E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjerak Karaiskaj: Një reformë e cunguar për trashëgiminë

Prezantimi i reformës së re për sistemin e trashëgimisë në Shqipëri është pasuar me reagime nga specialistë të fushës, të cilët ndajnë edhe mendime të ndryshme. Gjerak Karaiskaj, historian dhe ish-drejtor i Institutit të Monumenteve bën një analizë mbi këtë reformë

Ish-drejtori i Institutit të Monumenteve, Gjerak Karaiskaj, mendon se reforma e re e propozuar për sistemin e trashëgimisë së kulturës zgjidh vetëm pjesërisht problemet e menaxhimit të monumenteve. Prezantimi i pikave kryesore të kësaj reforme, hartuar nën udhëheqjen e Neritan Cekës, si këshilltar i Kryeministrit për çështjet e trashëgimisë, ka ngjallur reagimin e disa specialistëve të fushës. Sipas Karaiskajt, ndonëse Instituti i Monumenteve të Kulturës do të fuqizohet, ka probleme të mëdha në bjerrjen e nivelit dhe aktivitetit shkencor, të cilat nuk mund të zgjidhen përmes gradave të personave që mund të emërohen.

Zoti Karaiskaj, reforma e re e propozuar për sistemin e trashëgimisë kulturore parashikon fuqizim të Institutit të Monumenteve të Kulturës. Ju si e shihni këtë ide?

Që të flasim për këtë, fillimisht duhet të dimë se si u krijua Instituti i Monumenteve dhe çfarë detyre ka pasur. Instituti i Monumenteve u krijua në vitin 1965, duke dalë nga një grup më i hershëm, ai i kulturës materiale pranë Universitetit në Fakultetin e Historisë dhe Gjeografisë, ku ndodhej edhe grupi i arkeologjisë. Me iniciativën e Gani Strazimirit, i cili atëkohë ishte drejtor i grupit të kulturës materiale, u krijua Instituti i Monumenteve, ashtu siç kishte në shumë vende të tjera. Grupi i kulturës materiale kishte filluar ndërkohë punën me restaurime të monumenteve, të cilët përbënin një listë prej 80 objektesh. Ky Institut i krijuar në atë kohë quhej me përbuzje nga Akademia e Shkencave si instituti i llaçit dhe i tullave, kurse arkeologjia ishte një nga institutet më të preferuar dhe kishte një avantazh se kishte aq komunistë brenda sa as një Komitet Partie nuk i kishte. Instituti i Monumenteve, duke qenë larg vëmendjes, i shpëtoi syrit të Partisë dhe aty u futën ca kuadro që ia vlenin, sepse nuk bëhej një filtrim ideologjik siç ndodhte në institucione të tjera, gjë që binte ndesh me aftësitë profesionale. Ndërkohë, Aleksandër Meksi, i cili ishte specializuar në Itali, solli edhe literaturën e parë dhe u vendos që Instituti të merrej me studimet e monumenteve, sepse nuk mund të ketë restaurim pa studimin. Brenda pak vitesh, u gjurmuan e studiuan monumente, lista e të cilëve shkoi në 2000 të tillë dhe u specializuan njerëzit në disa fusha studimi dhe restaurimi. Në atë kohë, Instituti i Monumenteve ishte një rastësi, jo diçka e organizuar nga shteti apo nga Partia dhe dha ato rezultate që u panë në atë periudhë. Institucionin nuk e bën godina, por e bëjnë njerëzit.

Kjo reformë që ka nisur, ka pasur parasysh edhe nivelimin e kuadrove në të gjitha nivelet. Nuk është më ai Institut që ka qenë dikur dhe ajo diferencë kuadrosh të atij instituti me Drejtoritë Rajonale, por janë rrafshuar të gjitha në një nivel. Tani duhet krijuar një elitë tjetër dhe një diferencim kulturor e jo gradash administrative.

Zoti Ceka, teksa ka shpjeguar këtë reformë, ka theksuar se Drejtoritë Rajonale nuk do të zbatojnë më vetëm porositë që jepen nga ministria, sistemi do të jetë i centralizuar për sa i përket drejtimit shkencor dhe i decentralizuar për sa i përket kujdesit ndaj monumenteve. A e shihni si një faktor kryesor për ruajtjen e monumenteve?

Atelietë e monumenteve që janë sot Drejtoritë Rajonale u ngritën që me krijimin e IMK-së, për të zbatuar punimet restauruese. Kjo ndodhi edhe sepse nuk kishte aq kuadro sa të kishin një pavarësi. Që nga ajo kohë kanë kaluar 20 vjet. Për mendimin tim, Drejtoritë Rajonale duhet të funksionojnë si institute të vogla dhe t’u krijohen mundësitë shkencore. Më e mira për këto Drejtori Rajonale të Kulturës do të ishte nëse ato do të vareshin nga bashkitë e rretheve, por kjo do të mbetet e ardhmja e tyre. Për momentin është e parakohshme, sepse një veprim i tillë do ta degradonte fare trashëgiminë. Nën varësinë e IMK-së duhet të jenë gjithashtu edhe Parqet Arkeologjike, kurse për sa i përket muzeve arkeologjikë, Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik dhe Qendrës së Regjistrimit të Pasurive Kulturore, nuk mendoj se përfshirja apo mospërfshirja e tyre do të ketë ndikim.

Kështu siç është hartuar, a ndihmon kjo reformë në zgjidhjen e problemeve që ka sot fusha e trashëgimisë?

I zgjidh pjesërisht. Bëhet fjalë më shumë për marrëdhëniet mes Drejtorive Rajonale dhe Parqeve Arkeologjike me Institutin e Monumenteve. Por duhet bërë një punë shumë e madhe për t’i rikthyer aktivitetin shkencor IMK-së, në një kohë kur niveli shkencor i kuadrove është rralluar jo për mirë dhe kur nuk kemi asnjë strukturë tjetër që të garantojë studime të arkitekturës apo të monumenteve si trashëgimi dhe si art.

Cilat janë sipas jush problemet më të mprehta të trashëgimisë kulturore?

Janë disa: mungesave e fondeve, zgjedhja rastësore e monumenteve që duhen restauruar, përgatitja cilësore e projekteve të restaurimit, zbatimi cilësor i këtyre projekteve dhe studimi i monumenteve të kulturës.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›