E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuplakat në fytyrën e të dehurit

03-12-2012 / Nga Ali Cenaj

Tribunali i Hagës, me vendimin që shpalli të pafajshëm Ramush Haradinajn e dy të tjerët, dhe me lirimin e dy gjeneralëve kroatë, dy javë më parë, nuk bëri tjetër por atyre në Beograd që ende lëngojnë nga autoamnezia ua kumtoi lajmin se luftërat e përgjakshme të viteve të ‘90-ta, Serbia i ka humbur. As shuplakat, me dy vendimet e fundit të Hagës, nuk e kanë trandur të dehurin e Beogradit. Përkundrazi, u dëshmua sërish se pijanecët e rëndë, shuplakat e tilla shpesh i bëjnë edhe më agresivë. Megjithatë, Tribunali i Hagës, me vendimin që shpalli të pafajshëm për të gjitha pikat komandantin e UÇK-së në Zonën e Dukagjinit, Ramush Haradinajn dhe Idriz Balajn e Lahi Brahimajn, dhe me lirimin e dy komandantëve të operacionit “Stuhia”, gjeneralëve kroatë Ante Gotovina e Mladen Markaç, dy javë më parë, atyre që në Beograd ende lëngojnë nga autoamnezia ua përkujtoi se luftërat e përgjakshme të viteve të ‘90-ta, Serbia i ka humbur. Se interpretimi përgjithësues aq mirë i instaluar që në stilin: “luftë ishte” se “në konflikte të tilla ka edhe viktima, nga të gjitha anët”, me synim që të përgjithësonte dhe relativizonte gjërat aq sa çdo angazhim për të përcaktuar kush në të vërtetë ishte viktima e kush xhelati ta bëjë mision të pamundshëm, nuk mund të pranohet si i mirëqenë. Interpretimi i zakonshëm se „të gjithë kanë bërë krime“ me arsyetimin se „secili i krisur ka mundur të marrë një pushkë dhe t’i vrasë civilët...“ pra se ato krime përmasash gjenocidale i paskan kryer do farë budallenjsh e pijanecësh që kanë dalë jashtë kontrollit, më nuk mund të pijë ujë. Strukturat ushtarake e policore serbe gjatë gjithë kohës ishin funksionale, vepronin sipas planeve e procedurave të përcaktuara dhe se posedojnë dokumentacionet që dëshmojnë saktësisht çdo rast, çdo vrasje dhe kryesit e tyre as pas 13 vjetësh nuk po bëhen publike. Madje vetë kërkesa ngjall mllefin e papërmbajtur si ai, për shembull, i Vuk Jeremiqit që ka qëlluar të jetë edhe kryesues i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me porosinë kërcënuese drejtuar shqiptarëve: „Le të gëzohen. Edhe të tjerë para tyre i janë gëzuar fashizmit duke menduar se do të jetë i përjetshëm...”
Është ky mllefi i xhelatit që tash shitet viktimë, për faktin se nuk kishte arritur të finalizojë projektin e vet, për shembull, që forcat ushtarake e policore të Serbisë, për tre muaj të vrasin vetëm dhjetë mijë civilë shqiptarë, kryesisht gra, fëmijë, pleq, të dëbojnë rreth 800 mijë të tjerë, të dhunojnë, të plaçkitin e të djegin çdo gjë dhe sërish të kenë të drejtën të qeverisin jetët e viktimave që qershorin e ‘99-s ktheheshin në kolona pas tankeve të NATO-s.
Për drejtësinë dhe fatin e viktimave, strukturat shtetërore në Beograd, ku kriminelët janë instaluar, edhe në nivelet më të larta vendimmarrëse, as që duan të dëgjojnë. Përkundrazi në vendin ku Mladiqi, Karaxhiqi e kompania e tyre janë heronj të kombit, vendin në të cilin të rinjtë i mbajnë me aq krenari fotot e kriminelëve viktimat janë fajtori më i madh që Serbia për herë të dytë e humbi Betejën e Kosovës. Formulimi të gjithë serbët në një shtet, ishte më shumë shkas për të aktivizuar boritë e luftës në projektin megaloman të zgjerimit territorial të projektuar me Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave. Serbia po deshi, ka mundur të marrë model vëllanë e saj të madh, Rusinë, që edhe pse në ish-republikat e Bashkimit Sovjetin që u shkëputën mbetën shumë rusë, nuk i dërgoi atje tanket e as çakajtë duke ua lënë para këmbëve si pre për ta shqyer popullatën e pambrojtur civile. Në vend që i dehuri me nacionalizëm dhe megalomaninë e të voglit që imiton madhështinë e të madhit në këto hapësira, të trandet dhe të fillojë të ballafaqohet me të kaluarën, elita serbe sërish vajton “padrejtësinë” e “ofendimin e paparë” që po i bëhet popullit serb. Shllagun kësaj torte këto ditë ia vuri vetë “babai i kombit” akademiku Matija Beçkoviq, me margaritarin e radhës: “Në Hagë çdokush është i pafajshëm, përveç nëse tregohet se është serb”, që u përvetësua gjerësisht nga qytetarët e thjeshtë, empatia e morali i të cilëve u tregua të jetë barazi me zero. Në saje të pazarit të mirë me Karla del Ponten, Serbia nuk ia la në dispozicion Gjykatës Ndërkombëtare dokumentacionet relevante dhe kështu iu shmang rrezikut të shpallej bashkëpjesëmarrësve në gjenocidin në Srebrenicë. Megjithatë, me dy vendimet e fundit, kjo gjykatë, Beogradit së paku ia kumtoi lajmin që askush nga zyrtarët serbë ende nuk po ka guximin t’ia thotë. Se luftërat e përgjakshme që i kishte nisur vetë, Serbia i ka humbur.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›