Si merret viza studentore amerikane
Konsulli amerikan në Shqipëri i është përgjigjur së fundmi interesimit të shumë të rinjve shqiptarë që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për pajisjen me vizë drejt këtij vendi. “Jam i interesuar për studime në SHBA. çfarë duhet të bëj?” Kjo është pyetja e parë me të cilën përballet çdo i ri që aspiron të kalojë “përtej detit” për të studiuar. Konsulli amerikan në Shqipëri përgjigjet duke treguar rrugën që duhet ndjekur dhe gabimet që nuk duhet të kryhen. Ai pohon se shumë studentë janë të interesuar të vazhdojnë studimet në SHBA. Studentët e shkollës së mesme dhe universitetit kanë mundësi të ndjekin studimet në SHBA. Studenti duhet të jetë i përgatitur mirë dhe të kualifikohet për një vizë studentore. Konsulli thekson se më parë çdo i interesuar për vizë studimesh duhet të jetë pranuar në një shkollë në SHBA. “Kufijtë amerikanë janë të hapur për udhëtarët e ligjshëm. Pikërisht vitin e kaluar, patëm numrin më të lartë të studentëve që studiuan në SHBA. Arsimi është një pjesë e rëndësishme e karrierës dhe zhvillimit personal dhe ne inkurajojmë studentët të konsiderojnë mundësinë për vazhdimin e studimeve ose në Shqipëri ose jashtë shtetit. Studentë (të universiteteve, fakulteteve, gjimnazeve, shkollave të mesme ose të larta) të të gjitha aftësive, duke përfshirë: të shurdhër, të verbër dhe ata me aftësi të kufizuara për të mësuar mund të gjejnë kolegje (universitete, fakultete, gjimnaze, shkolla të mesme ose të larta) në Shtetet e Bashkuara që mbështesin nevojat e tyre të veçanta të të mësuarit”, thuhet në shpjegimin që ofrohet nga konsullata amerikane në Shqipëri. Duke ju referuar përgjigjes së konsullit amerikan për këtë çështje saktësohet se cilat janë hapat që të filloni procesin.
Së pari, duhet të vendosni se në cilin program jeni të interesuar të plotësoni qëllimin e karrierës suaj. Së dyti, mendoni çfarë lloj buxheti mund të përballoni ju dhe familja juaj. Pasi të keni plotësuar të gjitha kërkesat dhe jeni pranuar në një program, do të merrni një formular I-20 dhe filloni procesin për vizën. Studentët që dëshirojnë të studiojnë në SHBA në shkollën e mesme apo në universitet duhen të punojnë shumë për të përmirësuar nivelin e gjuhës angleze, sepse gjuha angleze është e nevojshme për t'u pranuar në një shkollë, për t'u kualifikuar për një vizë të tillë, si dhe për të arritur suksese gjatë studimeve. Studentët në universitet duhet të mbajnë mend se shumica e universiteteve në SHBA zakonisht kërkojnë provime si SAT, ACT, dhe TOEFL, për t'u pranuar.
Programet për shkëmbimin e studentëve të shkollave të mesme ekzistojnë, por duhet të dyshoni dhe të bëni kujdes me noterët dhe përkthyesit që ju premtojnë se kundrejt një pagese shumë të lartë mund t’ju sigurojnë një vizë amerikane. Shumica e programeve janë me pagesë, por për programet e ligjshme të besueshme, do të gjeni informacion falas të disponueshëm në internet rreth kërkesave, tarifave, dhe masat mbrojtëse për sigurinë e studentëve. Ka edhe mundësi për të kryer studime për gjuhën angleze në SHBA, por shpesh është më i kushtueshëm se sa këtu.
Nëse në ndonjë rast, ndokush ju thotë që duhet të dorëzoni dokumente të falsifikuara, duhet të dini se nuk është e vërtetë dhe se do të shpenzoni paratë kot. Pasoja më e rëndë është që edhe më pas nuk do të kualifikoheni kurrë në të ardhmen për një vizë amerikane, as për vizën e bashkimit familjar dhe as për vizën e lotarisë amerikane.
Shumë studentë janë të shqetësuar për çmimin e studimeve në SHBA. Shkolla e mesme për të huajt si dhe universiteti për të gjithë nuk është falas në Amerikë. Kur jeni duke planifikuar për studimet tuaja, duhet të merrni parasysh që ka disa lloje bursash por studentëve të huaj nuk u jepet ndihmë financiare shtetërore. Një mundësi është të hetoni bursat që u jepen studentëve me talente të veçanta apo atyre me rezultate më të larta në provimet e pranimit. Ju lutem mos i krijoni vetes një pengesë për gjithë jetën për hyrjen në SHBA, duke dorëzuar dokumente financiare të falsifikuara apo nga sponsorë që nuk e kanë ndërmend t'ju sponsorizojnë në të vërtetë.
“Shumë studentë na pyesin, çfarë është SEVIS – Student and Exchange Visitor Information System, konfirmon konsulli amerikan. Ai shpjegon se SEVIS është një sistem interneti që përmban të dhëna të sakta dhe të përditësuara për studentët joemigrues, vizitorët shkëmbyes dhe familjarët e tyre. Duke përdorur SEVIS, shkollat njoftojnë Departamentin e Sigurisë Kombëtare (DSK) si dhe Departamentin e Shtetit rreth statusit të studentëve të huaj në SHBA. çdo aplikant për një vizë studentore duhet të ketë paguar për SEVIS, si edhe duhet të ketë një formular I-20 të miratuar.
Vizitoni faqen e internetit të Ambasadës Amerikane për të mësuar më shumë rreth kërkesave dhe dokumenteve të duhura për intervistën në konsullatë. Rreth studimeve në SHBA mund të gjeni të dhëna të rëndësishme në Qendrën e Burimit të Informacionit në Ambasadë, e cila gjendet në faqen e internetit të Ambasadës Amerikane.