Marrëveshja jofunksionale për rritje në Evropë
Vetëm pak kohë më parë është kuptuar se buxheti i Bashkimit Evropian i këtij viti ka një mungesë prej gati dhjetë miliardë eurosh. Si rezultat i kësaj, Bashkimi Evropian nuk mund të rimbursojë shtetet anëtare për shpenzimet e papritura, përfshirë fondet emergjente, si ndihmat për viktimat e tërmetit italian dhe shpenzimet për shtimin e rritjes ekonomike dhe punësimit, si absorbimi i përshpejtuar i Fondeve të papërdorura Strukturore dhe të Kohezionit. Shtetet anëtare kanë refuzuar kërkesën e Komisionit Evropian për kontribute shtesë për ta mbuluar këtë mangësi, gjë që ka rezultuar me dështimin e bisedimeve rreth buxhetit të vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, negociatat rreth Kornizës Shumëvjeçare Financiare 2014-2020 (MFF), instrumenti kryesor i planifikimit për përdorimin e fondeve të BE-së, kanë dështuar si rezultat i mospajtimeve për çështjet kryesore, përfshirë përmasat e buxhetit dhe përbërja e shpenzimeve. Vendimi është shtyrë deri në fillim të vitit të ardhshëm. Gjendja e ka vënë në pah paqartësinë rreth rolit që e ka buxheti i BE-së në integrimet evropiane. Derisa të gjithë liderët e BE-së kanë mbështetur përdorimin e buxhetit për stimulimin e rritjes ekonomike, shumë pak është duke u ndërmarrë në këtë drejtim. Një gjë e tillë ngrit dyshime rreth së ashtuquajturës “marrëveshje e rritjes”, e lançuar nga Këshilli Evropian në qershor, posaçërisht rreth përkushtimit politik për mobilizimin e 120 miliardë eurove, duke rialokuar Fondet Strukturore dhe të Kohezionit, si dhe duke rritur kapacitetin huadhënës të Bankës Evropiane të Investimeve.
Në të vërtetë, ndonëse qeveritë evropiane janë pajtuar që të inkurajojnë absorbimin më të shpejtë të fondeve të BE-së në shtetet e prekura nga kriza, ato kanë refuzuar që të paguajnë në buxhetin e BE-së për të mundësuar shpërndarjen e fondit. Kjo kontradiktë sinjalizon se interesat nacionale vazhdojnë të mbizotërojnë në negociatat e BE-së për buxhet, negociata këto që shpesh shfrytëzohen për poenë të brendshëm politikë në shtetet anëtare. Po qe se nuk vihet në funksion një mekanizëm që lehtëson shpërndarjen e shpejtë të fondeve të BE-së, duke e shpëtuar buxhetin nga politizimi destruktiv, atëherë këto fonde nuk do të mund të përdoren për stimulimin e rritjes në kohë të krizës.
Jo të gjitha shtetet anëtare kontribuojnë në masë të njëjtë në buxhetin e BE-së: disa janë kontribuuese, derisa tjerat janë përfituese. Në fund të projekteve investuese, të financuara nga BE-ja – pagesa për të cilat arrihet marrëveshja dhe zbatohen në kornizën vjetore buxhetore – paratë i transferohen përfituesit. Paratë tek përfituesit neto paguhen nga kontribuesit neto.
Hyrja e parave të BE-së në një shtet paraqet daljen e parave nga shteti tjetër – dhe këto janë grante, jo hua. Si rezultat i kësaj, marrëveshja çdo shtatë vjet rreth shpenzimeve të përgjithshme nuk mjafton për shmangien e mospajtimeve rreth buxheteve vjetore. Sidoqoftë, mund të ndërmerren hapa për ta parandaluar ngërçin politik në negociatat për buxhetin, duke e rritur fleksibilitetin buxhetor, në mënyrë që ai të mund të përdoret për stimulimin e rritjes. Për shembull, mund të lejohen disa ndryshime mbi buxhet, ndonëse një gjë e tillë do të shkaktonte kundërthënie, duke e pasur parasysh se traktatet e BE-së parashohin që buxhetet të mbesin të balancuara gjatë tërë kohës.
