E Shtunë, 31 Tetor 2026

RAMAZAN H. BOGDANI

“MJESHTëR I MADH” i etnokoreografisë

Me kënaqësi të veçantë mësova që kolegu dhe miku im prof. dr. Ramazan H. Bogdani ishte dekoruar nga Presidenti i Republikës me urdhrin “Mjeshtër i Madh” dhe se në një nga ditët e muajit prill do të zhvillohej ceremonia e dorëzimit të tij. Kjo buronte nga fakti se me Xanin (në të folurën miqësore) njihemi më së miri midis nesh, së bashku kemi një jetë të lidhur ngushtë me folklorin shqiptar, na lidhin sa e sa ekspedita të përbashkëta ngado ndër shqiptarë, si në Republikën e Shqipërisë, ashtu dhe në Kosovë, te shqiptarët e Maqedonisë, arbëreshët e Italisë; sa e sa punime dhe monografi të përbashkëta, sa e sa projekte të menduara dhe të realizuara së bashku. Ndaj ftesës për të folur në ceremoninë e dorëzimit të urdhrit të lartë, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë, iu përgjigja pa mëdyshje. Ndër të tjera, pranova të flisja në atë veprimtari jo vetëm nga shkaku i lidhjeve dhe veprimtarive të përbashkëta, që më kanë njohur më për së afërmi me punën e këtij studiuesi, e cila po nderohej në një shkallë të lartë, por edhe nisur nga fakti se e vlerësoj së tepërmi këtë akt të Presidentit, i cili nxjerr në pah sot pozicionin konfirmues në adresë të institucioneve tona shkencore të albanologjisë, ndaj identitetit kombëtar shqiptar, pa të cilin nuk mund të kuptojmë edhe rrugën drejt integrimit europian. Të gjithë neve, kolegëve të prof. dr. Ramazan H. Bogdanit, na vjen mirë ta shohim sot atë të vlerësuar e të nderuar për një punë të përkushtuar mbi 50-vjeçare.

Etnokoreologjia shqiptare, si shkencë e mirëfilltë, është me fillesë relativisht të vonë, ndonëse vallëzimi popullor shqiptar paraqitet mjaft i lashtë, pohim që mund të bëhet nisur së brendshmi nga vetë strukturat dhe formacionet koreografike, që shpalos ky vallëzim, si dhe nga dëshmi të natyrave të ndryshme, të lëna nga udhëtarë, vizitorë apo edhe ndonjë dokument i shkruar që në periudha të hershme kohore. Ajo nis kryesisht në vitet ’60 të shekullit të kaluar, me krijimin e ish-Institutit të Folklorit. Që në zanafillë, me studimin e valleve popullore përgjithësisht u morën valltarë profesionistë, me formim universitar në degë të tjera. Midis 3-4 të tillëve u veçua kolegu ynë R. H. Bogdani, i cili deri sa e nxorën në pension (siç dëshiron të shprehet ai), pati kohëqëndrimin më të gjatë në një institucion shkencor, që merret konkretisht vetëm me folklorin shqiptar.

Do të shënonim këtu se R. Bogdani, jo në mënyrë të rastësishme, u lidh me etnokoreografinë shqiptare. Gjatë kohës që ai ishte valltar solist dhe koreograf në Filarmoninë Shqiptare dhe në Ansamblin e Këngëve dhe të Valleve Popullore, vazhdoi studimet universitare, duke realizuar për mbrojtje diplome një temë nga etnokoreografia shqiptare. Ishte viti 1967, kur në një farë mënyre ai shkëputet nga arti i kultivuar dhe i përkushtohet krejtësisht folklorit koreografik shqiptar, si punonjës shkencor i Institutit të Folklorit dhe më vonë i Institutit të Kulturës Popullore, për një kohë mjaft të gjatë. Puna e tij sistematike në terren, ngulmimi dhe interesat gjithëpërfshirëse për vallet popullore ngado në hapësirat shqiptare, e rritën si studiues dhe ai, në mënyrë autodidakte formësoi metodikën shkencore për mbledhjen, analizën dhe studimin e valleve popullore shqiptare. Fillimisht realizoi ekspedita kërkimore shkencore në terren dhe shumë shpejt filloi të shkruante rreth lëndës koreografike që vetë kishte regjistruar. Emri i tij fillon dhe shpaloset në organe të ndryshme, si në ato të natyrës shkencore, ashtu dhe në shtypin popullarizues.

