Si u shpall armik inxhinieri polak që zbuloi naftën në Kuçovë e Patos

Pr. Zuber Stanisllav, gjate nje ekspedite ne vitin 1942, ne kucove
Shqipëria pati rastin fatlum të përfitonte nga kontributi 20-vjeçar i njërit prej shkencëtarëve të shquar të Europës së shekullit XX, por nuk e vlerësoi kurrë. Çuditërisht, mrekullia që ofroi profesor Zuber Stanisllav, për të u shpërblye me sjelljen brutale dhe persekutimin absurd të regjimit të pasluftës në Tiranë
Më shumë se një histori e trishtë, ajo që përshkruan gazetari polak, Stanisllav Carniecki, në revistën shkencore Kamenie të Varshavës, është një dramë e tmerrshme ku përballen ashpër virtyti me paradoksin, njerëzorja me brutalen, mirënjohja me shpërfilljen, e vërteta me misterin. Një metamorfozë komplekse e zbuluar nga hulumtimet e Carnieckit në kërkim të gjurmëve të Zuberit, bashkëkombësit të vet, inxhinierit të naftës me famë botërore, që shqiptarët e zhdukën në kushte misterioze, kur duhej ti bënin përmendoren. E zbardhur në polonisht për herë të parë në fillimin e viteve 90, drama e Zuber Stanisllavit nuk mund të mos ngacmonte kujtesën e bashkëkohësve të pakt që vazhdojnë të jetojnë në Shqipëri. Për ta, e vërteta mbi fatin e tij ishte koleksionuar si një brengë lënduese, e cila bëhej më e dhimbshme nga fakti që nuk duhej folur kurrë për të. Një sjellje paradoksale kjo e urdhëruar nga regjimi për inxhinierin gjenial që punoi në nga viti 1927 deri në vitin 1947 dhe kontribuoi si rallë kush për zhvillimin e gjeologjisë dhe zbulimin e zonave naftëmbajtëse, për autorin e hartës së parë tektonike dhe gjeografike shqiptare të shkallëve respektive 1:4000.000 dhe 1: 200.000, për zbuluesin e dhjetëra burimeve minerale dhe krijuesin e muzeut të parë gjeologjik shqiptar etj. Fakti që Zuberi në kohën e gabuar u gjend në vendin e gabuar, përbën thelbin e tragjedisë së tij, shkruan gazetari Stanisllav Carniecki te Letra nga e kaluara, duke iu referuar regjimit komunist që u vendos në Shqipëri dhe fundit tragjik të inxhinierit të famshëm në qelitë e burgut të Tiranës në orët e vona të 18 tetorit 1947. Po kush ishte Profesor Stanisllav Zuberit, cilat ishin kualitetet e tij shkencore, në çfarë rrethanash u gjend në vendin tonë, çfarë realizoi në kohën e monarkisë e të komunizmit, cilat ishin lidhjet e tij me institucionet shkencore dhe korifenjtë e shkencave europiane të kohës, pse u penalizua nga Sigurimi i Shtetit dhe si u zhduk pa lënë gjurmë në Tiranën e pasluftës. Në përgjigje të këtyre dhe enigmave të tjera, gazeta Panorama duke iu referuar dosjes së Policisë Sekrete dhe kujtimeve të bashkëkohësve, zbardh për herë të parë profilin e panjohur të profesorit të shquar Zuber Stanisllavit dhe çastet fatale mbrëmjen e vonë të 18 tetorit të 47-s, në qelitë e burgut të Tiranës…
JetëshKrimi i sekretuar në dosjen e Hetuesisë
I kryqëzuar me akuzën e agjentit dhe sabotatorit të ekonomisë socialiste, Stanisllav Zuber, lindur në Elvuf me banim në Kuçovë, me kombësi polake, doktoruar më 1924 në Gjeologji, njohës i polonishtes, rusishtes, gjermanishtes, frëngjishtes, anglishtes, italishtes, shqipes, serbishtes, greqishtes, arabishtes, persishtes e armenishtes, rrëfehej mbrëmjen e 16 qershor 1947 në zyrat e Sigurimit të Shtetit në Tiranë, fillimisht mbi rrethanat në të cilat ishte gjendur në vendin tonë. Stanisllav u tregonte hetuesve të Mbrojtjes së Popullit (ky ishte emërtimi i organeve të Sigurimit-shënim i red.) se para mbërritjes në Shqipëri, në mesin e vitit 1926 kishte marrë një ofertë nga shoqëria e njohur italiane AGIP, e cila operonte edhe në Shqipëri për tu përfshirë në studimin gjeologjik në Mal të Zi. Përvoja dhe njohja me studimin mbi gjeologjinë shqiptare aty, i shërbyen për tu orientuar shpejt në hulumtimet në territorin tonë, të cilat i nisi me kërkimet në zonën e Kuçovës. Pra, qysh nga viti 1927, Stanisllav u bë protagonisti kryesor i projekteve për