E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si të kujdesemi për higjienën intime gjatë verës

Gjatë verës, përveç të nxehtit, i cili rrit mundësinë e zhvillimit të infeksioneve të ndryshme në trup, është shumë e rëndësishme të kemi një higjienë të mirë të pjesëve intime. Aparati gjenital femëror ka në vetvete mekanizma mbrojtës fiziologjikë që kooperojnë për ta mbrojtur atë nga dyndja dhe shumimi i mikroorganizmave jashtëzakonisht patogjenë, si dhe për të mbajtur ekuilibrin delikat.

Aciditeti vaginal (zakonisht tregohet nga një vlerë e pH) përbën mbrojtjen më të rëndësishme: përveç ruajtjes së paprekshmërisë dhe elasticitetit të mukozës, të mbron edhe nga infeksionet e jashtme. Aciditeti vaginal garantohet nga një bakter, doderlein, i cili është i pranishëm në vaginë dhe që bën të gjithë acidifikimin e zonës. Një tjetër mekanizëm mbrojtës përfaqësohet nga struktura anatomike "e mbyllur" e aparatit gjenital femëror, e cila zëvendëson një lloj barriere mekanike.

Gjatë një terapie me ilaçe, ose gjatë momenteve të ndryshme të jetës, kur jeni në moshën e pubertetit, në menopauzë, ose gjatë një periudhe stresuese, ekuilibri delikat i florës bakteriale vaginale mund të ndryshojë duke shkaktuar inflamacion.

Inflamacionet e aparatit gjenital femëror të tipit bakterial, alergjik, irritues ose traumaik, janë të zakonshme. Në të gjithë këto raste një higjienë intime e mirë është jashtëzakonisht e rëndësishme, edhe pse jo gjithmonë, kjo mund ta zgjidhë problemin.

Cilat janë detergjentet e duhura

Rregulli i parë për një higjienë intime të mirë është larja (një ose dy herë në ditë) e rregullt me detergjentin e duhur që përmban një pH rreth 5-ës, për t‘iu përmbajtur aciditetit normal të vaginës. Sapunët e zakonshëm nuk janë të këshillueshëm për higjienën intime, sepse nuk kanë një pH të përshtatshëm (në fakt janë alkalinë). Shpesh produktet për higjienën intime që gjendjen në treg përmbajnë acid laktik, element i cili natyrisht është i pranishëm në vaginë dhe ekstrakte bimore; mes tyre mëllaga, bliri dhe kamomili për vetitë qetësuese, mentoli dhe eukalipti për vetitë freskuese, aloe për vetitë zbutëse dhe hidratuese, si dhe sherbela për vetitë e butësisë.

Mes kësaj game të gjerë produktesh higjienike që gjenden në treg, duhet të zgjidhni atë që i përshtatet lëkurës suaj. Kështu për shembull, disa detergjente të cilat përmbajnë substanca si triklosani, janë në gjendje të çlirojnë klor e jod dhe si pasojë të kryejnë një funksion antibakterial. Këto lloj produktesh mund të përdoren kur keni ndonjë infeksion.

Gjatë menopauzës, për shkak të uljes së nivelit të estrogjeneve, mukoza vaginale thahet, për shkak të mungesës së hidratimit. Kjo mund të shkaktojë dobësimin e qelizave, ulje të elasticitetit, irritim dhe infeksione. Në këto raste mund t‘i drejtoheni detergjenteve intime delikate, me funksion hidratues. Gjithashtu, mund të përdorni xhel ose kremra lagës për mukozën vaginale. Këto produkte janë me bazë substancash hidratuese si aloe-vera, kamomili, mëllaga ose bliri dhe kanë veti qetësuese, zbutëse dhe freskuese.

Disa këshilla

Përdorni gjithmonë mbathje pambuku ose me fibra natyrale, të cilat lejojnë ajrosjen e lëkurës. Shmangni najlonin dhe fibrat sintetike përditë. Gjithashtu, veshjet e ngushta dhe sintetike pengojnë ajrosjen dhe rrisnin lagështirën në trup, duke bërë kështu të rritet edhe rreziku i shumë infeksioneve.

Kur pastroni pjesët intime (por edhe kur përdorni letër higjienike) është mirë të procedoni nga para pas, pra nga pjesa vaginale drejt asaj anale dhe jo anasjelltas, për të shmangur kështu që bakteret e fekaleve të infektojnë vaginën dhe rrugët urinare.

Pas larjes me sapun (nuk është e këshillueshme, por që mund të përdoret kur nuk mbetet zgjedhje tjetër), shpërlahuni me ujë të rrjedhshëm për të pastruar ndonjë copëz të mbetur sapuni. E njëjta gjë vlen për detergjentet e rrobave kur ato mbeten në mbathje. Në momentin që bien në kontakt me sekrecionet vaginale, mund të shkrihen dhe të shkaktojnë irritim.

Gjatë ciklit menstrual ndërrohuni shpesh, edhe nëse nuk keni shumë prurje. Nëse lëkura është shumë e ndjeshme, duhet të përdorni vetëm garza pambuku.

Nëse përdorni thithës të brendshëm (tamponë) kujtohuni t‘i ndërroni shpesh (të paktën çdo katër orë) dhe të mos i përdorni gjatë natës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›