Por, buxheti i BE-së tashmë ka mundësuar një formë indirekte të leverazhit: përdorimi nga Komisioni Evropian i garancive buxhetore për ngritjen e kapitalit në tregjet financiare. Këto fonde përdoren për t’u ofruar ndihmë financiare shteteve të BE-së që nuk janë anëtare të eurozonës përmes Mekanizmit Afatmesëm të Asistencës Financiare. Nëse e marrim parasysh MTFA-në, EFSM-në dhe pagesat për shtetet e treta shuma e përgjithshme këtë vit është 70.5 miliardë euro. Një shumë e caktuar mund të përdoret për huadhënie gjatë periudhës shtatëvjeçare, duke e respektuar objektivin afatmesëm të një buxheti të balancuar. Një përdorim i tillë i buxhetit të BE-së do ta plotësonte Mekanizmin e porsathemeluar për Stabilizim Evropian (pasardhëse e EFSM-së) dhe MTFA-në. Shtetet që po marrin ndihmën duhet ta kenë opsionin e aplikimit për një shpërndarje të fondeve të BE-së. Pas kërkesës së një shteti anëtar, Komisioni do ta kishte të drejtën të huazojë nga tregjet e kapitalit në pajtim me garancinë buxhetore të BE-së, derisa shuma maksimale do të përcaktohej nga përmasat e Fondeve Strukturore dhe Kohezive të papërdorura të shtetit. Kapitali do të ripaguhej në këste vjetore, derisa fondet do të viheshin në dispozicion përmes buxhetit të BE-së, derisa norma shtetërore e bashkëfinancimit do të vlente për pagat e interesit.
Një kornizë e tillë do të reduktonte mundësitë që negociatat për buxhetin vjetor të BE-së të përdoren për avancimin e agjendave politike. Kontribuuesit neto do të kishin punë me tregjet – një kreditor ky bindës. Në të njëjtën kohë, vendosja e kushtëzimeve në këtë lloj të shpërndarjes do ta rriste legjitimitetin, në krahasim me kornizën aktuale, në të cilën përfituesit kërkojnë të drejta.
Në të vërtetë, të gjitha shtetet e BE-së – jo vetëm anëtarët e eurozonës – do të përfitonin nga një kornizë e tillë. Një iniciativë e tillë do të mund të bashkekzistonte me propozimin e presidentit të Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, për krijimin e një mekanizmi për ndarjen e riskut vetëm për shtetet e eurozonës. Marrëveshja e modifikuar e rritjes do të alokonte në një mënyrë më efektive resurset evropiane dhe do ta rriste fleksibilitetin e transfereve të përhershme prej shteteve të pasura tek të varfrat – me kusht që paratë të përdoren për investime produktive. Buxheti i Van Rompuyt po ashtu do të ndihmonte në stabilizimin e eurozonës në rast që shoqet asimetrike të shfaqin nevojën për transfere të përkohshme prej shteteve të paprekura tek ato të goditura nga kriza. Në të vërtetë, këto dy instrumente mund ta plotësojnë njëra - tjetrën në shtetet e eurozonës. Krizat janë të lidhura në mënyrë tipike me ndikim jo vetëm në rritje, por edhe në potencialin e një shteti për rritje, si rezultat i rënies së investimeve. Një mekanizëm për ndarjen e riskut do ta kufizonte rënien e rritjes pas krizës, derisa investimet e financuara nga BE-ja do ta përforconin shtegun e një shteti drejt rritjes.
Autorja është bashkëpunëtore në Bruegel dhe ligjëruese e Politikës Ekonomike në Universitetin Udine. Shkrimi u botua së pari në “Project Sindycate”