani Luftëtari ka 7 golashënues, midis tyre Norën, që është ndër dy më të mirët e kampionatit. Patjetër që duhet edhe fati e natyrisht gjykimi i paanshëm. Them se do të arrijmë rezultatin, që do të jetë shpërblim për punën që kemi bërë dhe po bëjmë.