U formua kolegu ynë dhe gradualisht u bë jo vetëm një nga etnokoreologët më të njohur shqiptarë, por edhe një nga përfaqësuesit kryesorë të institucioneve kërkimore shkencore, të specializuara për folklorin. Me kohë, për merita të tij, ai u zgjodh në organizmat drejtuese të këtyre institucioneve, si anëtar i këshillave shkencore, i redaksive të revistës shkencore “Kultura popullore” dhe përmbledhësit “çështje të folklorit shqiptar”, u caktua për një kohë relativisht të gjatë përgjegjës i departamentit të etnomuzikologjisë dhe të etnokoreologjisë. Duhet thënë se prof. dr. R. H. Bogdani ka qenë për vite me radhë edhe një nga organizatorët dhe drejtuesit shkencorë të veprimtarive të ndryshme folklorike, deri në nivelin e festivaleve folklorike kombëtare. Diskutimet dhe kumtimet e tij ishin gjithnjë të mirëpritura në këto veprimtari të rëndësishme të jetës shqiptare. Jo vetëm kaq. Duke qenë përfaqësuesi më i njohur nga institucionet shkencore shqiptare për fushën e etnokoreologjisë, prof. dr. R. H. Bogdani u bë një nga anëtarët e Grupit Studimor Ndërkombëtar për Etnokoreologjinë, pranë UNESCO-s.

Por, ndonëse R. H. Bogdani ia kushtoi punën e vet kryesore mbledhjes, botimit dhe studimit të vallëzimit popullor shqiptar, ai nuk mundi të shkëputej krejtësisht as nga krijimtaria e kultivuar dhe nga kritika për të, duke shënuar rezultate të mirëpritura. Emri i mirë që gëzonte ndër kolegët koreografë bënte të mundur besimin tek aftësitë e tij për ndihmesë në vënien në skenë të valleve të natyrave të ndryshme, kryesisht mbështetur në tabanin popullor, në institucione të tilla si Ansambli i Këngëve dhe i Valleve Popullore, por dhe në ansamble të tjera, profesioniste dhe amatore.

Njëkohësisht, ai ishte dhe një nga ekspertët vlerësues të krijimtarisë së koreografëve të tjerë, në komisione të ngritura posaçërisht apo në shtypin shkencor ose atë të përditshëm. Për më tepër, për periudha të caktuara kohore ka qenë anëtar i Këshillit Artistik të Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve Popullore.

Afirmimi si studiues pasionant dhe autoritar, puna e tij e deritanishme e rendit R. Bogdanin, padyshim, në vend të parë të etnokoreologjisë shqiptare, nisur kjo, së pari, dhe nga njësitë etnokoreografike të mbledhura e të sistemuara në arkivin përkatës të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe të Studimit të Artit (mbi 100 filma shkencorë), nga numri i artikujve studimorë të botuar (mbi 100 të tillë), nga veprimtaria pedagogjike (mësimdhënia në nivele të ndryshme, udhëheqja e temave të diplomave dhe mbrojtja e disertacioneve të niveleve të ndryshme), nga pjesëmarrja në veprimtaritë shkencore brenda e jashtë vendit, nga numri i librave të botuar (13 tituj).

Të gjitha këto, natyrisht, thënë përmbledhtazi, kanë ndikuar në formimin e një stili të caktuar, të një individualiteti, që na vjen nga trajtesa të një plani më të ngushtë lokal, krahinor, deri në përgjithësime të nivelit mbarëshqiptar, në përpjekje për të mbuluar njësi sa më përfaqësuese në rrafsh kombëtar. Shkroi dhe botoi fillimisht libra të veçantë, si “Në truallin e valles popullore” (1975) dhe “Të njohim vallet popullore” (1976), të cilët janë sprova e parë për të kaluar më tej në hartimin dhe botimin e monografive të ndryshme. Fillimisht shkroi dhe publikoi për Hasin, brenda kufijve shtetërorë, në Veri, në kohë më të vona edhe për Hasin në Kosovë; për Lunxhërinë, në Jug; për fshatrat e Tiranës, në Shqipërinë e Mesme; për Shkodrën në Veri; për të arritur deri te vepra e tij, sipas mendimit tim, më e realizuar në plan përgjithësues, siç është “Vallëzimi popullor shqiptar”.Këtë botim nuk e theksova rastësisht, por nisur nga fakti se përmes tij autori sjell këndvështrime të ndryshme për vallëzimin popullor shqiptar, në një periudhë kur ai kishte arritur një formim solid, deri në përvetësimin dhe zbatimin për herë të parë për vallet popullore shqiptare të një prej sistemeve të shenjëzimit ndërkombëtar, siç është ai Laban. Por prof. Bogdani ka shkruar dhe botuar edhe libra për marrëdhëniet e artit të kultivuar koreografik me folklorin koreografik, krahas ndonjë botimi kushtuar vetëm artit koreografik të kultivuar, siç është “Koreografi dhe art i kultivuar” (1998).