zbulimin e burimeve naftëmbajtëse në Shqipëri. Njëherazi me përpjekjet për kompletimin e studimit mbi gjeologjinë shqiptare në tërësi, Zuberi kryen disa kualifikime profesionale në universitetet më prestigjoze të kohës. Në shtator të vitit 1930 nënshkruan përfundimet e para për zonën e Beratit, ku konfirmon zyrtarisht zona më interesante vajgurore të Shqipërisë. Në vitin 1933, i përzgjedhur nga autoritetet e kohës, udhëheq ekspeditën gjeologjike për studimin themeltar të ujësjellësit të Selitës në Tiranë. Njëherazi vazhdon kërkimet në zonën e Shpatit të Elbasanit, duke zgjeruar hartën e zonave vajgurore. Në tetor 1934 vendoset për disa kohë në zonën midis Elbasanit, Korçës, Vithkuqit dhe Përmetit dhe udhëheq nga afër ekspeditat për kërkime vajgurore e minerali bakri. Nga korriku i 1935 e deri në çlirimin e vendit, Zuberi banon në sa në Kuçovë e në Vlorë. Gjatë bombardimeve të aleatëve në Jug të vendit humbi bashkëshorten. Në periudhën e pasluftës, në pritje të riatdhesimit, punoi si këshilltar pranë Nako Spiros që asokohe kryente detyrën e ministrit të Ekonomisë
Sinjalet e para nga Kuçova: Zuberi i dyshimtë
Zuber Stanisllavi, inxhinieri polak me rezidencë prej 20 vitesh në Kuçovë, u bë objekt i njerëzve të sigurimit, qysh ditët e para të pasluftës. Teksa vendi ende nuk po merrte frymë lirisht, zyrtarët e Kantierit të Naftës, emëruar rishtazi, e vlerësonin praninë e tij si pjesë të fshehur të okupatorit tashmë të dëbuar. Raporti i parë zyrtar që denoncon profesorin polak për veprimtari reaksionare e agjenturore i adresohej Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit me datën 24 tetor 1945. Hipoteza e autoriteteve lokale, në këtë rast gjeti angazhimin maksimal të strukturave drejtuese të shtetit të ri, të cilat pas çdo të huaji shikonin një të dyshuar potencial. Të dhënat e mëtejshme të dosjes Zuberi, pasqyrojnë informacionet e vëzhguesve të shumtë që ndjekin hap pas hapi çdo lëvizje të profesorit polak që endet sa në Kuçovë në Tiranë, gjithnjë në funksion të pasionit të tij për të kompletuar studimet për zonat naftëmbajtëse të Shqipërisë. Sakaq, inxhinieri i njohur edhe përtej Europës, punon gjithë përkushtim për të identifikuar vendburime të ujit të pijshëm për disa nga qytetet e Shqipërisë së Mesme. Në pritje të riatdhesimit, Stanisllav mban lidhje të afërta me bashkëpunëtorët vendas dhe diskuton me ta për arsenalin e kërkimeve 20-vjeçare dhe prespektivën e tyre në Shqipëri. Pas shpinës së tij, të tjerët vazhdojnë ta gjurmojnë ku shkon, kë takon, çfarë bisedon dhe artikulojnë raporte agjenturore për rrezikshmërinë e tij si pjesë e kontigjentit armiqësor të regjimit të Tiranës
Si ndiqej Stanislavi
Në krye të një dokumenti të datës 17. VII. 1946, nënshkruar nga major Vango Mitrojorgji, asokohe shef i seksionit të sigurimit, jepet në mënyrë të përmbledhur biografia e inxhinierit polak që punonte në Shqipëri që prej 20 vitesh. Zuber Stanisllav, inxhinier, profesor, nënshtetas polak, shkruhet në të, punon në Minierën e Rubikut dhe varet nga Ministria e P. Botore. Pjesa tjetër e raportit pasqyron sjelljet e inxhinierit që dyshohet si agjent i të huajve, ku bie në sy vigjilenca e vëzhguesve për të identifikuar njerëzit e pakënaqur me të cilët takohet. Më datë 29.7. 1946 është takuar me vejushën Zyrha Kasimati dhe Filip Theodhosin. Më datë 30.7 1946, është takuar me Alfred Ashikun, me të cilin ka miqësi të ngushtë dhe shkon të hajë bukë së bashku. Njëkohësisht u pa të takohet me shumë të dyshimtë në kafe Splendit. Më datën 31.7.46 është takuar prapë me Zyra Kasimatin dhe Filip Theodhosin dhe në darkë me Alfred Ashikun, me të cilin ka ngrënë darkë. Më datë 1.8.1946, mbasdite, ka shkuar te dyqani i Ali Kacelit ku ka qëndruar afro një orë duke shkruar disa letra. Mbasi doli shkoi te Vesim Kokalari dhe më vonë në Argus ku ndenji një orë dhe kur doli kishte në dorë disa revista. Kur u afrua