Si i vunë gjobë emigrantit shqiptar truproja e familjes Berisha dhe prokurori i Shkodrës
Ata njihen si banda e Kalasë së Dodës.
Në krye të tyre qëndron Rafi, ndërsa Fatos Skeja është një nga ushtarët.
I njohur më së shumti si shofer i Shkëlzen Berishës, Skeja fillimisht plagosi një kamerier për arsye krejt banale, duke terrorizuar opinionin publik.
Por pakkush e dinte se ai ishte një peshk i madh i Familjes.
Historitë e tij u bënë të shumta dhe një gardist i thjeshtë doli se lëvizte nëntokën e Tiranës.
Së fundmi ai është shoqëruar në polici pas hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për gjobëvënie?
Por si është e vërteta?
Shqip shkruan se gjithçka nis kur një emigrant shqiptar në SHBA, me origjinë nga Kalaja e Dodës në Dibër, bën një denoncim në Policinë e Shtetit.
Ai thotë se i është vënë një gjobë prej 100 mijë euro.
Do të të zhdukim ty dhe familjen, i thonë dhe i lënë edhe një vend ku të dorëzojë paratë.
Paratë do dorëzoheshin në rrugën që të çon për në Dajt.
Një automjet vjen aty, merr paratë dhe largohet me shpejtësi. Pas i vihen oficerë të shumtë policie, që e gjejnë mjetin të braktisur me paratë brenda.
Identifikimi i mjetit ka sjellë një rezultat befasues.
Ai i përkiste ish- kryeprokurorit të Kukësit, Xhevahir Lita, aktualisht prokuror në Shkodër.
Vetë Lita është thirrur për të dëshmuar për këtë çështje, por ka thënë se mjetin ia ka shitur Fatos Skejës.
Nuk dihet se çfarë ka deklaruar Skeja në polici, por mendohet se ai ka thënë se ia kanë vjedhur makinën./ep