Ia nisin me asfalt

Makineria e rëndë e kompanisë Bechtel&Enka ka filluar asfaltimin e 34 kilometrave të para të autostradës Vërmicë-Merdar.
Dinamika e punës në realizimin e projektit më të madh të infrastrukturës në vend ka hyrë në një fazë intensive.
Madje pas disa muaj punimesh, kompania ndërtuese ka arritur që të përgatitet edhe për të shtruar me asfalt tri seksionet e para të autostradës “Ibrahim Rugova”, e cila pritet të jetë e gatshme për qarkullim në fund të tetorit.
Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, në vizitën e parë publike në këtë projekt, punën e kompanisë ndërtuese e ka vlerësuar lart, duke thënë se në këtë projekt po bëhet punë rekorde.
Nuk ka hezituar edhe t’i japë lëvdata Qeverisë që drejton.
“Asfaltimi i autostradës po fillon në një kohë rekorde, apo mund të them para afatit të planifikuar”, ka thënë Thaçi.
Autostradën ai e ka cilësuar projekt historik për Kosovën europiane.
“Kjo autostradë është për një shtet të zhvilluar, për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe për të ardhmen e tyre”.
Kryeministri tha se janë duke planifikuar që të fillojnë edhe me seksionin e pestë - nga Duhla në drejtim të Arllatit, pastaj në drejtim të Prishtinës.
Me këtë projekt, sipas tij, janë duke përfituar financiarisht edhe kompanitë vendore, të cilat janë kontraktuar nga Bechtel&Enka.
E, rezultatet në punimet e autostradës ia ka dedikuar edhe transparencës që prej fillimit ka qenë në këtë projekt, megjithëse kontrata e kësaj kompanie ende nuk është bërë publike nga zyrtarët qeveritarë.
“Kjo është vizita ime e parë publike, sepse nuk kam dashur që në asnjë rrethanë t’i jap ndonjë konotacion politik autostradës apo ndonjë reflektim elektoral. Prandaj, sot jam këtu për t’i uruar qytetarët e vendit për këtë projekt madhështor që po modernizon shtetin tonë dhe shoqërinë tonë”, tha Thaçi.
Doren Mort, menaxher i projektit nga “Bektel&Enka”, ka thënë se me ndihmën e Qeverisë kanë qenë në gjendje të fillonin punën dhe të vazhdonin me sukses në të tri seksionet.
Ai tha se edhe pjesa më e madhe urave ka përfunduar dhe puna në gërmime ka përfunduar gjithashtu.
“Sot arritëm një objektiv të rëndësishëm siç ishte fillimi i asfaltimit. Ne do të vazhdojmë edhe në verë me asfaltimin në drejtim të Morinës, për të përmbyllur më 30 tetor hapjen e autostradës, për çka ne kemi 2 mijë e 500 punëtorë dhe 1 mijë e 500 mjete në terren dhe për të arritur në përfundim do të jenë edhe më shumë mjete dhe njerëz”, tha Mort.
Ai ndër të tjera ka përmendur edhe bashkëpunimin e mirë që kanë me kompanitë vendore, autoritetet lokale si dhe Qeverinë. Deri më tani tha se kanë angazhuar rreth 2500 punëtorë dhe shumë makineri dhe se deri në përfundim të punimeve shumë më shumë punëtorë dhe makineri do të angazhojnë.
E, traseja e autostradës parashihet të kalojë në tetë komuna, në gjatësi prej 118 kilometrash dhe me asfalt do të mbulohen 1062 hektarë tokë. Korridori, në të cilin parashikohet të kalojë autostrada Merdar-Vërmicë, është shpallur zonë e interesit të veçantë nga Kuvendi i Kosovës. Kjo autostradë do të lidhet me autostradën Durrës-Morin dhe do të jetë arteria kryesore e vendit për lidhje me Adriatikun. Ministria e Financave gjatë vitit të kaluar ka përfunduar vlerësimin për 43 kilometra tokë dhe ka ndarë 15.5 milionë euro për tokat e vlerësuara, ndërsa gjatë këtij viti, për këtë proces do t’i ketë në dispozicion 23 milionë euro. Ndërsa punimet kanë filluar në prill të vitit të kaluar, e afati i paraparë për përfundimin e saj është brenda 36 muajsh që nga dita e fillimit të punimeve. Sivjet pjesën më të madhe të buxhetit të Ministrisë së Infrastrukturës e gëlltit autostrada. Nga 276 milionë euro sa janë ndarë nga buxheti i vitit 2011 për këtë ministri, 225 milionë do të shkojnë në realizimin e punimeve në autostradë. Ndërsa, gjithsej mjetet për realizimin e këtij projekti, llogariten të jenë rreth 800 milionë euro, të cilat do të sigurohen nga buxheti i Kosovës, donatorët dhe në rast nevoje, edhe nga marrja e kredive me kushte të volitshme, por jo sikur kreditë të cilat i ofrojnë bankat që operojnë në Kosovë.
Ndryshe, ky projekt është nisur gjatë kohës kur ministër i Transportit ishte Fatmir Limaj. Por, të premten, ai nuk ka qenë i pranishëm në shtrimin e pjesës së parë të asfaltit të autostradës. Kohët e fundit, raportet mes Limajt dhe Thaçit nuk kanë qenë të mira, pas kundërshtimeve që ish-Ministri kishte për zgjedhjen e Behgjet Pacollit në postin e Presidentit të Kosovës.
Autostrada në tetor
Punimet në autostradën Vërmicë-Merdar kanë filluar në prill të vitit të kaluar, ndërsa afati i paraparë për përfundimin e saj, është brenda 36 muajve që nga dita e fillimit të punimeve. E, traseja e autostradës parashihet të kalojë në tetë komuna, në gjatësi prej 118 kilometrash dhe me asfalt do të mbulohen 1062 hektarë tokë. Ndërsa tre seksionet e para të autostradës pritet të jenë të gatshme për qarkullim në fund të tetorit. Mjetet për realizimin e këtij projekti, që llogariten të jenë rreth 800 milionë euro, do të sigurohen nga buxheti i Kosovës, donatorët dhe në rast nevoje, edhe nga marrja e kredive me kushte të volitshme, por jo sikur kreditë të cilat i ofrojnë bankat që operojnë në Kosovë.