E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si ka ndikuar Pranvera Arabe në vendet e Mesdheut?

Zëvendës Presidenti i Parlamentit Evropian, Gianni Pittella, nënvizoi se Perëndimi dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të lexojnë si duhet dhe të nxjerrin mësime të rëndësishme nga ngjarjet në Mesdhe, sidomos nga Pranvera Arabe. Një nga këto mësime është se diktatorët, autokratët dhe udhëheqësit antidemokratë nuk duhet të mbështeten për asnjë motiv sepse dhunimi i parimeve dhe standardeve të demokracisë mund të shkaktojë pasoja të paparashikueshme dhe të rënda në jetën e popujve dhe stabilitetin e rajonit. Gjithashtu Zëvendës Presidenti Pittella bëri thirrje për përshtatjen e politikave migratore evropiane më mikpritëse ndaj valëve të emigrantëve prej vendeve në zhvillim dhe në tranzicion.

Deklarata u be në Forumin për Demokracinë në vendet e Mesdheut, pjesë e Kantierit të Ideve Euro-Mesdhetare, organizuar nga Rajoni i Umbrias në Itali. Në një nga panelet e Konferencës ishte dhe prof. Kosta Barjabës, dekan në Universitetin Mesdhetar ambasadorët e Maltës, Qipros (kryesuese e radhës e BE-së) dhe Tunizisë si edhe shkrimtarja dhe gazetarja e njohur italiane, Giuliana Sgrena.

Prof. Kosta Barjaba nënvizoi se Pranvera Arabe duhet tu shërbejë komunitetit ndërkombëtar, BE-së dhe Italisë si një sinjal për të mësuar dhe lexuar më mirë vullnetin e popujve të Mesdheut. Përveç autokratëve të Mesdheut të Jugut, në brigjet përballë Italisë, po ndërtohet një demokraci hibride, me themele të tronditura e të rrënuara për shkak të helmatisjes së proceseve zgjedhore dhe fabrikimit të rezultatit të tyre prej qeverisjes aktuale në Shqipëri. Duke mos u pajtuar me tolerimin e mentalitetit, sjelljes dhe veprimeve antidemokratike të regjimit shqiptar për shkak të stabilitetit rajonal, Barjaba nënvizoi se stabiliteti pa demokraci nuk është stabilitet, ashtu si demokracia pa stabilitet nuk është demokraci.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›