E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg per zaptuesit

Kryetari i qeverisë premton shpërblimet e pronarëve. Kërkohet grup ekspertësh për vlerësimin e pronave

Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar dy projektligjet “Për legalizimet” dhe “Për titujt e pronësisë për bujqësinë”, duke i cilësuar si ligje të rëndësishëm për reformën e pronësisë. Gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar demokrat, kryeministri Berisha, duke folur për ndryshimet e propozuara në ligjin e legalizimeve, tha se “ato marrin parasysh interesat e pronarëve”. Duke shprehur vendosmërinë për dëmshpërblimin e pronarëve, kryeministri Berisha tha se “biznesmenët të cilët kanë ndërtuar në tokën e ish-pronarëve, do të jenë të detyruar t’i paguajnë çdo centimetër tokë atij që i kanë zënë truallin, përndryshe do të përballen me drejtësinë. “Nëse një person është bërë milioner me pronën e një pronari, duhet t’i përgjigjet atij qindarkë për qindarkë dhe nëse nuk i përgjigjet, atij duhet t’i kthehen në ditë vuajtje dënimi të gjithë dëmet”, deklaroi Berisha. Duke folur për mënyrën e kompensimit të pronarëve, kreu i qeverisë theksoi se është e domosdoshme rishikimi i formulës së përcaktimit të çmimit të tokës. “Ky problem i çmimit është bërë një ngërç shumë i madh dhe është shndërruar në një nga pengesat më serioze të zhvillimit të pronës, për shkak të falsitetit”, tha Berisha. Sipas tij, “mund të ketë ndonjë drejtori në Tiranë, që pronën e vlerëson 350 mijë lekë dhe me të vërtetë ajo pronë ka atë vlerë ose ndoshta më shumë, por nga ana tjetër, ka territore të tjera me mijëra kilometra katrorë, ku vlera nuk është as 10 euro, dhe vlerësohet me 150 euro”. Kjo, sipas kryeministrit Berisha, ka bllokuar procesin. Për këtë çështje, Berisha i kërkoi Ministrisë së Financave, asaj të Ekonomisë dhe Ministrisë së Bujqësisë që të ngrenë një grup ekspertësh. Ndërkohë, kryeministri kërkoi shqyrtimin e taksës së transferimit të pronësisë. Kryeministri Berisha vuri në dukje gjithashtu, se për vendin tonë mbetet një problem i madh lënia e tokës bujqësore pa punuar, ndërsa kërkoi nga ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, që të nisin negociatat me opozitën për këtë çështje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›