Ajo që desha të theksoj veçanërisht është se edhe sot, që ka disa vite në pension, prof. Bogdani nuk rri dot “rehat”. Qëndrimi “rehat” për Xanin, pa atë përkushtimin e përditshëm ndaj folklorit koreografik atë e trishton, e bën nervoz, Xani aty vazhdon të gjejë një nga motivet kryesore të jetës së tij. Duke ngulmuar të thyejë kornizën e të dalit në pension, po punon për realizimin e një projekti të rëndësishëm, që ia ka vënë vetes si një detyrim moral. është fjala për kolanën e formuluar prej tij me emërtimin “Etnokoreografi”, nga e cila tashmë kanë parë dritën e botimit dy vëllimet e para nga pesë të parashikuara. Këto vëllime janë një përpjekje e autorit për të përgjithësuar të gjithë përvojën e vet shumëvjeçare, të cilën të gjithë ata që do të merren me etnokoreologjinë shqiptare do t’i kenë të plota në duart e tyre dhe jo të shpërndara në organe të ndryshme. Por në vëllimet e botuara dhe sipas autorit edhe në vëllimet e ardhshme, janë bërë dhe do të bëhen përpjekje për të sjellë dhe vështrime të përmasave të ndryshme për folklorin koreografik të një numri popujsh të tjerë, të cilët profesor Bogdani i ka parë nga afër gjatë atyre mundësive që i janë krijuar.

Në tërësinë e punëve të R. Bogdanit shohim përpjekjet dhe përkushtimin e tij për të sjellë specifikat dhe karakteristikat e etnokoreologjisë shqiptare. Krahas prurjeve nëpërmjet analizave dhe përgjithësimeve, rrugë të zakonshme këto për kërkimin shkencor, R. Bogdani i mëshon dhe është skrupuloz edhe për sa i përket dhënies së kuptimit të valleve nga bartësit e tyre, mbresat e emocionet nga mjediset dhe kushtet në të cilat janë përcjellë vallet, trajtimi dhe portretizimi i figurave të bartësve më të dalluar, jo vetëm të valleve, hedhja dritë në hershmërinë e praktikimit të valleve, festivaleve dhe veprimtarive të tjera folklorike etj. Nëpërmjet kësaj mënyre trajtimi, librat e tij janë më të gjithëpërdorshëm, zgjerojnë bazën informative dhe intriguese, si dhe sjellin përfundime më bindëse. Në fund të fundit, trajtesa të kësaj natyre sikur shprehin dhe shpalosin më gjerësisht rrjedhat etnopsikologjike të bartësve të valleve popullore.

Të vlerësosh punën e një kolegu është detyrë, por dhe përgjegjësi, pasi ke të bësh me përvojën e tij të madhe, me emrin e mirë të krijuar, me mundin dhe me djersën e derdhur prej tij, me arritjet… Ndonëse nuk jam specialist i mirëfilltë në fushën e tij, bashkëpunimi i ngushtë në 30 vite na ka afruar dhe në lëndët tona të veçanta, ndaj dhe këto vlerësime pozitive për Xanin më vijnë natyrshëm.

Puna e prof. Bogdanit paraqitet sot voluminoze, me pikësynime të qarta e përfundime përgjithësisht të drejta. Ajo është dhe do të jetë një ndihmesë e çmuar për të gjithë ata që do të merren me nxjerrjen në pah të folklorit tonë të pasur e të larmishëm koreografik.

Së fundmi, duke i dëshiruar kolegut dhe mikut tim jetë të gjatë dhe suksese në punët e tij në vazhdimësi, të cilat nuk i ka ndërprerë asnjëherë, e uroj sinqerisht për akordimin nga ana e Presidentit të Republikës të urdhrit “Mjeshtër i Madh”, i cili është njëkohësisht një vlerësim i madh për njeriun e punës. Natyrisht, vlerësime të tilla nxisin jo vetëm personin konkret, por edhe të gjithë studiuesit e fushave të albanologjisë. Ato funksionojnë si një detyrim normal, për të nxjerrë në pah figurat më të spikatura që ia kanë kushtuar të gjithë jetën e tyre kërkimit, regjistrimit, botimit dhe studimit të etnokulturës shqiptare, si një nga dëshmitë e rëndësishme dhe të pakontestueshme të identitetit kombëtar shqiptar.

Prof. dr. Agron Xhagolli

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›