Paradoksi, tashmë jemi ne që u dërgojmë para emigrantëve
Prej vitesh me radhë, pjesa më e madhe e familjeve shqiptare mbahej me të ardhurat e emigracionit. Por, tashmë gjërat kanë ndryshuar.
Ndërsa remitancat që emigrantët sjellin nga vendet ku jetojnë e punojnë drejt të afërmve në Shqipëri shënuan nivelin më të ulët të dekadës në gjashtë muajt e parë të 2013, për të dytin vit radhazi po vihet re tashmë një prirje e re: janë familjet shqiptare ato që po ndihmojnë të afërmit e tyre jashtë vendit, raporton Shqip.
Të dhënat bëhen të ditura nga bilanci i llogarive korente për tremujorin e dytë të vitit 2013, publikuar nga BSH. Për 6 muajt e parë të vitit, ky zë kishte një vlerë prej 4 milionë eurosh. Kryesisht janë prindërit ata që u dërgojnë para fëmijëve në shkollë, por ka dhe raste kur familjet në Shqipëri ndihmojnë të afërmit në Greqi e Itali, që mund të kenë mbetur të papunë. Nga ana tjetër janë edhe të huajt që punojnë në Shqipëri, që mund tu dërgojnë para familjeve në vendin e tyre të origjinës. Në kahun tjetër, paratë që emigrantët dërgojnë tek të afërmit e tyre në Shqipëri po vihet re një tendencë e fortë tkurrëse. Statistikat tregojnë se prurjet e emigrantëve për tremujorin e dytë ishin 105 milionë euro, niveli më i ulët historik, që nga viti 2004.