E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për qytetarët që smund të vetëmbrohen

IGLI TOTOZANI

Parimi i barazisë para ligjit, si një parim kushtetues, shtrihet në të gjithë anëtarët e shoqërisë, por ai është më i ndjeshëm për tu zbatuar dhe garantuar në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të individëve apo grupeve të rrezikuara dhe të margjinalizuara. Këto kategori nuk janë të afta të vetëmbrohen. As të bëjnë që të drejtat e tyre të respektohen me efikasitet dhe në mënyrë të suksesshme, ashtu sikurse anëtarët e tjerë të shoqërisë.
Ndihma juridike falas është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi për këtë kategori personash. Ajo ndihmon në zbatimin e një parimi tjetër të rëndësishëm: atë të së drejtës së qytetarëve për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Shqipëria prej vitit 2008 ka një ligj Për ndihmën juridike, sipas të cilit kanë të drejtën për ndihmë juridike falas – (për ndjekjen e çështjeve penale, civile ose administrative) – individët që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, të cilët janë pjesë e programeve të mbrojtjes sociale apo plotësojnë kushtet për tu përfshirë në to. Të drejtën për ndihmë juridike, sipas kushteve të përcaktuara në ligj, e kanë edhe të miturit apo viktimat e dhunës në familje, personat me aftësi të kufizuara, personat të cilët u përkasin minoriteteve apo një komuniteti të caktuar shoqëror.
Gjate këtyre viteve janë bërë hapa në drejtim të ngritjes së Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike, si autoriteti shtetëror përgjegjës për zbatimin e politikave shtetërore në dhënien e kësaj ndihme juridike. Ky është edhe organi kolegjial me vendimmarrjen e të cilit përcaktohen grupet dhe individët të cilët përfitojnë. Është për tu përshëndetur edhe miratimi i akteve nënligjore në zbatim të ligjit, nëpërmjet të cilave janë përcaktuar rregullat për paraqitjen e aplikimit nga individët apo grupimet shoqërore që kërkojnë të përfitojnë, rregullat e caktimit të avokatëve, zyrave të avokatisë dhe organizatave jofitimprurëse, të cilat do të ofrojnë ndihmën juridike, masën e shpërblimit të avokatëve që ofrojnë ndihmën juridike etj.
Kohët e fundit, shpeshherë pranë Avokatit të Popullit janë paraqitur, ndër të tjera, edhe kërkesa që janë jashtë funksioneve apo kompetencave të parashikuara në legjislacionin që rregullon veprimtarinë tonë, kërkesa nga individë apo grupe shoqërore, të cilat, për shkak të pamundësisë financiare të ndjekjes së çështjes individualisht apo edhe për kompleksitetin që ajo paraqet, kërkojnë që institucioni ynë ti ndihmojë dhe asistojë në ndjekjen e procedurave administrative apo gjyqësore të tyre.
Kërkesa të këtij lloji janë orientuar prej nesh për tu drejtuar pranë autoritetit shtetëror përgjegjës, Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike. Përveç orientimit të aplikimit në Komision, një pjesë e mirë e këtyre kërkesave të qytetarëve u janë përcjellë edhe OJF-ve në vijim të bashkëpunimit që institucioni i AP ka vendosur këto muajt e fundit me to. U kemi kërkuar të ndihmojnë, këshillojnë apo edhe të asistojnë këta individë në nevojë.
AP është maksimalisht i angazhuar për të garantuar zbatimin e parimeve kushtetuese të cituara më sipër (sidomos garantimin e aksesit në Drejtësi), por konstatojmë se edhe pse kanë kaluar më shumë se 3 vjet nga miratimi i ligjit Për ndihmën juridike dhe ka pasur zhvillime në zbatim të tij, përsëri ka çështje në të cilat zbatimi i tij është duke u kryer me hapa të ngadaltë.
Ndër problematikat që institucioni ynë ka konstatuar, por bazuar edhe në shqetësimet e paraqitura nga aleatët në punën tonë (organizatat e shoqërisë civile), do të veçonim:
1 – Mendojmë se tashmë 3 vjet pas krijimit, Komisioni Shtetëror i Ndihmës Juridike duhet të ketë raste konkrete ndihme dhe suksesi në ofrimin e saj dhe është për tu përshëndetur se ja rastet e para po shfaqen. Dhe kjo është një gjë e mirë. Vlerësojmë se transparenca është një element shumë i rëndësishëm i parimit të qeverisjes së mirë. 2 – Në këtë kontekst, transparenca e veprimtarisë së Komisionit Shtetëror të Ndihmës Juridike lidhur me vendimmarrjen e tij për subjektet që u miratohet dhënia e ndihmës ose jo, fondet e akorduara nga buxheti i shtetit për ofrimin e ndihmës juridike, kontratat e lidhura me avokatët dhe organizatat jofitimprurëse që do të ofrojnë shërbimin; është e rëndësishme.
3 – Trajtimin si raste me përparësi për dhënie ndihme juridike të grupeve të tilla si romët, personave me aftësi të kufizuara, fëmijët, gratë e dhunuara, personat përfitues të ndihmës ekonomike etj., si shtresat shumë më të varfra dhe me nivel të ulët arsimor në shoqëri, të cilat e kanë të pamundur që vetë të realizojnë aksesin në drejtësi; 4 – Lehtësimin e procedurave dhe të dokumentacionit që paraqitet për përfitimin e ndihmës juridike, duke shmangur shpenzimet e vetë individit dhe ndoshta duke parashikuar marrjen e këtij informacioni në mënyrë zyrtare nga vetë Komisioni Shtetëror i Ndihmës Juridike tek autoritetet shtetërore përgjegjëse. Mendojmë se procedurat dhe dokumentacioni kompleks cenon eksesin, por dhe vënien e së drejtës në vend;
5 – Vendosjen e tarifave ligjore më të favorshme për shpenzimet gjyqësore gjatë dhënies së ndihmës juridike për këtë kategori individësh apo grupimesh shoqërore;
6 – Krijimi i mundësisë për lista të hapura të avokatëve, me qëllim zgjedhjen nga vetë individi të avokatit që do ti ofrojë ndihmën juridike dhe më tej kalimin e tyre për vendimmarrje në Komision. Në këtë mënyrë do të shmanget subjektivizmi dhe abuzivizmi në përzgjedhjen e ofruesve të ndihmës juridike;
7 – Monitorimi nga Komisioni Shtetëror i Ndihmës Juridike i cilësisë së ndihmës juridike të ofruar nga avokatët apo organizatat jofitimprurëse, si një element shumë i rëndësishëm për garantimin dhe dhënien e drejtësisë ndaj cilitdo që pretendon se i është shkelur ajo.
Shqipëria synon të bëhet pjesë e familjes së madhe europiane, së cilës duhet ti bashkohet duke u përputhur me të jo vetëm institucionalisht, por dhe me praktikën dhe legjislacionin e saj. Shoqëria shqiptare dhe ne të gjithë së bashku duhet të tregojë se jemi një shoqëri që respekton parimin e barazisë para ligjit, të drejtat e liritë themelore të njeriut, si dhe garantojmë të drejtën e individit për gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Të gjitha veprimet tona të përbashkëta duhet të kryhen duke pasur në konsideratë përputhshmërinë me aktet ndërkombëtare të cilat Republika e Shqipërisë ka ratifikuar e në mënyrë të veçantë detyrimet që ka vendi ynë gjatë procesit të integrimit europian.
*Avokat i Popullit

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›